Sabit Brokaj, shembull burrërie, sinqeriteti dhe atdhedashurie

Sep 14, 2020 | 9:20
SHPËRNDAJE

ANESTI KONDILI ANESTI KONDILI

Mezi mblodha veten për të shkruar dy fjalë për ty, mik i shtrenjtë! Të kam pasur mik të afërt që nga koha e jetës studentore, ku dalloheshe për karakterin tënd që e kisha zili.

Më pas kemi bashkëpunuar në aktivitetin e Departamentit të Kardiologjisë, ku ti ke qenë një nga kontribuuesit e mëdhenj të specialitetit të Kardiologjisë, në veçanti në kabinetin e ekokardiografisë. Unë e kam në memorien time të pashlyer kontributin që ke dhënë si pedagog i Kardiologjisë, si dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe me pas si ministër i Shëndetësisë.

Të jam mirënjohës pa fund për kontributin tënd në ecjen përpara edhe të reanimacionit të Kardiologjisë që unë drejtoja, duke më mbështetur pa rezerva në këtë rrugë të vështirë.

Të faleminderit edhe për bashkëbisedimet konstruktive dhe në të njëjtën linjë lidhur me zhvillimet politike të shoqërisë shqiptare.

Të kam vlerësuar pa fund për ndershmërinë në qëndrimet e tua, për kurajën, sinqeritetin dhe shprehjen e opinioneve të tua në raport me mjekësinë dhe shoqërinë shqiptare të viteve të pambarimta të tranzicionit shqiptar.

Ti do të mbetesh për mua dhe mjaft intelektualë shqiptarë si shembull burrërie, sinqeriteti dhe atdhetarizmi të spikatur!

U largove para kohe miku im i dashur, në këto kohë kur prania jote ishte me shumë vlerë për shoqërinë tonë, duke na lënë boshllëk dhe trishtim të madh për njerëzit, sidomos të sëmurët që u shërbeve pa kursim deri në fund të jetës, por edhe për komunitetin e Kardiologjisë shqiptare, së cilës nuk iu ndave deri në fund, por të jesh i sigurt se do të jesh i paharruar në memorien e tij historike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura