S’kanë likuiditet, do jepen kredi edhe për bankat

Apr 30, 2012 | 12:45
SHPËRNDAJE

Kushtet e kreditimit të bankave të nivelit të dytë nga Banka e Shqipërisë.

Zbardhet rregullorja: Interesi, 4% më shumë se bonot.

Në disa raste, të përsëritura, gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka nënvizuar mes rreshtave të raporteve të saj se fitimi dhe likuiditeti i bankave po luhatet fort.
Banka vlerëson se sistemi në tërësi është likuid, por disa banka, shpesh të cilësuara si të vogla, kanë treguar se nuk kanë shumë para në duar. Në raportin e fundit të stabilitetit financiar, theksohet në disa raste se “fitimi i sektorit bankar mbetet i përqendruar në bankat e mëdha”. Apo fjali të tjera si, “nevojat për rritje kapitali të bankave të veçanta duhet të monitorohen me kujdes të vazhdueshëm”. Paralajmërimet e Bankës së Shqipërisë dhe vetë guvernatorit janë të qarta. Edhe pse nuk trumbetohen me të madhe, ato janë pasqyruar(si një detyrë kryesore e funksionit të Bankës së Shqipërisë) pothuajse në të gjitha raportet. Por, duket se problematika e mungesës së likuiditetit të bankave ka detyruar Bankën e Shqipërisë të marrë një masë tjetër mbrojtëse. Në buletinin e fundit zyrtar është botuar vendimi i datës 13 mars 2012, “Për miratimin e rregullores ‘Për Kredinë për mbështetje me likuiditet’”. Kjo rregullore duket se u jep fund aludimeve apo statistikave, deri tani jo fort të qarta. Ka banka që nuk kanë likuiditet dhe Banka e Shqipërisë duket se do të japë kredi për to.
Rregullorja e re
Në rregulloren e miratuar së fundi, Banka e Shqipërisë përcakton rregullat me të cilat do të lëvrohet kredia për sistemin bankar. Forma e kreditimit, format e kolateralit që do të mbahen peng nga Banka e Shqipërisë, në rast se bankat e nivelit të dytë nuk paguajnë detyrimet, apo edhe normat e interesit. Në kapitullin e kolateralit, Banka e Shqipërisë pranon si garanci vlerën e bonove të thesarit të blerë nga bankat e nivelit të dytë. Si garanci pranohen edhe investimet e tjera të lejuara nga BSH. Një pikë interesante është se kolateral për dhënien e kredisë pranohet edhe rezerva e detyruar në lekë dhe në valutë deri në 80% të nivelit të saj në llogarinë e bankës me Bankën e Shqipërisë, në ditën e akordimit të kredisë. Pra, në një farë mënyre, bankave u lejohet të përdorin rezervën e detyrueshme në Bankën e Shqipërisë si likuiditet, por në këtë rast duhet të paguajnë një interes jo fort të vogël.
Interesat
Niveli i interesit që do të aplikohet nga Banka e Shqipërisë është vërtet i “majmë”. Për bankat që do të aplikojnë për kredi për likuiditet, pra që duan para fizike, interesi do të jetë 4% më i lartë se norma e tregut. “Për kredinë në lekë, 4 (katër) për qind më i lartë se norma bazë e Bankës së Shqipërisë. Për kredinë në euro ose dollarë amerikanë, 4 (katër) % më i lartë se maksimumi i normës së tregut dhe kostos mesatare të fondeve në monedhën përkatëse”. Kështu, Banka e Shqipërisë do të japë lekë ose euro për të plotësuar nevojat e bankave të nivelit të dytë me një fitim të paktën 4 % më të lartë se i tregut. E vetmja lehtësi që kanë bankat e nivelit të dytë, është përmbushja me kolateral. Ndryshe nga kreditë që japin vetë bankat për individët dhe bizneset, kredia që do të marrin nga Banka e Shqipërisë do të jetë në të njëjtën vlerë me kolateralin. “Banka paraqet kërkesën e kredisë deri në shumën e lejuar nga garancitë që do të vendosë për garantimin e kësaj kredie”. Megjithatë ka akoma një lloj mbrojtjeje. “Në çdo rast, shuma e kredisë që do të akordohet përcaktohet nga Banka e Shqipërisë pas vlerësimit të instrumenteve garantuese, në përputhje me masat e kontrollit të rrezikut”. Kohëzgjatja, pra afati për përdorimin dhe shlyerjen e kredisë është i vogël, rreth tre muaj. Por, bankat mund të aplikojnë sërish për të rinovuar apo marrë një kredi tjetër. “Kredia për mbështetje me likuiditet ka afat jo më të gjatë se 92 (nëntëdhjetë e dy) ditë nga dita e lëvrimit të saj. Banka ka të drejtë të kërkojë/aplikojë për kredi tjetër, në përputhje me kushtet e kësaj rregulloreje”.

Nenet e rregullores
“Për Kredinë për mbështetje me likuiditet”

Qëllimi
Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kushteve për dhënien e kredisë për mbështetje me likuiditet për një bankë që ka mungesë të përkohshme likuiditeti, por që është financiarisht e qëndrueshme.
Forma e kredisë
Kredia mund të jetë e formës hua e kolateralizuar, ose marrëveshje riblerjeje.
Instrumentet për garantimin e kredisë
Kredia për mbështetje me likuiditet është kredi plotësisht e garantuar, ku si mjete për garantimin e saj përdoren instrumentet e mëposhtme:
a) titujt në lekë dhe/ose në valutë të emetuar ose të garantuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, dhe Banka e Shqipërisë, si dhe titujt në lekë të emetuar nga organet e pushtetit vendor në Republikën e Shqipërisë të garantuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë;
b) titujt të denominuar në valutë të huaj, të cilët janë të lejueshëm për investimin e rezervës valutore sipas përcaktimeve në rregulloren “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore”;
c) rezerva e detyrueshme në lekë dhe në valutë deri 80% të nivelit të saj në llogarinë e bankës me Bankën e Shqipërisë, në ditën e akordimit të kredisë; dhe/ose
d) mjete të tjera, në rastet e nenit 6, paragrafi 4.
Shuma e kredisë
1. Banka paraqet kërkesën e kredisë deri në shumën e lejuar nga
garancitë që do të vendosë për garantimin e kësaj kredie.
2. Në çdo rast, shuma e kredisë që do të akordohet përcaktohet nga Banka e Shqipërisë pas vlerësimit të instrumenteve garantuese, në përputhje me masat e kontrollit të rrezikut.
Kohëzgjatja e kredisë
1. Kredia për mbështetje me likuiditet ka afat jo më të gjatë se 92 (nëntëdhjetë e dy) ditë nga dita e lëvrimit të saj.
2. Banka ka të drejtë të kërkojë/aplikojë për kredi tjetër në përputhje me kushtet e kësaj rregulloreje.
Interesi i kredisë
Interesi i kredisë për mbështetje me likuiditet është:
a) për kredinë në lekë, 4 (katër) për qind më i lartë se norma bazë e Bankës së Shqipërisë;
b) për kredinë në euro ose dollarë amerikanë, 4 (katër) % më i lartë se maksimumi i normës së tregut dhe kostos mesatare të fondeve në monedhën përkatëse.

“Veprimtaria bankare në një mjedis ekonomik sfidues”
Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë: Banka të veçanta duhet të rrisin kapitalin

Banka e Shqipërisë

“Banka të veçanta duhet të rritin kapitalin”. Raporti i fundit i Fullanit tregon qartë se jo gjithë sistemi bankar ka ecur në mënyrë pozitive. Më poshtë po japin disa paragrafë ku qartësohet nevoja për mbikëqyrje të rrezikuar në një nivel më të lartë.
“Në gjysmën e dytë të vitit 2011, rezultati neto është pozitiv në masën 706 milionë lekë, duke qenë rreth 89.5% më i ulët se për të njëjtën periudhë të  një viti më parë. Pavarësisht rritjes së rezultatit neto nga interesat prej 2.65 miliardë lekësh, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e rezultatit neto nga veprimtaritë e tjera (me 7.2 miliardë lekë, ose pothuaj 100%) dhe rritja e shpenzimeve për provigjone për kreditë në nivelin 20.6 miliardë, ose rreth 6.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, janë reflektuar në rënien e ndjeshme të rezultatit neto. Gjithashtu, fitimi i sektorit bankar mbetet i përqendruar në bankat më të mëdha”.
“Megjithëse niveli i kapitalizimit të veprimtarisë së sektorit bankar vlerësohet i mirë, nevojat për rritje kapitali të bankave të veçanta duhet të monitorohet me kujdes të vazhdueshëm, për shkak të paqëndrueshmërisë së cilësisë së aktiveve dhe ritmeve të ngadalta të zgjerimit të veprimtarisë”.
“Në përgjithësi, veprimtaria bankare zhvillohet në një mjedis ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm sfidues, ndaj bankat duhet të ndjekin me kujdes ecurinë e veprimtarisë së tyre për të identifikuar në kohë dhe për të përmbushur nevojat për kapital”.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura