Rusi, gruaja kamikaze shpërthen veten, 15 të vdekur

Dec 30, 2013 | 10:23
SHPËRNDAJE

Një “grua-bombë” shpërtheu veten në një stacion treni në Rusinë Jugore të dielën, duke vrarë të paktën 15 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Ngjarja po ndodh ndërsa Rusia po përgatitet për Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi, ku është angazhuar për masa të larta sigurie. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Volgograd, por autoritetet e kanë lidhur atë me thirrjet që bëri një lider rebel çeçen, Doku Umarov, pak muaj më parë për sulme të reja kundër civilëve në Rusi, përfshirë edhe Lojërat në Soçi. Prej vitesh Rusia është goditur nga sulme me njerëz të veshur me eksploziv, por pjesa më e madhe e tyre kanë ndodhur brenda rajonit të Kaukazit, një rajon islamik që kërkon autonominë nga Rusia. Volgograd, i njohur më parë si Stalingradi, nuk ka qenë ndonjëherë shënjestër e këtyre sulmeve, por së fundmi është goditur dy herë brenda një muaji. Volgograd kufizohet me Kaukazin dhe ndodhet 550 milje në jug të Moskës dhe 400 milje në verilindje të Soçit. Autoritetet e kanë konsideruar një sulm terrorist dhe me hetimet po merret komiteti rus për luftën kundër terrorizmit. Sulmi ka ndodhur në orën 12:45, sipas orës lokale. Të lënduarit, rreth 50 veta, janë shtuar në spitalin më të afërt, ndërsa ministrja shtoi se numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh. Bombardimet janë një sfidë sigurie e madhe për Rusinë, e cila është zotuar që t’i bëjë Lojërat Olimpike të Soçit “më të sigurtat në histori”. Qeveria ka angazhuar dhjetëra-mijëra policë dhe personel tjetër sigurie për të mbrojtur lojërat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura