Rrudhet Kombëtarja, rrezikojnë “senatorët”

Nov 2, 2012 | 11:53
SHPËRNDAJE
Bogdani dhe Salihi

Ulje e shpenzimeve te kuqezinjtë, De Biazi do të thërrasë vetëm 18 lojtarë.

Në miqësoren me Kamerunin mund të mungojnë Salihi e Bogu.

Nuk pritet asnjë emër i ri. Ndaj Kamerunit, në Gjenevë, trajneri De Biazi do të provojë të njëjtët lojtarë që ka pasur në dy ndeshjet e fundit, paçka se ai ende nuk e ka bërë zyrtare listën për këtë miqësore.  Sipas informacioneve nga Federata Shqiptare e Futbollit, bëhet me dije se drejt Zvicrës do të udhëtojnë jo më shumë se 18 lojtarë, si dhe stafi teknik, duke qenë se drejtuesit e FSHF-së kanë kërkuar një ulje të shpenzimeve për këtë ndeshje. Në këtë këndvështrim, 6 nga 24 futbollistët e grumbulluar në dy ndeshjet zyrtare të tetorit për kualifikimet e Botërorit 2014 nuk do të jenë pjesë e ekipit. Por, jo vetëm kaq. Burime të sigurta konfirmojnë edhe mungesën e Salihit dhe Bogdanit për këtë ndeshje. I pari do të lihet jashtë me gjasa, për faktin se është shumë larg nga Europa dhe për më tepër, në mes të këtij muaji, skuadra e tij DC Junajtid nis fazën e play-off-it për titullin në kampionatin amerikan, ndaj drejtuesit e klubit kanë kërkuar që lojtari të jetë në dispozicion të trajnerit Ben Olsen. Ndërsa Bogdani (të paktën deri dje nuk i kishte shkuar asnjë ftesë në klub), me gjasa do të lihet jashtë si një zgjedhje teknike. Përveç dyshes së mësipërme, jashtë skuadre për këtë miqësore mund të lihen edhe Orges Shehi, Franc Veliu, Renato Arapi, Tefik Osmani, Sabjen Lilaj, lojtarë që militojnë në kampionatin shqiptar, si dhe Alban Meha. Së pari, mesfushori nuk po kalon një periudhë të lumtur te Paderborni, por edhe se në këtë përballje kthehet Elis Bakaj, ndaj me gjasa De Biazi do të kërkojë që të shikojë formën e këtij të fundit pas dëmtimit që kaloi. Nisur nga informacionet e mësipërme, duket se në portë do të grumbullohen Ujkani dhe Etrit Berisha, në repartin e mbrojtjes: Andi Lila, Dallku, Curri, Mavraj, Cana dhe Agolli; në mesfushë: G.Lika, Bulku, Hyka, Vila, Lilaj, Kukeli dhe Roshi; dhe në sulm: Bakaj, Çani e Sadiku. Sakaq, duhet theksuar se ende nuk dihet se kur do të publikohet lista zyrtare e Kombëtares për këtë ndeshje, duke na bërë unikalë jo vetëm në Europë, por ndoshta edhe në botë. Vetëm te ne lista mbahet “top-sekret” dhe publikohet gjithnjë në fund, vetëm disa ditë para ndeshjes, paçka se rivalët  pothuajse gjithmonë e shpallin listën të paktën dy javë para ndeshjes (si p.sh Kameruni, i cili dje ka publikuar zyrtarisht 24 lojtarët për këtë miqësore, ose dy ish-kundërshtarët Islanda dhe Sllovenia, që i shpallën listat për ekipet e tyre për ndeshjet e 12 dhe 16 tetorit që më 25 shtator).

Ujkani
Mbrojtësi zviceran i Palermos, Stiv Von Bergen, nuk i ka kursyer fjalët e mira për kolegun e tij, Samir Ujkani. “Samir po tregon se ka cilësi dhe është një lojtar i vlefshëm për ekipin. Këtë gjë e tregoi jo vetëm me Xhenoan dhe Torinon, por edhe ndaj Milanit. Siç e shihni ne, lojtarë e mbrojtjes, po përmirësohemi, kjo për faktin se po ambientohemi me njëri-tjetrin. Nëse ka një problem, që të gjithë e ndihmojnë skuadrën”.

Alban Meha
Trajneri i Paderbornit, Stefan Shmidt, ka sqaruar dje në mediat gjermane arsyet e mosaktivizimit të Alban Mehës. “Nuk bëhet fjalë për ndonjë ndëshkim ndaj tyre, por si Meha dhe Kroshe janë jashtë formës dhe mua personalisht nuk më intereson një individ i veçantë, por loja e skuadrës në tërësi. Për këtë arsye kam vendosur që t’i lë që të dy në stol. Si Meha dhe Kroshe duhet të stërviten mirë që të fitojnë postin e titullar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura