Rrokaj: Emergjent rishikimi i fjalorëve terminologjikë

May 14, 2015 | 16:18
SHPËRNDAJE

Ai nuk është thjesht një fjalor. Ai është një gur themeli. Kanë kaluar 380 vjet, që kur Frang Bardhi nxori në dritë fjalorin dygjuhësh latinisht-shqip, fillimisht si një dëshirë për t’u ardhur në ndihmë klerikëve të krishterë, pa e ditur se që aty do të niste një traditë e gjatë. Dje, në Bibliotekën Kombëtare, u zhvillua në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhësisë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në UT, konferenca shkencore “Zanafillë dhe traditë”, shoqëruar me një ekspozitë modeste, në të cilën paraqiteshin vepra të ngjashme, që në kohën e Bardhit, deri në ditët tona. Për drejtoreshën e BK, Persida Asllani, botimi i Fjalorit të Frang Bardhit është një nga ato momentet e rëndësishme në kulturën shqiptare, që ia vlen të ndalesh e ta analizosh, aq më tepër kur bëhet fjalë për një gur themeli në traditën leksikografike shqiptare. Sipas saj, sot nuk do të kishim një leksikografi moderne pa këtë rrugëtim.

Biblioteka Kombetare

“Fjalorët kanë një rëndësi shumë të madhe, sepse sjellin ekuivalentimin e gjuhëve. Imagjinoni 380 vjet më përpara Frang Bardhi e përball shqipen me një gjuhë të thellë për nga rrugëtimi, siç është latinishtja. Kjo është mrekullia e gjuhëve, që e ngrenë një gjuhë që mund të ketë pasur probleme në të shkruar, drejt një gjuhe të kultivuar, duke i dhënë ekuivalenca kuptimore. Është një material i pazëvendësueshëm për të gjithë ata që do të vazhdojnë të shkruajnë shqipen dhe sidomos ata që e studiojnë”, vazhdon ajo.

Për t’i sjellë sa më pranë lexuesit, në Bibliotekën Kombëtare vijon me ritme të shpejta dixhitalizimi i antikuarëve, hartave, periodikëve. Por, veç dixhitalizimit, të aksesueshëm prej kujtdo falas, vepra madhore si të Frang Bardhit na vijnë sot edhe prej studimeve bashkëkohorë, siç është rasti i veprës studimore, kritike të Bardhyl Demirajt, botuar në vitin 2008.

FJALORËT

Për drejtuesen e Departamentit të Gjuhësisë, Aljula Jubani, përkujtimi i veprës së Frang bardhit është një moment për t’u ndalur e për të parë se ç’është leksikografia sot dhe në ç’drejtim duhet të ecë ajo. Dekani i Fakultetit të Histori- Filologjisë, Shezai Rrokaj, vlerësoi punën e palodhur të Bardhit, Budit, Buzukut, Mitkos, Kristoforidhit e me radhë, të cilët në kushtet e mungesës së përvojës kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, që u vu në themel të leksikografisë shqipe, deri në hartimin e të parit fjalor me baza shkencore në vitin 1954, i ndjekur nga të tjerë në vitet ’80, ’84, 2002 e 2006. Sipas tij, në kushtet e zhvillimit të shpejtë të shoqërisë e teknologjisë, lind nevoja e rishikimit të fjalorëve.

Ai u ndal më së shumti tek ata terminologjikë, që sipas Rrokajt “janë shumë larg zhvillimeve teknologjike të dekadave të fundit”. Ai e konsideroi emergjente rishikimin e këtyre fjalorëve, sidomos në lëmë të terminologjive nga fusha ligjore dhe administrative, duke iu përshtatur standardeve europiane. Po kështu, Rrokaj e quajti të domosdoshme punën për mbledhjen e fjalësit dhe njësive frazeologjike në të gjitha hapësirat shqiptare, të copëzuara në shtete të ndryshme, duke mbetur të izoluara, për t’ia vënë në shërbim përdoruesve të gjuhës shqipe në mënyrë elektronike. Të tjerë pjesëmmarrës në konferencë, si Etleva Shiroka, Mimoza Kore, Dhimitër Bello e Evalda Paci u ndalën më gjatë te vepra e Bardhit, mënyra e ndërtimit të tij, teknikat e përdorura nga autori, mangësitë, por mbi të gjitha rëndësinë në ndërtimin e një tradite leksikografike.

EKSPOZITA

Një traditë që dëshmohet edhe përmes ekspozitës. “Në mënyrë simbolike përmes kësaj ekspozite ne zbulojmë këto momente të rëndësishme, një rrugëtim që fillon që nga Dictionarium latino-epiroticum i Bardhit, për të vijuar me fjalorë të tjerë, si ai i Voskopojarit që është 4 gjuhësh, kontribute të Thimi Mitkos, Kostandin Kristoforidhit, të gjuhëtarëve arbëreshë, fjalori i shoqërisë “Bashkimi”, që shënon një moment të rëndësishëm në stabilizimin e leksikografisë shqipe. Këtu kemi një riprodhim të faqeve të fjalorit, ku dikush, gjatë viteve, gjatë përdorimit, ka shënuar me shkrim dore përkthime dhe variante të tjera leksikografike, duke dhënë punën, traditën dhe vendin që ka një fjalor brenda një kulture gjuhësore”, thotë Asllani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura