Rritje me 7%, administrata publike me 12 mijë vetë më shumë! Ja sa punonjës shtetëror ka në total

Sep 15, 2021 | 9:29
SHPËRNDAJE

administratashteterore

Rritet me 12 mijë numri i të punësuarve në shtet. Sipas një raporti të fundit të INSTAT në qershor të këtij viti, numri i punonjësve në administratën publike shkoi në 185 mijë vetë, më i larti që nga viti 2002. Një vit më parë, të punësuarit në shtet ishin 173 mijë vetë, ndërsa në vitin 2013, kur Kryeministri aktual mori pushtetin, ishin 164 mijë vetë, ndërsa të punësuarit nuk u shtuan deri në vitin 2017.

Në fakt, statistikat e INSTAT tregojnë se rritja e numrit të të punësuarve në shtet filloi në vitin 2018, ndërsa rritja më e madhe u krye gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Kjo periudhë përkon në fakt edhe me vitin zgjedhor ku Partia Socialiste në pushtet insistoi dhe mori edhe mandatin e tretë qeverisës. Në fund të shtatorit, sektori publik numëronte 172 mijë të punë suar, ndërsa në fund të dhjetorit, 182 mijë vetë. Qeveria nuk ka dhënë shpjegime se për çfarë arsye kaq shumë njerëz janë punësuar rishtazi.

Aktualisht, 26% ose një në katër shqiptarë të punësuar i përkasin sektorit publik, ku përfshihet qeveria qendrore, pushteti vendor dhe ndërmarrjet shtetërore, të tilla si OSHEE-ja apo Ujësjellësi. Shqipëria ka pasur tendencën e pakësimit të të punësuarve në sektorin publik që nga rënia e komunizmit, pjesërisht për shkak se shteti ishte i mbingarkuar me punonjës pa produktivitet dhe pjesërisht për shkak se popullsia e vendit ka ardhur vazhdimisht në rënie.

Herën e fundit kur Shqipëria kishte kaq shumë të punësuar në shtet ishte viti 2002. Reforma territoriale ishte një nga përpjekjet e qeverisë Rama për të ulur numrin e të punësuarve që marrin pagat nga taksapaguesit, por që në fakt rezultoi e kundërta. Numri i të punësuarve në pushtetin lokal pas reformës territoriale u rrit me 8100 punonjës sipas INSTAT. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, çdo i punësuar i ri kushton rreth 580 mijë lekë në muaj. Një nga arsyet madhore të reformës territoriale ishte reduktimi drastik i shpenzimeve. Ky fakt i evidentuar nga INSTAT është denoncuar dhe opozita, e cila e ka shpallur një ndër prioritetet e saj reformën territoriale në këtë legjislaturë dhe renditet si një nga pikat ku do të ketë bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës.

Shqipëria, më pak e lidhura në rajon me Gjermaninë për tregtinë dhe investimet

Ndonëse Gjermania është ekonomia më e madhe dhe më e fortë e Europës, Shqipëria ka më pak lidhje me të në raport me vendet e rajonit, sidomos për tregtinë, por edhe investimet gjermane përgjithësisht mungojnë. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se Gjermania është partneri i katërt i Shqipërisë për eksportet në vitin 2019, me 4.7% të totalit. Shqipëria ka një varësi të madhe nga Italia, me gati 48% të totalit, që i vuri në vështirësi eksportuesit vendas, sidomos ata të tekstileve e këpucëve, gjatë periudhës së pandemisë. E dyta është Kosova (10%) dhe e treta Spanja, me 8% e lidhur kryesisht me eksportet e naftës bruto. Në këto nivele, Shqipëria ishte e parafundit në rajon, përveç Malit të Zi për peshën që zë Gjermania në eksportet e rajonit.

E para është Maqedonia e Veriut me gati 49%, Bosnjë Hercegovina (15%), Serbia (13%), Kosova (8%) për vitin 2019. Është marrë për referencë 2019-a, për shkak se ishte një vit normal, pa përçarjen që shkaktoi pandemia në zinxhirin e eksporteve (shih grafikun: Pesha e eksporteve drejt Gjermanisë/totalit, 2019). Produkti më i eksportuar nga Shqipëria drejt Gjermanisë janë tekstilet e këpucët (53%), ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku mbizotërojnë produktet e makinerive e pajisjeve e materialet kimike. Edhe për importet, Shqipëria është partnerja e fundit e Gjermanisë në rajon, me 7.2% të totalit (shih grafikun: Pesha e importeve nga Gjermania/totalit, 2019).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura