“Rritja graduale e pagave do fillojë në korrik të 2022”- Zv/kryeministri: 40% për mësuesit dhe mjekët! 4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë brenda vitit

Sep 16, 2021 | 20:18
SHPËRNDAJE

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në fjalën e tij në Kuvend foli për programin e qeverisë dhe prioritetet kryesore në 4 vitet e ardhshme, por edhe objektivat deri në 2030.

arben ahmetaj

Sipas Ahmetajt, në objektivat e programit 2030 është edhe rritja ekonomike mesatarisht me 4% në vit. Ndërsa për pagat tha se do të fillojë rritja graduale nga korriku i vitit 2022.

“40% deri në fund të mandatit, për mësuesit, mjekët dhe infermierët. 30% deri në fund të mandatit për punonjësit e administratës publike. Paga mesatare në sektorin publik do të rritet nga 72 mijë që është aktualisht në 85 mijë lekë/muaj deri ën fund të mandatit. Vijojmë progresivitetin, duke rishikuar shkallën e sipërme të taksimit, pra niveli i taksimit prej 23% do të aplikohet për pagat mbi 200 mijë (nga 150 mijë që është sot) dhe gradualisht deri në fund të mandatit,  pragu i tatueshëm do të zhvendoset në mbi 250 mijë”, tha Ahmetaj.

Në planin e punës 2021-2022, zv/kryeministri përmendi si prioritet strehimin.

“4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë brenda vitit 2021, duke strehuar të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre. 12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar brenda vitit 2022, duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre. 28 kantierë të rinj të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën 2022. Të gjitha shkollat e rindërtuara me financim nga buxheti dhe pjesa më e madhe të shkollave me financim nga donatorët do të kenë përfunduar në pranverën 2022 (donatorët do të vijojnë sipas afateve të parashikuara në marrëveshjet e nënshkruara me qeverinë shqiptare, në përputhje me procedurat e tyre)”, tha Ahmetaj.

Fjala e Zv. Kryeministrit  Arben Ahmetaj

Programi “Shqipëria 2030”

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Pas një viti tejet të vështirë për vendin tonë, qytetarët shqiptarë dhe sipërmarrjet, të goditura si asnjëherë më parë nga dy fatkeqësi të njëpasnjëshme si tërmeti dhe pandemia, mendimi im i parë shkon për sfidën e rëndësishme, përgjegjësinë dhe privilegjin e kësaj maxhorance, për të tretën herë radhazi, për të qenë në lartësinë e detyrës, për të shpërblyer besimin dhe shpresën e qytetarëve shqiptarë për një të ardhme më të mirë.

Por, më lejoni të shtoj se sfida, përgjegjësia dhe privilegji janë njësoj të rëndësishme si për ne majtas, ashtu dhe për ju djathtas, për të kontribuar në një moment tejet të vështirë, për të kontribuar për vendin tonë, për të qenë serioz që nëpërmjet bashkëpunimit e përgjegjshmërisë ndaj vendit dhe qytetarëve, të hedhim hapa përpara, që nuk e ndikojnë përkatësinë tonë politike, por shkojnë përtej përkatësive politike, në favor të familjeve dhe qytetarëve shqiptarë.

Mandati ynë i tretë, mandati Rama 3, është një mandat për Shqipërinë 2030. Programi ynë qeverisës është konceptuar si një plan i kujdesshëm dhe i detajuar reformash dhe aksionesh, që synon të materializojë në çdo qelizë të qeverisjes vizionin tonë për Shqipërinë 2030, një projekt madhor që mishëron ambicien tonë për ta çuar Shqipërinë në nivelin tjetër të zhvillimit, një vend Europian që vendos një tjetër standard të qeverisjes në shërbim të qytetarëve.

Shqipëria 2030 do të jetë një vend me rritje ekonomike të qëndrueshme, në një stad tjetër të zhvillimit, konkurrueshmërisë e produktivitetit falë një programi gjithëpërfshirës reformash në infrastrukturë, energji, shëndetësi, arsim, bujqësi, manifakturë dhe IT; një vend me fëmijë fluentë në anglisht dhe të rinj ekselentë në përdorimin e teknologjisë, me sipërmarrje të vogla familjare, të shtuara që i kemi hequr taksat deri në 2030; një vend me konektivitet të avancuar dhe kampione e rajonit në turizëm; me shërbime publike krejtësisht dixhitale, në funksion të produktivitetit, të shpejtësisë së punës dhe si instrument anti-korrupsion, me të rinj të cilët gjejnë mundësi me reformat tonë, në jetën e përditshme,  kodimi është një shembull shumë i mirë për të treguar vlerën e shtuar në zinxhirin e vlerës, sidomos për të rinjtë dhe sigurisht për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë.

Mandati i tretë, shpalos hap pas hapi planin tonë të punës, që bazohet në 5 shtylla kryesore;

  1. Rimëkëmbjen e ekonomisë nga tërmeti e pandemia;
  2. Mirëqenie për të gjithë, për një ekonomi të zhvilluar që nuk lë askënd vetëm.
  3. Modernizimin për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë,  ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve;
  4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen;
  5. Shqipëria e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet në botë.

Sigurisht, nuk mund të nisë ky mandat pa përgjegjësinë e ringritjes pas fatkeqësive.

Tërmeti dhe pandemia ishin dy goditje të forta, me impakt të konsiderueshëm ekonomik, social dhe financiar në vitin që lamë pas. Askush nuk është dot i paprekshëm ndaj fatkeqësive natyrore, të gjithë i ndjenë pasojat dhe efektet tyre, por kjo maxhorancë edhe njëherë tregoi se në kohë të vështira si ato që kaluam, e në kohë decisive për të ardhmen si këto ku jemi sot, shprehja më e lartë e fisnike e politikës reflektohet në guximin për të bërë zgjedhje të vështira, për të marrë vendime që deri më parë mund të dukeshin të pamundura, për të përmbushur atë që është përgjegjësia kryesore e politikës: detyrimi ndaj kombit, për t’i dalë zot qytetarëve e për të mos lënë askënd mbrapa.

Një shifër për të kuptuar dimensionin e dy goditjeve që pësuam një vit më parë:

Tkurrja e PBB -së për shkak të pandemisë arriti kulmin në tremujorin e dytë 2020 në rreth -10.2%. Për kujtesën tuaj, në vitin ’97, një vit i errët për ekonominë shqiptare dhe jo vetëm për ekonominë, shënoi një recension prej rreth -11%. Por ndryshe nga atëherë, falë ndërhyrjes së qeverisë dhe paketës së mbështetjes financiare ndaj të punësuarve dhe bizneseve, ekonomia e rikapi ritmin e saj dhe tremujori i fundit 2020 u rikthye përsëri në terren pozitiv. Viti 2020 u mbyll me rritje ekonomike -4%, ndërsa në vitin 2021 ekonomia shqiptare dha sinjalet e para të shërimit, me një rritje prej 5.53%.

Çfarë bëmë ne?

Një paketë gjithëpërfshirëse prej 80 miliardë lekë, mbështetje e dedikuar për menaxhimin e efekteve të pandemisë, e barabartë me 5% të PBB-së. 

Përmes pagave të luftës dhe instrumenteve të garancisë sovrane, mbështetëm gati gjysmën e të punësuarve në sektorin privat në mbi 83,700 biznese.

Dyfishuam ndihmën ekonomike në vitin 2020 dhe 2021, dyfishuam pagesën e papunësisë, garantuam rimbursimin e barnave të paketës për trajtimin e virusit, falëm kamatëvonesat e energjisë elektrike për mbi 210 mijë konsumatorë dhe riskeduluam deklarimet e bizneseve për vitin 2021.

Sot i kemi rifituar të gjitha vendet e punës që u humbën nga pandemia!

Në janar 2021 u numëruan 692,468 të punësuar. Në janar 2020, pra para fillimit të pandemisë, ishin 686,390 të punësuar. Thënë ndryshe, megjithë tërmetin e pandeminë përgjatë një viti, pati një rritje prej mbi 6 mijë të punësuar.

Rimëkëmbja do të mbetet prioriteti kryesor për punën tonë. Në vitin 2022 Shqipëria do të jetë jo vetëm e shëruar nga Tërmeti e Pandemia, por përmes planit të Rimëkëmbjes, ne do të krijojmë më shumë vende të reja pune duke mbështetur sektorët ekonomik më të prekur si turizmi, bizneset e transporti, të cilat do të rikthehen në rrugën e duhur të rritjes e produktivitetit ekonomik.

Plani i Punës 2021-2022:

  • Vaksinimi i popullatës kritike, personat në moshë mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese do të ketë përfunduar brenda shtator 2021. Në planifikimet buxhetore të katër viteve të ardhshme janë vendosur 40 milion dollarë për vaksina duke parashikuar çdo vit vaksinim të vazhdueshëm për të gjitha shtresat.
  • Garantojmë vaksinimin për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në shkurt 2022.
  • Mbështesim sipërmarrjen në sektorët më produktivë të ekonomisë në ringritjen e tyre edhe më të fortë pas pandemisë, duke dedikuar:
    • 50 milionë euro për sipërmarrjet në sektorin e turizmit
    • 5 milionë euro për sipërmarrjet në fushën e transportit
    • 50 milionë euro për sipërmarrjet në sektorin e manifakturës, si garanci për kreditim apo zgjatje të afatit të kredive ekzistuese

Rindërtimi:

Rindërtimi është sot programi më i madh urban, ekonomik e social, që garanton më shumë se thjesht rimëkëmbjen pas tërmetit. Çdo familje që humbi shtëpinë, do të marrë një të re, falas, të ndërtuar më mirë, më fort, më bukur, me standarde ndërkombëtare, e po njësoj të gjitha shkollat, çerdhet, kopshtet dhe objektet publike.

Mbi 48 mijë familje kanë përfituar sot nga programi i Rindërtimit, duke përfshirë grantet e rikonstruksionit, të rindërtimit, banesat e reja individuale dhe apartamente.

Sigurisht që procesi vazhdon e të tjera familje do t’i shtohen këtij numri.

Kemi alokuar nga buxheti i shtetit deri më tani 47 miliardë lekë, pa përfshirë këtu 300 milionë euro grante të akorduara nga donatorët, ose 100% e granteve të angazhuara në Konferencën e Brukselit.

E mbani mend që në dhjetor 2019 ishin rreth 11 mijë familje në çadra e konteinerë, e mbi 3 mijë të tjerë të akomoduar në hotele.

Sot 15 mijë familje trajtohen me bonus qiraje në vlerën 4,4 mld lekë dhe do të vazhdojnë ta marrin bonusin deri ditën që do të marrin në dorë çelësat e shtëpive të tyre të reja, të rindërtuara falas!

Janë alokuar 12 miliardë lekë për grantet cash te rikonstruksionit e 33 mijë qytetarë janë paguar tashme, ndërsa mbi 800 të tjerë kanë përfituar grantet e rindërtimit, për t’i ndërtuar vetë banesat e tyre, me një vlerë prej 1.6 miliardë lekë.

Sot e gjithë zona e dëmtuar është një kantier ndërtimi, që ka krijuar punësim masiv dhe një impakt ekonomik të konsiderueshëm:

  • 1,507 objekte për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta, nga të cilat sot mbi 400 kanë përfunduar;
  • 5000 banesa individuale dhe 11 mijë apartamente
  • 28 kantierë të infrastrukturës publike nga të cilët 18 janë sot të përfunduar
  • 169 objekte të reja arsimore me financim nga buxheti i shtetit e donatorë.
  • Mbi 450 kompani kanë angazhuar mbi 24 mijë punëtorë, ku po marrin formë çdo dite godinat e reja, të pakrahasueshme me ato që shkatërroi tërmeti

Brenda tetorit 2021 do të shohim të rilindur nga e para lagjen e re të qendrës së Laçit, që po ndërtohet nga qeveria turke ndërsa brenda fundit të viti, edhe Thumana, Fushë-Kruja, Bubqi dhe Kavaja do të kenë rilindur.

Në pranverën e vitit 2022 nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019!

Plani i Punës 2021-2022:

  • 4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë brenda vitit 2021, duke strehuar të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre.
  • 12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar brenda vitit 2022, duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre.
  • 28 kantierë të rinj të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën 2022.
  • Të gjitha shkollat e rindërtuara me financim nga buxheti dhe pjesa më e madhe të shkollave me financim nga donatorët do të kenë përfunduar në pranverën 2022 (donatorët do të vijojnë sipas afateve të parashikuara në marrëveshjet e nënshkruara me qeverinë shqiptare, në përputhje me procedurat e tyre)

Mirëqenie për të gjithë dhe modernizimi për zhvillim

Aspekti ekonomik është një tjetër shtyllë e programit ku dëshiroj të ndaloj për të ndarë me ju disa elementë të rëndësishëm:

Të gjitha të dhënat e disponueshme tregojnë se fondamentet e ekonomisë shqiptare jo vetëm arritën t’i bëjnë ballë presionit të dyfishtë të pandemisë dhe tërmetit, por kanë filluar tashmë të tregojnë shenjat e para të shërimit që do të vazhdojë, dhe nga ku jemi nisur për të ndërtuar planin tonë ekonomik për 2030.

Në vitin 2021 rritja ekonomike parashikohet të kthehet në nivelin rreth +5.5% dhe në periudhën afatmesme të konvergojë dhe stabilizohet rreth nivelit 4%, e furnizuar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet.

  • Besimi/perceptimi i agjentëve ekonomik (bizneseve dhe konsumatorëve) është përmirësuar ndjeshëm: Indeksi i ndjeshmërisë ekonomike pati një rritje të konsiderueshme në tremujorin e parë dhe të dytë të 2021, duke pasuar rritjet pozitive të dy tremujorëve të mëparshëm (T3 dhe T4 2020).

Tregtia me jashtë, qoftë eksportet e mallrave, ashtu edhe importet, kanë shënuar gjithashtu një rritje të fortë gjatë këtyre muajve të këtij viti. Përkatësisht eksportet janë rritur me rreth 35% ndërsa importet me rreth 30%, e reflektuar thuajse në të gjitha kategoritë kryesore të mallrave. Rritja e fortë tek mallrat kapitale, është një është një indikacion indirekt për rimarrjen e investimeve në ekonomi, i cili është element i rëndësishëm edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të rritjes ekonomike.  

  • Aktiviteti në tregun financiar ka vijuar me ritme të mira: Kreditimi drejt sektorit privat ka vijuar me një rritje prej rreth 7% gjatë këtij viti dhe po ashtu dhe depozitat (kursimet kombëtare) në sistemin bankar janë rritur. Ndërkohë që normat mesatare të interesit si të kredive drejt sektorit privat, ashtu edhe yeild-i mesatar i instrumenteve të borxhit shtetëror kanë qëndruar në mënyrë stabël, në nivele të ulëta.
  • Turizmi, krahasuar veçanërisht me 2020 por edhe krahasuar me nivelin tipik mesatar të tij, duket se ka qenë një prej gjeneruesve kryesorë të këtij “momentumi” pozitiv të ekonomisë. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllim turizmi gjatë Janar-Korrik (ende nuk kanë dalë statistikat për Gushtin që pritën të jenë edhe më pozitive) është rritur me rreth 2.5 herë (150%) krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
  • Sa i takon implikimeve në tregun e punës, sikurse e theksova, sipas të dhënave zyrtare të borderosë, nga DPT, ne kemi arritur të rikuperojmë të gjitha vendet e punës të humbura për shkak të pandemisë.

Shkalla e papunësisë për moshën 15 vjeç e lart në tremujorin e dytë të 2021 ishte 11.6%, e cila pas një rritje të përkohshme gjatë vitit 2020, tashmë ka rënë sërish pothuajse në nivelin para-pandemisë (11.2% në fund të 2019 dhe 11.4 në fund të tremujorit të parë të 2020, fillimi i efekteve të pandemisë).

Numri i të punësuarve në T2-2021 është rritur me rreth 2.9% krahasuar me T1-2021 dhe me rreth 1% krahasuar me një vit më parë.

Paga mesatare në T2-2021 ishte rreth 6.1% më e lartë krahasuar me fundin e vitit 2019 (rreth 6.8% më e lartë ajo e sektorit shtetëror dhe rreth 5.1%  më e lartë ajo e sektorit privat). Sot paga minimale është rritur në 30 mijë lekë, nga 26 mijë lekë që ishte në fund të 2019 (apo 22 mijë në 2013)

  • Patjetër një indikator tjetër që sinjalizon një performancë të mirë të ekonomisë, është edhe ecuria e të ardhurave tatimore, të cilat gjatë 8-mujorit të parë të vitit kanë qenë rreth 20% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Taksa progresive vazhdon të mbetet një shtyllë e rëndësishme e Programit të kësaj maxhorance, edhe në perspektivën e Shqipërisë 2030.

Në 8 vite, vetëm përmes taksës progresive i kemi kthyer mbrapsht qytetarëve 960 milionë dollarë.

Objektivat kryesorë të programit 2030:

  • Rritja ekonomike mesatarisht mbi 4% në vit
  • Vazhdojmë konsolidimin fiskal me synim uljen e borxhit ne 60% në fund të mandatit
  • Rritja e të ardhurave të disponueshme me 20% deri ën fund të mandatit
  • Rritja në mënyrë graduale deri në fund të mandatit me 25% e pagës mestarë mujore bruto.
  • Rritja graduale dhe e përshkallëzuar e pagave duke filluar nga korriku 2022:
  • 40% deri në fund të mandatit, për mësuesit, mjekët dhe infermierët
  • 30% deri në fund të mandatit për punonjësit e administratës publike
  • Paga mesatare në sektorin publik do të rritet nga 72 mijë që është aktualisht në 85 mijë lekë/muaj deri ën fund të mandatit
  • Vijojmë progresivitetin, duke rishikuar shkallën e sipërme të taksimit, pra niveli i taksimit prej 23% do të aplikohet për pagat mbi 200 mijë (nga 150 mijë që është sot) dhe gradualisht deri ën fund të mandatit, pragu i tatueshëm do të zhvendoset në mbi 250 mijë.

Për biznesin:

  • Krahas politikës së taksës 0 për biznesin e vogël
  • Fondi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja start-up do të 5-fishohet, duke arritur në 10 milionë euro.
  • Krijojmë instrumentin e garancisë prej 50 milionë eurosh për manifakturën në rastet e ndryshimit të porosive për të përballuar kostot e ndërrimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja.
  • Do të krijojmë programet “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë” dhe “Inovacion dhe ekselencë në IT” për trajnime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100%. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si 2-fish i tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar përfituesi.
  • Tatimi fitimit vetëm 5% për sipërmarrjet në IT
  • Krijojmë instrumentin e garancisë për kreditim në IT prej 50 milionë Euro
  • Do të përdorim instrumentin e amortizimit të përshpejtuar gjatë vitit për të nxitur investimet me pajisje të prodhuar brenda vendit në kursimin e energjisë dhe ato miqësore ndaj mjedisit deri në kuotën 40%.
  • 70 milion EUR mbështetje të drejtpërdrejte për fermerët nëpërmjet naftës pa akcizë dhe të skemave kombëtare të mbështetjes dhe 146 milionë EUR mbështetje nëpërmjet programit IPARD III.
  • TVSH zero për inputet bujqësore (plehrat kimike, pesticidet, farërat dhe fidanët); makinat bujqësore si në import ashtu dhe brenda vendit dhe 27 zëra doganor të peshkimit
  • Tatim fitimi 5% për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor.

Familja dhe fëmijët:

Dua ta mbyll me një paketë masash që në gjykimin tim janë ndër politikat më të kujdesshme dhe një investim tejet pozitiv në afatgjatë për shoqërinë shqiptare: familjet e reja, fëmijët dhe kujdesi për të moshuarit e ata më në nevojë.

Të ardhmen jua kemi borxh fëmijëve, por të tashmen e kemi trashëgim nga ata më të moshuarit, ndaj dhe programi 2030, nuk mund të ishte asnjëherë dot i plotë pa një vëmendje të posaçme të dedikuar për ta.

  • Familjeve të reja ne do t’u ofrojmë 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë.
  • Programi i banesave sociale – në bashkitë e mëdha me prurje të lartë demografike, do të ndërtohen rreth 2000 mijë banesa në vit për familjet të cilat nuk përfitojnë nga paketa e familjeve të reja, përmes një instrumenti të posaçëm të garancisë sovrane nga qeveria. Programi nis brenda vitit 2022 me një fond 100 milionë Euro të Bankës Europiane të Investimeve.

Bonusi i bebeve dhe librat falas për fëmijët, janë dy nga politikat më domethënëse të kësaj maxhorance për fëmijët. 280 mijë nxënës që sot marrin librat falas, janë 280 mijë mendje që ndriçohen çdo ditë në bankat e shkollës, e që nesër do të jenë profesionistët e rinj, mjekët, inxhinierët, arkitektët, matematicienët etj.,  që do t’i shërbejnë vendit.

Në të njëjtën kohë, do të duhet t’i përgatisim brezat e rinj për të qenë konkurrues në realitetin e ri global, ndaj do t’i aftësojmë në gjuhë të huaja që në klasën e parë, në kodim, si dhe do të nxisim orientimin e të rinjve në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, që garantojnë jo vetëm një të ardhme të sigurtë për ta, por edhe zhvillimin dhe konkurueshmërinë e vendit.

  • Ofrojmë 10 mijë lekë /muaj për shpenzimet e çerdhes/kopshtit për familjet me të ardhura deri në 100 mijë lekë/muaj
  • Krijojmë dy programe të dedikuara falas për kujdesin e syve dhe atë oral, për të gjithë fëmijët e moshës 6-15 vjeç
  • Gjuha angleze do të jetë e detyruar që nga klasa e parë e arsimit bazë.

Dhe për gjyshërit, nuk ka asnjë krahasim mes trajtimit të pensioneve në epokën para dhe pas qeverisjes së kësaj maxhorance, por ne jemi të vetëdijshëm që përpjekja e bërë, nuk është sërish mjaft.

Ndaj ne angazhohemi që politikën e bonusit të fundvitit ta kthejmë në një politikë permanente për të furnizuar rritjen graduale vjetore të pensioneve mbi 5% për çdo pensionist.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/