Rritja e çmimeve mbush arkën e shtetit, 284 milionë euro më shumë në 4 muaj! Peshë, të ardhurat nga tatimet e doganat

May 18, 2022 | 16:13
SHPËRNDAJE

Kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë ka prekur xhepat e konsumatorëve, të cilët prej fillimit të këtij viti po përballen me çmime të larta, kryesisht për transportin dhe produktet e shportës.

para

Por situata nuk duket të jetë po kaq gri për arkën e shtetit. Treguesit fiskale për 4-mujorin e parë të këtij viti dëshmojnë se të ardhurat për periudhën janar-prill janë rritur me 34.7 miliardë lekë ose rreth 284 milionë euro më shumë në raport me një vit më parë.

TË ARDHURAT

Peshën më të madhe e kanë të kësaj shtese e zënë të ardhurat nga TVSH-ja e importit dhe TVSH-ja e arkëtuar (neto). “Të ardhurat totale për 4-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 187.8 miliardë Lekë ose 107 % të planit të 4-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhuruat janë rritur me 34.7 miliardë lekë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 165.1 miliardë lekë, 33.2 miliardë ose 25.2% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 10.1 miliardë ose 6.5% më shumë se plani 4-mujor për vitin 2022. Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 65.5 miliardë lekë, 12.7 miliardë lekë ose 24% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 1.9 miliardë lekë ose 3% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 4 mujorin e vitit 2022”, thuhet në raportin e Financave.

Konkretisht, të ardhurat nga TVSH në import rezultojnë 46.6 miliardë lekë, ose 29.7 % më shumë se një vit më parë. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 15.1 miliardë lekë, 1 miliard lekë ose 7.4% më shumë se viti 2021. Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.4 miliardë lekë, ose 81.1% me shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, ose 14.5% më shumë se 4 mujori 2021.

Sa i takon të ardhurave tatimore, konkretisht të ardhurat nga TVSH neto, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e derdhura, për periudhën e parë të vitit u realizuan në masën 99.6 miliardë lekë ose 26% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizua në masën 14.2 miliardë lekë, 7.1 miliardë ose 99.5% më shumë. Rimbursimet për periudhën 4-mujore 2022 janë 3.9 miliardë lekë, ose 63.1% më pak se 4-mujori 2021. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 18 miliardë lekë ose 38.1% më shumë.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 14.7 miliardë lekë, ose 13.7% më shumë. Taksat nacionale për periudhën 4-mujore 2022 u realizuan në masën 14.2 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 20.7% më shumë dhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u realizuan në masën 38.6 miliardë lekë, ose 12.5% më shumë se 4 mujori 2021”, veçohet më tej në raport.

SHPENZIMET

Referuar dokumentit, shpenzimet e përgjithshme publike për muajin e katërt të vitit 2022 arritën në rreth 168.5 miliardë lekë ose 1.3 miliardë lekë me një realizim në masën 95 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 0.4 për qind më i lartë ose 725 milionë lekë më shumë.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale për periudhën 4-mujore kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97.7 për qind dhe 87.5 për qind të planit të periudhës. Niveli i suficitit për periudhën 4- mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 19.2 miliardë lekë nga rreth 1.34 miliardë lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 14.8 miliardë lekë, për periudhën 4-mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ofron 474 shërbime online

Prej 1 majit, gati 95 për qind e shërbimeve ofrohen online përmes portalit e-albania. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se janë 2.5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara, të cilat marrin shërbime ditore, ku mesatarisht brenda një dite pune shërbehen rreth 2000 qytetarë dhe ofrohen rreth 50000 shërbime.

E pranishme në konferencën e nivelit të lartë mbi Evropën Juglindore të organizuar nga OECD, ministrja vuri në dukje se qëllimi i qeverisë është që brenda vitit 2023 procesi i punës brenda administratës të kalojë pa letër, përmes një sistemi të centralizuar. “Kriza e pandemisë COVID-19 përshpejtoi procesin e transformimit dixhital në vendin tonë, si në sektorin privat, ashtu edhe shërbimet e ofruara nga qeveria. Vetëm Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ofron gjithsej 474 shërbime online.

Nga data 1 maj 2022, 95% e shërbimeve publike dhe kërkesave nga të gjithë qytetarët dhe aplikacionet e biznesit janë të disponueshme vetëm online me nënshkrim elektronik dhe të monitoruara në kohë reale. Në total janë 2.5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara, të cilat marrin shërbime ditore, ku mesatarisht brenda një dite pune shërbehen rreth 2000 qytetarë dhe ofrohen rreth 50000 shërbime.

Ambicia e Qeverisë është që brenda vitit 2023 procesi i punës brenda administratës të kalojë pa letër, përmes një sistemi të centralizuar”, tha Ibrahimaj. Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja tha se qeveria është e përkushtuar të vazhdojë me progresin në proceset e dixhitalizimit, duke besuar se kjo rrit standardet e jetesës së qytetarëve dhe e vendos Shqipërinë në hartë, së bashku me vendet dhe ekonomitë e zhvilluara, duke qenë një hap më afër në rrugën drejt integrimit europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura