Rrezikonte mbylljen, fillon rehabilitimi i Teatrit “Migjeni”

Jun 17, 2015 | 13:23
SHPËRNDAJE

Në një gjendje rreziku të vazhdueshëm, aq sa artistët po mendonin seriozisht të ndërprisnin punën, Teatri “Migjeni” më në fund i nënshtrohet restaurimit.

Me një sistem elektrik të amortizuar, i cili nuk ishte rinovuar qysh prej vitit 1958 dhe që nuk mbante më asnjë ngarkesë, teatri paraqiste rrezik zjarri. Në muajin shkurt, drejtori i Teatrit i drejtoi letër urgjente Ministrisë së Kulturës dhe kjo e fundit, në këtë fundsezoni artistik, vendosi të ndërhyjë, duke akorduar një fond prej 86 milionë lekësh, vetëm për fazën e parë.

Prezantimi i projektit që do të shpëtojë një nga institucionet më të rëndësishme teatrore në vend u bë ditën e hënë në qytetin e Shkodrës nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, përpara artistëve vendës, mes të cilëve këngëtarë, aktorë, regjisorë, të majtë e të djathtë, si Bik Ndoja, Gëzim Kruja, Tonin Tërshana, Bruno Shllaku, Fadil Kraja, Alma Hoti Memo, Rita Gjeka, Jozef Shiroka etj., të cilët diskutuan me ministren Kumbaro për probleme të teatrit dhe jetës kulturore në qytet. “Jam shumë e kënaqur që shoh shumë përfaqësues të artit dhe kulturës dhe dua të ndaj një lajm të mirë me ju, i cili ka qenë shqetësim i kahershëm për mua personalisht, por edhe për qeverinë shqiptare, gjendja e rrënuar e Teatrit ’Migjeni’.

Vetëm pak muaj më parë, konkretisht më 4 shkurt 2015, kam marrë një letër të shqetësuar të drejtorit të Teatrit ‘Migjeni’, Edmond Angoni, i cili njoftonte për gjendjen e mjeruar të ndërtesës dhe kushtet teknike, që e bënin të pamundur zhvillimin e aktivitetit artistik”, u shpreh ministrja Kumbaro. Ajo theksoi se që në momentin e marrjes së detyrës ka treguar mbështetje për komunitetin e artistëve, pasi sipas saj “artin nuk e bëjnë politikat, por njerëzit e kulturës, skena nuk është e politikës, por e njerëzve të artit”. Sipas Kumbaros, tashmë projekti është gati, fondi është lëvruar dhe pritet të përfundojë brenda vitit 2015.

PROJEKTI

Faza e parë e projektit të hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, “Gani Strazimiri”, e quajtur edhe faza e shpëtimit, kap vlerën e 86 milionë lekëve. Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin dhe nevojën urgjente për ndë- rhyrje, puna do të nisë me impiantet dhe sistemet teknologjike. Konkretisht, mësohet se do të ndërhyhet në impiantin elektrik, i amortizuar dhe pa asnjë projekt që nga koha e ndërtimit, në impiantin mekanik të skenës dhe në atë të ndërrimit të ajrit. Projekti parashikon edhe ndërhyrje emergjente në sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ku ekspertiza e kryer e gjen jashtë çdo sistemi funksional. Në aspektin struktural do të ndërhyhet në strukturën e mbulimit në holl, skenë dhe sallë.

Elementet arkitektonikë parashikojnë ndërhyrje në çati, ku do të merren masa për vendosjen e kapriatave, binarëve etj. Projekti parashikon ndërhyrje në katin e nëntokës në sistemin e drenazhit dhe në fasadën e të gjithë ndërtesës. Ky fond, i hapur nga qeveria shqiptare, shkon paralelisht me rikonstruksionin e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, faza e parë e të cilave do të realizohet brenda vitit 2015.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura