Rreth kushteve të Albin Kurtit për Serbinë

Nov 2, 2012 | 13:02
SHPËRNDAJE

SHKELZEN GASHI

Në faqen e Vetëvendosjes lexova një intervistë që kryetari i VV-së kishte dhënë për gazetën “Koha Ditore”. Më bënë përshtypje sidomos pesë kushtet që VV i konsideron të domosdoshme për t’ia vënë Serbisë, në mënyrë që të mund të bisedojmë me të.
Kushti i parë është që “…Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë nga Kushtetuta e saj se Kosova është pjesë e Serbisë”. Nuk ka dilemë se Serbia këtë kusht e refuzon kategorikisht. Ajo ka refuzuar kushte nën kërcënimin e bombardimeve të NATO-s, edhe pse ato kushte kanë qenë larg më të favorshme për të, e s’po e refuzon këtë kusht, kur dihet se Kosova nuk ka asnjë mundësi që të ushtrojë trysni mbi të.
Më duket se ky dhe kushtet tjera të VV-së janë qëllimisht të vështira për Serbinë, në mënyrë që të mos kemi negociata. Mirëpo, nuk arrij ta kuptoj si t’i zgjidhim problemet që kemi me Serbinë, nëse jo përmes negociatave. Për shembull, kushti i dytë i VV-së është që “…Serbia të japë informacione dhe të na i kthejë 1,750 të pagjeturit”. Duhet thënë se, sipas të dhënave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Kosovë, prej 1,750 persona të pagjetur, rreth 400 janë joshqiptarë, pjesa dërmuese e të cilëve serbë. Si t’i kthejë Serbia edhe rreth 400 joshqiptarë të pagjetur, kur për ta duhet të japin informacione përfaqësuesit e UÇK-së ose ata të qeverisë së përkohshme të Kosovës? Prandaj, ky problem, në pikëpamjen time, mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave: Serbia duhet të japë llogari për rreth 1,300 shqiptarë të zhdukur, e Kosova për rreth 400 serbë të zhdukur.
Kushti i tretë i VV-së është që “…Serbia të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë me ç’rast i kemi 12,000 civilë të vrarë…”. E para, Libër-kujtimi i Kosovës 1998-2000, përgatitur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, por edhe monografia “Krimet e Luftës në Kosovë, 1998-1999”, përgatitur nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, numrin e civilëve shqiptarë të vrarë në periudhën e luftës në Kosovë s’e nxjerrin as edhe një mbi 8 000 mijë. E dyta, edhe Serbia mund të kërkojë të njëjtën gjë nga Kosova për 1,123 civilë serbë të vrarë në periudhën (janar 1998-dhjetor 1999), prej të cilëve 786 të vrarë pas hyrjes së trupave të NATO-s (12 qershor 1999 – 31 dhjetor 1999).
Prandaj, do të ishte më mirë që të negociojmë edhe rreth kësaj çështjeje, ku më e mira do të ishte që ata që i kanë kryer këto krime të gjykohen nga ndonjë instancë gjyqësore ndërkombëtare. Pas kësaj, do të mund të realizohej kushti i katërt i VV-së, për kërkimfalje, dëmshpërblime, për kthimin e fondit pensional, depozitave bankare, artefakteve kulturore, regjistrave civilë dhe dokumentacionit kadastral. Edhe kushti i pestë i VV-së, që “…Serbia të pushojë së financuari strukturat paralele e ilegale të saj dhe t’i shpërbëjë ato…” nuk ka gjasa të pranohet. Prandaj, Kosova ka dy mundësi: ose të ndërhyjë me forcë e t’i shpërbëjë këto struktura paralele; ose të negociojë me Serbinë për një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë. Për shumë arsye, mundësia e dytë është më e favorshme për Kosovën.
Për fund, sikur të pranoheshin nga Serbia kushtet që po i kërkon VV-ja, nuk do të kishim fare nevojë për negociata. Kjo do të ishte ideale, mirëpo meqenëse Serbia s’i pranon këto kushte, duhet të negociojmë me të që t’i zgjidhim problemet që kemi, jo pse këtë e kërkon bashkësia ndërkombëtare, por sepse kjo është edhe në interesin tonë. Sidoqoftë, problemin më të madh për Kosovën në këto negociata e shoh te Kryeministri i Kosovës, jo veç prej mungesës së tmerrshme të përgatitjes së tij, por edhe për arsye se mbi të mund të ngrihen akuza për krime lufte, përfshi ngarkimin për trafikim organesh, e edhe për pasurim të paligjshëm. Kjo mund të ndikojë që ai të shantazhohet dhe rrjedhimisht të mos jetë në gjendje të ndikojë që parimet udhëzuese të këtyre negociatave të marrin parasysh interesa të Kosovës, e as të kërkojë që temë të këtyre negociatave të jenë edhe çështje me interes për Kosovën. Për më keq, kam dro se në fund të këtij procesi negociator, ai mund të pranojë koncesione të dhimbshme për Kosovën. Prandaj, kishte me qenë ideale që në këto negociata Kosova të përfaqësohet nga një politikan i përgatitur dhe i pashantazhueshëm, siç është kryetari i VV-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura