“Rregullat të zbatohen nga të gjithë”- Ministrja Kushi pas takimit me zyrtarët e Arsimit: Një mijë mësues shtesë gjatë pandemisë

Sep 30, 2020 | 19:08
SHPËRNDAJE

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar se gjatë periudhës së pandemisë në ët gjithë vendin do të shtohen një mijë mësues, për të përballuar në mënyrë sa më të mirë të gjitha nevojat në periudhën e pandemisë.

kushi

Përmes një shënimi në facebook, Kushi ka bërë të ditur se lajmi është dhënë në takimin me zyrtarët arsimorë të të gjithë vendit, ndërsa kërkoi prej tyre shtimin e përpjekjeve për të garantuar se masat anti COVID zbatohen nga të gjithë.

“Sa më rigorozë që të jemi në këtë aspekt, aq më e lehtë do të bëhet edhe sfida jonë e përbashkët për të kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër, dhe njëkohësisht të sigurojmë mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë vit jo të lehtë shkollor”, përfundon Kushi.

Postimi i plotë:

1,000 mësues shtesë për të përballuar nevojat për punonjës arsimorë gjatë periudhës së pandemisë në vitin shkollor 2020-2021, u miratua sot me vendim të Këshillit të Ministrave.

Me këtë lajm e nisa sot takimin me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave arsimore vendore, me të cilët diskutuam mbi mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe zgjidhjen e shqetësimeve të shfaqura gjatë kësaj periudhe. Në këtë kuadër, i falënderova për përballimin me sukses të nisjes së vitit të ri shkollor dhe kërkova që akoma me më tepër përkushtim të mbajnë në vëmendje maksimale respektimin e masave anti-COVID në çdo institucion arsimor, si dhe të shtojnë përpjekjet dhe inspektimet në terren në mënyrë që të garantohet se #rregullat zbatohen nga të gjithë.

Sa më rigorozë që të jemi në këtë aspekt, aq më e lehtë do të bëhet edhe sfida jonë e përbashkët për të kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër, dhe njëkohësisht të sigurojmë mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë vit jo të lehtë shkollor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura