Rrëfimi, si u varros Fiqirete Shehu në Zejmen

SHPËRNDAJE

Fiqirete Shehu
Nëse në ditët e sotme flitet më kollaj për Divjakën e “avionëve” dhe mushkonjave, dikur, një zonë në thellësi të qytetit të Lezhës ishte zhvendosur në qendër të diskutimeve për të zgjuar interesin dhe komentet jo vetëm të banorëve të zonës… Zejmeni është një fshat afërsisht 10 km larg qendrës së Lezhës dhe, për të mbërritur deri aty, nukse ishte një rrugëtim i lehtë. Jo vetëm çështje e infrastrukturës, sa pozicionimit të varrezave të zonës, në thellësi të komunës së Shënkollit, ku po të mos ishte për orientimin e banorëve autoktonë, mbërritja në destinacion mund të kish dalë një përpjekje e dështuar. Dikur, ato varreza kanë qenë banesa e fundit e disa prej personaliteteve më në zë të kohës, deri edhe bashkëshortes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, Fiqiretes. Por, këtë të vërtetë pakkush e dinte, përveç rojtarit të varrezave, Ndue Tarazhi. Ai ka qenë person i parë të cilit në fshehtësi i është rrëfyer ky fakt, nga një punonjës policie, gjatë shkëmbimit të duhanit, siç e lyp zakoni nga ato zona… Ky polic shoqëronte trupin e Fiqirete Shehut, bashkë me tri makina të tjera ditën që atë e sollën në Zejmen të Lezhës. Sot është i biri, Gjeta, i cili na e rrëfen ngjarjen, e cila natyrshëm ishte diskutuar atë mbrëmje në familjen Tarazhi, pa dalë jashtë mureve të shtëpisë. Sepse e gjithë ceremonia formale duhej të kryhej në fshehtësi të plotë, ndërsa varreza u mbyll për tri ditë. Ajo shërbente si banesë e fundit për individët që vuanin dënimin në burgun aty pranë, të cilët ishin të gjithë meshkuj dhe ky është informacion që vjen nga protagonistët e bashkëvuajtësit e kohës. Një prej tyre, i biri i rojtarit të varrezave, dhe ish-i dënuar në një qeli me Dashnor Mamaqin, Gjetë Tarazhi, dikur kapiten anijeje në profesion, rrëfen për kujtimet nga ditët në qeli me Mamaqin dhe brengat e tij për të bijat, sikundër edhe për ceremoninë e “groposjes” me një gur mbi varr dhe një shishe me numër në të, të Fiqirete Shehut. Ndërsa Pjetër Zefi, banori më i moshuar i fshatit, tregon për takimin e befasishëm me Skënder Shehun, historiani Pal Trashaj flet nga këndvështrimi i studiuesit mbi këtë ngjarje të ndodhur në vitin 1988, ku në fshehtësi të plotë u realizua ceremonia formale, me pikësynimin e vetëm, fshehjen e eshtrave të Fiqirete Shehut.

Gjeta Tarazhi, djali i varrmihësit, Ndues
Zoti Gjet, ju jeni banor i Zejmenit, por fatkeqësisht keni provuar edhe burgun famëkeq të tij, cila është historia juaj?
Unë quhem Gjet Ndue Tarazhi. Jam 65 vjeç, lindur e rritur këtu në Zejmen të Lezhës. Kam pasur një jetë të vështirë, sidomos pasi u dënova në sistemin komunist me akuzën e tentativës së arratisjes. Unë drejtoja anijen “10 korriku”, kështu quhej. Patrullimin e kishim vetëm në ujërat e Adriatikut. Siç funksiononte sistemi atëherë, në momentin që pikasej një devijim nga kufiri i ujërave detare shqiptare, edhe pse çdo koordinatë ishte e studiuar sepse asnjë lëvizje nuk bëhej pa leje dhe urdhër të posaçëm, mjaftonte një kleçkë që ata ta konsideronin historinë si tentativë arratisjeje. U dënova në vitin 1976. Për vitet e burgut kam folur gjithmonë me nostalgji, sepse e quaj veten me fat që kam mundur të jem në një qeli me Dashnor Mamaqin për plot pesë vite, kemi fjetur në një dyshek. Më pas, aty në burg kam njohur edhe Todi Lubonjën, Kasem Trebeshinën etj., që ishin figura të njohura për kohën.

Çfarë kujtimesh ruani nga Dashnor Mamaqi?
Në burgun e Ballshit, qelia jonë quhej “qelia revizioniste”, domethënë ishim grupi më i rrezikshëm, dhe ndaj kishim një vend më të spostuar se të tjerët. Unë isha më i riu në moshë, bashkë me Hajredin Kapon, nipin e Hysni Kapos. Për Dashnor Mamaqin ruaj kujtimet dhe respektin më të madh, pasi ai ishte njeri i veçantë, mbi të gjitha shumë i zgjuar. Më fliste hapur për shqetësimet e tij, më shumë për brengën që mbante për të bijat. Në një farë mënyre dukej sikur ndihej fajtor për pasojat që ato patën… Kozetën e kishte pikë të dobët, sidomos edhe për faktin që atë e kishte ndarë i shoqi për çështje biografie, pra burgosjen e Dashnorit. Ajo ishte në Vlorë e internuar, ndërsa vajza tjetër ishte operatore dhe punonte në Tepelenë. Nuk ishte natyrë e mbyllur, pasi i qante hallet, kryesisht për familjen, të bijat. Gjithashtu, ai ishte ndër njerëzit më të informuar aty në burg, lexonte gjithë kohës. Në burg diskutohej edhe nga intelektualë të tjerë fakti që Dashnori pretendohej të kish qenë një nga njerëzit më të përgatitur në qeverinë e Enver Hoxhës.

Ai ndërroi jetë në burgun e Zejmenit për t’u varrosur më pas në varrezat e fshatit, apo jo?
Dashnori ndërroi jetë në burgun e Zejmenit, që i përket komunës së Shënkollit. Im atë ka qenë në profesion rojtar i varrezave dhe varrmihës sa herë që nevojitej. Pasi ngjarja u mbajt shënim në regjistrin e burgut, Dashnori nuk u varros, por u gropos të themi… Sepse ai u hodh në një gropë, ku u vendos vetëm një pllakë mbi varr dhe një shishe me nr. 13, atë numër që ai kishte mbajtur si i burgosur gjatë viteve të dënimit. E mbaj mend shumë mirë, pasi kemi fjetur në një dyshek për pesë vite rresht. Ishte shumë e trishtë si ngjarje, sepse duke qenë e gjithë familja e shpërndarë në internime, nëpër rrethe të ndryshme të Shqipërisë, ai u gropos nga një punonjës i burgut, ndërsa im atë ndihmoi gjatë procesit, prandaj dhe e kam të fiksuar kur ma tregoi më pas kur u kthye në shtëpi. Pasi unë isha liruar nga burgu…

Duke qenë djali i rojtarit të varrezave të Zejmenit, a ishit në dijeni të faktit që po në atë vend u varros më pas Fiqirete Shehu?
Asnjeri nuk e ka ditur këtë fakt, përveç babait tim, pasi edhe atij ia tregoi në konfidencë një nga punonjësit e burgut të Tiranës, që shoqëronte kufomën atë ditë… Kush ka hyrë në këto varreza, për të kryer ceremonitë mortore ose për të kujtuar të afërmit që kanë ndërruar jetë, nuk e kanë ditur që aty prehej e shoqja e Mehmet Shehut.

Ç’ju ka treguar babai rreth kësaj ngjarjeje?
Zejmeni është thuajse fshat i vogël, me afërisht 700 banorë. Varreza e fshatit ishte e projektuar për të burgosurit që ndërronin jetë në burgun e Zejmenit, i cili ka pasur vetëm burra. Dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë, pasi jo vetëm kam qenë një nga bashkëvuajtësit aty, por edhe banor i zonës. Ky ishte një burg i vogël, i ndarë në tri godina, një për personalitetet, një për të burgosurit nga radhët e ushtrisë ose Ministrisë së Mbrojtjes, dhe tjetri për njerëzit e thjeshtë, të dënuar për krime nga më ordineret. Pra, fakti që ka pasur vetëm burra, ndërsa varrezat e fshatit ishin më poshtë, domethënë për banorët e thjeshtë, e komplikon situatën… Atë ditë erdhën tri makina me targa të Tiranës dhe ata ishin punonjës të burgut, si edhe disa njerëz të Sigurimit. Im atë që ishte rojtar, u nxor menjëherë nga varrezat dhe vendi u rrethua i gjithi, ndërsa varreza u mbyll për tri ditë rresht. Gjithçka u krye në fshehtësi, ndërsa babai duke qenë punonjës i vëzhgonte nga aty afër.

Ju thoni që u mbyll varreza për tri ditë… Nuk ngjallte kjo dyshim, apo kuriozitet te banorët e fshatit?
Duke shërbyer si banesë e fundit për personat e dënuar, që ndërronin jetë në burg, nuk ndodhte që të kishte humbje jete përditë… Ky burg ishte i vogël për nga madhësia e numri i të dënuarve, ndaj dhe nuk ra në sy kjo situatë.

Po si u morr vesh që aty po varrosej Fiqirete Shehu?
E gjithë situata ishte e studiuar mirë dhe qëllimi ishte vetëm një: zhdukja e eshtrave të Fiqiretes. Sepse, duke qenë varrezë për të dënuarit në burgun e Zejmenit, të cilët ishin vetëm burra, nuk mund të kuptohej që aty prehej edhe një femër… Babai ma ka shpjeguar çdo gjë me detaje e, disa ditë më vonë, unë kam shkuar vetë dhe e kam parë nga afër vendin. Duke qenë se varreza u mbyll për tri ditë dhe procesi u krye në fshehtësi, madje sipas tim eti ata nuk donin të merrej vesh nëse procesi do kryhej natën apo ditën, babai e mësoi këtë fakt, kur ditën e parë që punonjësit e burgut erdhën aty, njëri prej tyre, një polic, shkëmbeu një cigare me babanë, dhe në fshehtësi, me mirëbesim, i kish thënë që ka vdekur Fiqirete Shehu dhe donin ta groposnin këtu… Nëse ai do të tregonte, pasojat diheshin, ndaj dhe lajmi u izolua menjëherë nga familja jonë.

Cila ka qenë arsyeja që e shoqja e ish-kryeministrit të vendit u varros në Zejmen të Lezhës, ndërkohë që ndërroi jetë në burgun e Tiranës?
Ata e sollën trupin e saj nga Tirana menjëherë këtu në Zejmen, për të mos e ditur se ku preheshin eshtrat e saj… Është e kuptueshme, kjo ishte varrezë vetëm për të dënuarit e burgut të Zejmenit, të cilët ishin burra të gjithë, dhe nuk mund t’i shkonte ndërmend njeriu që aty kishte dhe një grua. Njësoj si edhe në rastin e Dashnor Mamaqit, edhe Fiqiretja kishte një gurë mbi krye dhe një shishe me numër brenda, për të mundësuar identifikimin vite më pas, kur ndonjë nga familjarët do ta kërkonte për ta zhvarrosur.

Pas Dashnor Mamaqit, Fiqirete Shehut, edhe një tjetër personazh i njohur, si kontesha daneze Ollga Libohova, u preh për vite me radhë në të njëjtin vend, apo jo? A ishte kjo një rastësi?
Kemi dëgjuar shumë histori për Ollgën, jo vetëm se ajo ka qenë për vite me radhë banore e fshatit, si e internuar në kampin e Zejmenit të Lezhës, me vendndodhje më larg se burgu. Ajo jetoi shumë vite aty, deri ditën që vdiq. Ishte grua fisnike e me kulturë të gjerë. Këtë e thonë ende sot banorët më të vjetër të Lezhës, pasi ajo ka lënë pas kujtime shumë të bukura. Ndryshe nga rasti i Fiqiretes, ajo u preh në varrezat e Zejmenit, sepse ishin vendi më i afërt me shtëpinë ku ajo kishte jetuar, ndërsa i shoqi i kishte vdekur shumë vite më parë e familja ishte e internuar, e shpërndarë.

Pjetër Zefi, banori më i moshuar i fshatit Zejmen
Si i gjeti eshtrat e së ëmës Skënder Shehu

Duke qenë një fshat i vogël, me pak familje, nuk është e vështirë të gjesh pikëlidhjen me atë që sot mund të jetë ndër personat më të moshuar të Zejmenit të Lezhës. Pjetër Zefi është tek të 80-at, dhe një ndër pleqtë e zonës, me banim më afër varrezave të Zejmenit. Historinë e groposjes së gruas së ish-kryeministrit Mehmet Shehu ai e mësoi pas rënies së sistemit komunist, disa vite më vonë, pikërisht në ditën kur do të ishte rastësia që e takoi me djalin e dytë të Mehmet Shehut, Skënderin…

Si u takuat me djalin e Mehmet Shehut?
Ishte rastësi takimi me të… I ngjante shumë të atit. Pasi m’u prezantua si djali i filanit, më tha: Na ka vdekur nëna në burg, e kemi të dhëna, por jo të sigurta, se gjendet këtu në varrezat e Zejmenit. Më pyeti nëse mund ta shoqëroja te shtëpia e rojtarit të varrezave, Ndues, babait të Gjetës dhe, duke qenë se me shtëpi ishim afër, e çova tek ai.

Dukej i shqetësuar?
Gjatë rrugës bëmë një bisedë të shkurtër. Kishte kaluar vite të tëra në burg dhe nuk ishte një jetë e lehtë. Ai më tha se nuk ishte i sigurt nëse ishte aty, sepse po të kishte qenë ndryshe, do e kishte marrë kazmën vetë dhe, bashkë me të vëllanë, Bashkimin, do i kishin zhvarrosur vetë eshtrat e të ëmës. Ndaj, pasi kishte pyetur në burgun e Tiranës, nëse ishte mbajtur ndonjë regjistër me të dhënat për vdekjen e Fiqiretes, nuk kishte marrë informacion të saktë. Kishin pyetur në shumë të njohur, ish-të burgosur dhe, sipas fjalëve të tyre, u ishte thënë që Fiqiretja ishte groposur në Zejmen, në varrezën për të dënuarit, që ndërronin jetë në burg, të cilët ishin burra të gjithë.

Pra, Skënder Shehu nuk vinte direkt në Zejmen, për të marrë eshtrat e nënës së tij?
Kishin kërkuar edhe në qytete të tjera, në varreza që kishin qenë afër burgjeve, ose në ato vende ku ishin gjetur në vite eshtra të paidentifikuara. Familjarët e Fiqiretes nuk e dinin ku preheshin eshtrat e saj, ndaj dhe erdhën për të pyetur në fshat, pasi kishin marrë orientime. E çova në shtëpinë e rojtarit, dhe ai më pas i tregoi vendin e saktë.

Cili ishte përjetimi i tyre?
Pasi u saktësua për vendin, Skënderi erdhi më pas, bashkë me të vëllain për të zhvarrosur eshtrat e Fiqiretes. Ishte një ceremoni e thjeshtë e prekëse, sepse djemtë takoheshin jo më për së gjalli me nënën e tyre.

Pal Trashaj
Historiani Pal Trashaj: Nuk e dinim që Fiqiretja prehej këtu
Prehja e eshtrave të Fiqirete Shehut, në Varrezat e Zejmenit të Lezhës, jo pse ai është ndër banorët e zonës, por e konsideruar edhe në aspektin studimor, për Pal Trashajn ka qenë ndër ngjarjet, që u mbajt e izoluar për vite më radhë. U desh “ora” e rrëzimit të sistemit të diktaturës, që e vërteta e groposjes së eshtrave të bashkëshortes së ishkryeministrit Mehmet Shehu, pasi ajo ndërroi jetë në burgun e Tiranës, të dilte në dritë, e të bëhej e njohur, sidomos pasi në fshat u përhap lajmi se kishin ardhur djemtë e Mehmet Shehut për të zhvarrosur eshtrat e nënës së tyre. “Me aq sa e kam njohur si ngjarje, në këndvështrimin tim, të gjitha këto tentativa për të zhdukur eshtrat e personaliteteve të sërës së Fiqiretes, kanë qenë triblime boshe të atij sistemi. Megjithatë, tentativa ka qenë e pastër, duhej që atyre të mos u mbetej nam e nishan… Prandaj edhe Fiqiretja është sjellë enkas në këtë varrezë, e cila ka shërbyer për të dënuarit që ndërronin jetë brenda në burgun e Zejmenit, i cili ka qenë vetëm për burra. Kujt mund t’i shkonte mendja që në një varrezë të tillë të groposej edhe një grua, si ajo e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Ne, si banorë të zonës, nuk e kemi ditur asnjëherë që aty prehej Fiqiretja, sepse kishte varreza të tjera më poshtë për banorët e fshatit. Këto quhen varrezat Gajush të Zejmenit të Lezhës, pra që ishin për të dënuarit në burg. Prandaj, që të mos merrej vesh vendndodhja, zgjidheshin vende humbëtira, për të zhdukur gjurmët. Nëse djemtë e Mehmetit do të kishin informacion të saktë, nuk do të kishin pyetur se ku mund të kërkonin për eshtrat e nënës së tyre. Ndërsa prehja e Dashnor Mamaqit dhe konteshës daneze, Ollga Libohova, janë pjesë e rastësisë, fakti që ato vinin pas dënimit në burg e jetës në kamp internimi, ndaj dhe banesa e fundit u takonte aty”, përfundon Trashaj.

ERMIRA ISUFAJ

Te lidhura

 

2 KOMENTET

Comments are closed.