Rrëfimi i truprojës: Orët e rrezikut në Lushnje, ç’bëri Tritan Shehu kur i thamë se kishte ardhur e shoqja

SHPËRNDAJE

Selaudin Bejaj, ish-oficeri i Gardës së Republikës,  hedh dritë mbi mbrëmjen e vështirë të 24 janarit, nga ku nisi edhe rebelimi i madh i ‘97-ës.

bejaj

Ai tregon ne nje interviste ne ‘Gazeta Shqiptare’ flet për përjetimin e asaj nate, që u kthye në rrezik për të gjithë, nisjen nga Tirana me ish-zëvendëskryeministrin, njëherësh kryetar i PD-së, Tritan Shehu, për protestën në Lushnje, rrethimin në stadiumin e qytetit, sulmin mbi ta e deri tek leva që goditi ish-shefin e tij.

Bejaj tregon për shmangien e gjakderdhjes, pasi turma ishe e armatosur, edhe pse depot nuk ishin hapur akoma.

Ish-truproja e Tritan Shehut thotë se ishin të detyruar që të lironin të burgosurit që të qetësonin njerëzit e irrituar, ndërkohë që negociatat mes palëve bëheshin gjithnjë e më të vështira. Pas shumë orësh tensioni ku rreziku i jetës ishte më afër se kurrë, mundën të çajnë rrethimin përmes një helikopteri të ardhur enkas nga Tirana…

Z.Bejaj, çfarë mbani mend nga mbrëmja e 24 janarit 1997 në Lushnjë, nga ku nisi edhe revolta e madhe në mbarë vendin pas falimentimit të firmave piramidale?

Në datën 24 janar stacionet televizive të vendit dhe të huaja jepnin pamje rrënqethëse, ku turma të mëdha njerëzish bënin akte vandale si thyerje xhamash të dyqaneve, ndërtesash, përmbysje dhe vënie zjarri makinash dhe akte të tjera rrugaçërie, që nuk kishin ndodhur për vite të tëra.

…Dhe si ishte e nesërmja e 25 janarit të ‘97-ës në qytet?

E nesërmja, ose 25 janari do t’i kalonte parashikimet e asaj që do të ndodhte. Siç e thashë edhe me lart, mbrëmjen e 24 janarit, Policia e Shtetit kishe bërë disa arrestime të personave, të cilët ishin organizatorët e këtij rebelimi. Për të qetësuar situatën, strukturat e larta shtetërore kishin menduar që personat e arrestuar atë mbrëmje të liheshin të lirë, duke i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, ku prezent do të ishte edhe z.Shehu. Situata mëngjesin e asaj dite ishte inkandeshente, turma të mëdha njerëzish kishin mbushur sheshin para bashkisë dhe komisariatit të Lushnjës dhe pritej nga momenti në moment t’i sulmonin veçanërisht komisariatin, gjë që mund të krijonte gjakderdhje.

Në atë situatë të vështirë, si u prit vajtja në Lushnjë e ish-kreut të PD-së, z.Tritan Shehu?

Siç më shpjegoi më vonë z.Shehu, ai u ul në stadium, se kështu të mund të tërhiqte protestuesit nga komisariati po ta sulmonin, që potencialisht do të krijonte viktima. Rreth orës 10:00 sekretarja e zotit Shehu më bën me dije se zoti Shehu do të shkonte në Lushnje, lajme befasues për mua, që e dija si ishte situata atje. Lajmërova informacionin e Gardës së Republikës dhe i them se z.Shehu do të shkojë në Lushnjë. Edhe ata të alarmuar më thanë se është e pamundur vajtja atje. Nuk mund të merren masa sigurie, aq më tepër policia nuk mund të përballonte një situatë në atë moment tepër të vështirë.

A ia bëtë prezente situatën dhe si reagoi z.Shehu?

Futem në zyrë dhe i komunikoj pamundësinë e vajtjes në Lushnjë për arsye sigurie. Z.Shehu nuk priti që unë të vazhdoja t’a informoja për situatën, pasi ishte informuar dhe nga burime të tjera dhe shkurt më thotë: “Ti nuk do të vish në Lushnjë me mua”. Të ishte në një situatë normale edhe mbase nuk do të ngulja këmbë, por në ato kushte nuk mund të pranoja një sugjerim të tillë. Z.Shehu e përsëriti 2-3 herë këtë me arsyetimin sikur në helikopter nuk kishte vend për mua. Por unë këmbëngula dhe ai në fund pranoi, por më porositi që armatimin të mos e merrja me vete.

Përse nuk donte që ta shoqëronit dhe si u organizua nisja drejt Lushnjës?

Këmbëngulja e z.Shehu për të mos e shoqëruar në atë situatë aq të vështirë kishte të bënte me rrezikun e jetës sime, kurse për veten e tij e kishte marrë parasysh çdo rrezik të mundshëm. Nisja u bë nga fusha aviacionit rreth orës 10:30. Në helikopterin e parë ishte z.Shehu, z. Blerim Çela, që vazhdoi për në Tepelenë, ministri i Drejtësisë i asaj kohe dhe unë. Në helikopterin e dytë ishin drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit dhe në të tretin ishin personat që ishin arrestuar një ditë më parë. Kur u afruam mbi qytetin e Lushnjës nga lartë pamja ishte tronditëse, protestuesit ishin gati të sulmonin komisariatin dhe Bashkinë e qytetit të Lushnjës.

Cila ishte situata në ato momente?

Turma duke parë helikopterët filloi të lëvizte drejt stadiumit, se aty do të bëhej zbritja. Të arrestuarit pasi zbritën në stadium, u lanë të lirë me qëllim që edhe turma të qetësohej duke parë se ata po liroheshin. Shehu porositi që helikopterët të ngriheshin e të mos qëndronin më në fushë. Nuk kaluan shumë minuta dhe protestuesit, që ishin të shumtë në numër dhe të revoltuar tej masë, u afruan pranë stadiumit. Në këtë moment z.Shehu hipi në shkallët e stadiumit, filloi t’u fliste dhe t’i qetësonte duke i shpjeguar edhe qëllimin e ardhjes aty. Grupe të ndryshme njerëzish dëgjonin fjalimin e z. Shehu, dikush kërkonte qetësi për të dëgjuar, të tjerët shanin e bërtisnin. Kishte edhe nga ata që për të irrituar protestuesit, provokonin duke bërë gjeste nga më të ndryshmet, stimulonin duke goditur njëri-tjetrin, kishte edhe nga ata që i binin murit me kokë. Në të tilla kushte aspak normale, fjalimi ishte i pamundur.

Në atë kohë u fol se dikush tentoi ta godasë me levë në kokë z.Shehu. Si është e vërteta?

Një ngjarje e rëndë ndodhi atëherë kur një protestues pasi ishte afruar panë nesh, tentoi të godiste nga mbrapa e në befasi me një levë në koke z. Shehu. Në këtë çast një oficer i policisë, Adriatik Haxho, i cili në atë kohë ishte me shërbim në Lushnje e qëndroi më tej me ne deri në darkë kur çdo gjë përfundoi, ngre dorën mbi kokën e z.Shehu duke devijuar levën me krah, e cila kështu veçse i fshiku kokën Tritanit, duke e plagosur jo rëndë e i përfundon në shpatull. Në këto kushte, të ndihmuar edhe nga një grup jo i vogël të rinjsh lushnjarë, që u mblodhën dhe na rrethuan, u futëm të gjithë për në ambientet e stadiumit. Tashmë aty brenda ishim rreth 30 veta, djem nga Lushnja, Karbunara, disa punonjës të SHIK-ut.

Si mundët të çanit rrethimin për t’u rikthyer në Tiranë?
Për t’u larguar në drejtim të Tiranës ishte e pamundur, pasi automjetet mungonin. Sheshet dhe rrugët e qytetit ishin të tejmbushura me protestues, të cilët në kor bërtisnin dhe hidhnin parulla të ndryshme, duke sharë çfarë t’u vinte për mbarë. Minutat dhe orët kalonin, por situata ishte po aq e tensionuar me njerëz që kishin mbushur fushën e stadiumit sa edhe forcat policore nuk mund të vinin për ndihmë ato momente. Kishte grupe të ndryshme protestuesish që kërkonin të negocionim, dërgonin përfaqësues që bisedonin brenda me Shehun, duke kërkuar gjëra që ishin të pamundura për t’u realizuar atëherë.

Dua të theksoj gjithashtu që për të parë situatën erdhi me guxim aty ku ishim ne edhe gazetari M.Nazarko, me të cilin biseduam. Në një moment z.Shehu e kuptoi shqetësimin e madh që unë kisha. Më thërret pranë vetes dhe më këshillon që mos të bie pre e provokimeve të tyre, se acarimi më i vogël i situatës do të bënte që turma të irritohej dhe situata do të dilte jashtë kontrollit.

Në fakt, një pjesë e njerëzve tanë, që ishin me ne në ambientet e stadiumit ishin të armatosur, ndërsa në turmë nga sa u informuam kishte jo më shumë se 7-8 veta më armë primitive, sepse në atë kohë nuk ishin hapur akoma depot e armëve. Shqetësimi më i madh i Shehut ishte se mos dikush nga ne nën presion psikologjik qëllonte jashtë, gjë që do të krijonte viktima, prandaj ai vazhdimisht i qetësonte të gjithë. Strategia e tij siç më tha, ishte të kalonte kohë kështu pa përplasje të tilla, deri sa njerëzit të fillonin të shpërndaheshim e më tej në të mund të largoheshim qetësisht.

Si do ta kontrollonit turmën e irrituar, e cila ishte dhe e armatosur?
Pikërisht për të kontrolluar gjendjen e turmës ne vendosëm poshtë, nga jashtë dritareve tona, dy persona për të na lajmëruar për çdo të papritur. Pasi kaluan disa orë në këtë tension të lartë, z. Shehu lidhet nëpërmjet radios që na e sollën efektivë policie me Tiranën për t’i informuar për situatën në ambientet e stadiumit, duke i kërkuar të mos ndërhynin nga jashtë dhe duke i siguruar që gjendja brenda ambienteve ishte pothuajse e sigurt.

Gjatë këtyre bisedave ishte diskutuar për mundësinë e ardhjes të një helikopteri, i cili do të bënte evakuimin tonë drejt Tiranës, gjë për të cilën Shehu nuk ishte shumë i bindur.

Megjithatë, në një çast na njoftuan se helikopteri po vinte. Në këtë moment ne duhej të bëheshim gati që në kohën kur helikopteri do të ulej në stadium, ne të shkonim drejt tij me qëllim realizimin e këtij largimi. Në momentin kur helikopteri po bënte uljen, njerëzit u hapen nga frika se mos në helikopter mund të kishte forca policie, të cilët mund të ishin të pajisur me armatim. Por, kur e panë që ndodhej vetëm piloti, u turrën në drejtim të helikopterit ku dhe ne ishim afruar shumë pranë. Në këtë situatë z.Shehu kishte frike se mos ndonjë nga turma godiste helikopterin dhe kjo do të rrezikonte jetën tonë dhe të atyre që ishin afër nesh. Bëhet fjalë edhe për vetë protestuesit që ishin ngjitur me ne dhe për këtë arsye më thotë që t’ia bëj me shenjë pilotit që të largohet.

…Dhe si u mbrojtët?

Kthimi nga fusha drejt ambienteve ku ne do të shkonim përsëri ishte një situatë e vështirë, sepse njerëzit na kishin rrethuar, por sidoqoftë të mbrojtur nga grupi i ynë, që tashmë ishte shtuar në numër, u futëm në ambientet e stadiumit nga ku përpjekjet e menjëhershme për t’u larguar ishin të pamundura.

Pas pak minutash në ambientet ku ishim, vijnë dy mjekë të spitalit të Lushnjës, miq të z.Shehu, të cilët i atij bënë mjekimin e plagës së kokës të marrë që në fillim. Me kalimin e orëve dhe me fillimin e errësirës, ashtu siç e kishte parashikuar Shehu, turma dhe protestuesit filluan të largoheshin nga stadiumi. Në një moment një person, të cilin unë e njihja vetëm si fytyrë, më afrohet dhe më thotë që në hyrje të Lushnjës kishte ardhur Aida, gruaja e z.Shehu, e cila ishte shumë e shqetësuar nga lajmet që mediat dhe radiot transmetonin.

Më thotë gjithashtu që të ardhur nga Tirana aty afër, së bashku me atë, janë edhe rreth 20 persona, miq të Shehut, të armatosur e të gatshëm për të ndërhyrë. I them personit që z.Shehu është mirë me shëndet e i sigurt, prandaj të mos bëhet merak. Këto lajme ia transmetova dhe z.Shehu, i cili edhe ai ishte në merak të madh. Ai më tha që askush të mos ndërhyjë dhe se duhet pritur akoma.

Si mundët të çanit shtetrrethimin?
Mbas një farë kohe, kur pothuaj ishte errësuar lajmërohemi se jashtë stadiumit, në fakt poshtë dritares sonë, ishte vendosur prej disa kohësh shoqëruesi tjetër i z.Shehu, Sefer Shata, i cili me disa oficerë të policisë dhe të forcave speciale, të gjitha pa uniformë, kishin bërë të mundur sjelljen e tri automjeteve me të cilët do bëhej largimi i z.Shehu në drejtim të një helikopteri, që do të ulej në afërsi të qytetit të Lushnjës, në drejtim të Fierit. Dhe kështu u veprua pas pak kur turma ishte rralluar. Me t’u dhënë sinjali, u fikën dritat e zonës dhe ne u nisëm mes për mes fushës së sportit dhe dolëm anash stadiumit ku priste një makinë. Të tjerat ishin pak metra më larg. Tashmë në stadium kishte më pak njerëz dhe nuk përbënin rrezik për largimin tonë drejt automjetit e më tej drejt fabrikës së plastmasit. Sa kaluam drejt Fierit, Shehun e njoftojnë me radio se Aida nuk ishte nisur akoma drejt vendit të helikopterit, por ishte diku te sheshi në dalje të Lushnjës me miq të Tritanit. Në këto kushte ai na thotë që do të rikthehemi në Lushnjë me të gjitha makinat e njerëzit që kishim për të marrë Aidën.

Dhe kështu bëmë në të vërtetë. U kthyem afër stadiumit. Aida që na priste në një pikë të përcaktuar hipi në makinë dhe vazhduam drejt helikopterit që u nis më tej për Tiranë.

Grupet e tjera të ardhura nga kryeqyteti u kthyen me makinat e tyre pa probleme. Kjo është e vërteta e kësaj ngjarjeje, që ka lënë një ndjesi jo të mirë për të gjithë ne, që e përjetuam direkt dhe falë menaxhimit dhe gjakftohtësisë së z.Shehu bëri që kjo ngjarje të kalonte pa pasoja të rrezikshme për ne, por edhe për protestuesit, të cilët për hir të vërtetës nuk mund t’i paragjykosh, sepse jo të gjithë ishin agresorë.

Rreth kësaj ngjarjeje kam dëgjuar komente dhe histori të ndryshme nga media dhe gazetarë, të cilët kanë shkruar gjëra, që janë thjesht mashtrime dhe spekulime. Këto media dhe gazeta, normalisht jo të gjitha, por një pjesë e mirë e tyre u bënë palë me protestuesit, të cilët në vend t’i qetësonin që situata të normalizohej, bënë të kundërtën.

(Gazeta Shqiptare)

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

3 KOMENTET

Comments are closed.