INTERVISTA/ Enki Bracaj, vajza që jep lajmet me gjoks jashtë: Ja si më komentuan

Jul 5, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Me pult në dorë, Enki Bracaj bën zapping në studiot e televizionit më të ri “Zjarr”, ndërsa i drejtohet audiencës me fjalët: E shikoni? Asgjë ndryshe në ekranet tona, ndaj atë gjënë ndryshe vendosa t’ua sjell me emisionin “360 gradë”.

Enki Bracaj

Në këtë emision jep lajmet kryesore, me xhaketë të hapur, ndërsa nxjerr në pah gjoksin zbuluar. Në këtë mënyrë, vajza 21-vjeçare, që s’është marrë kurrë më parë me televizion, fton publikun ta ndjekin në formatin ndryshe dhe që thyen të gjitha tabutë në Shqipëri.

Po kush është spikerja më e guximshme e lajmeve, nga vjen dhe ku ka synim të shkojë? Gjithçka për veten dhe televizionin më të përfolur të momentit, ajo i tregon në këtë intervistë të parë të saj për gazetën “Panorama”.

Je spikerja e parë e lajmeve në historinë e televizionit shqiptar, që bëhesh e famshme për pak ditë, pasi jep lajme me gjoks zbuluar. Mund ta nisim këtë intervistë me prezantimin?
Po, mua më quajnë Enki Bracaj, jam 21 vjeçe dhe vazhdoj studimet në Marrëdhënie Komunikimi me Publikun. Jam nga Skrapari dhe jetoj në Tiranë.

Ke tentuar të hysh botën e televizionit më parë?
Kam tentuar pa fund të hyj në botën e televizionit, duke trokitur në disa media, por kam konstatuar se ka qenë shumë-shumë e vështirë për të depërtuar.

Dhe gjen punë te “Zjarr TV”. Vetëm 21 vjeç dhe shumë e guximshme për të pranuar një ofertë të tillë. Nuk të duket se ke rrezikuar paksa?
Jam shumë e sigurt që çdokush që do të ishte në vendin tim, pa dyshim që do e kishte pranuar një ofertë të tillë pune. Shumë vajza e kanë dëshiruar ta bëjnë këtë që bëra unë, por u ka munguar guximi. Unë e gjeta atë guxim dhe ja ku jam…

Kush ta bëri ofertën?
Pronari i televizionit “Zjarr”, Ismet Drishti. Më saktë, dëgjova që kërkoheshin spikere lajmesh për këtë televizion të ri në treg dhe shkova për të aplikuar. Pati shumë vajza që plotësuan formularin e aplikimit si unë, por pak prej nesh i përmbushnin kriteret.

Pse, cilat ishin kriteret që duhet të plotësonte një spikere e tillë dhe çfarë pyetjesh përmbante aplikimi? Kriteret që kërkohen nga çdo televizion, që shpall audicione. Kryesorja ishte aftësia për të komunikuar me publikun dhe me kamerat.

Forma apo madhësia e gjoksit ishin kriter, duke pasur parasysh që ekspozimi i tij është risia që sollët në ekranin shqiptar?

Jo. Askush s’na zgjodhi për formën e gjoksit.

Pra, do të ishit përzgjedhur edhe me një gjoks të varur apo inekzistent?

Besoj po, pasi dhe ajo transparencë do ishte. Pra, i përmbahej filozofisë së televizionit për transparencë në informim.

Të japësh lajmet e zhveshur, sa e vështirë është?

Dua të theksoj që veshja jonë është skenike dhe nuk mund të quhemi “të zhveshura” në ekran, përderisa kemi xhaketën sipër. Ndaj nuk më shkakton problem.

Jeni pa recipeta, shumë provokuese apo jo?

Normale pa recipeta. Dua të sqaroj që veshja e përdorur quhet dekolte drejtkëndësh, të cilën jemi mësuar ta shohim kudo në ekranet tona. Por jam çuditur nga vreri që kanë nxjerrë për ne në rrjetet sociale imoralët që shesin moral.

Ne nuk paragjykojmë një vajzë që del në qendër të Tiranës e veshur si në plazh, dhe paragjykojmë një vajzë, pra mua në rastin konkret, që shfaqet me dekolte në televizion. Në fund të fundit është skenike e gjitha… Në rrugë s’do dilja kurrë.

Po dhe aq normale sa të duket ty nuk është apo jo për një spikere lajmesh?

Unë them t’ia lëmë më mirë në dorë publikut nëse është normale apo jo. Përderisa lajmi për ne ka bërë xhiron e botës, duke u cilësuar si risi, do të thotë se kjo është risi. Kuptova që vetëm portalet shqiptare na kanë komentuar keq, apo na kanë sharë. Mediat e huaja na kanë vlerësuar.

Askush nuk u ka shpëtuar komenteve pas zhveshjeve në publik, as ju. Mos ndoshta mungesa e eksperiencës ju bën të çuditeni nga komentet?

Unë nuk e bëra që njerëzit të diskutojnë çfarë numri e kam gjoksin, çfarë forme gjoksi kam etj. Nga kjo eksperiencë kuptova një gjë, që njerëzit këtu i shohin gjërat në mënyrë shumë sipërfaqësore.

Pse, cila është filozofia e kësaj mënyre ekspozimi?

Unë jam një nga spikeret e emisionit të lajmeve “360 gradë”. Ideja dhe mesazhi që sillet me xhaketën e hapur sipër gjoksit, është një lloj revolte e jona ndaj mediave në Shqipëri, të cilat shiten politikisht sa majtas dhe djathtas. Hapja e xhaketës është simbolikë e shprehjes së transparencës nga ana jonë, pra gjithmonë për lajmin e vërtetë.

Cilët janë politikanët, që e meritojnë transparencën tuaj?

E meriton publiku, jo politikanët. Me ta nuk merrem. Tani që punoj në televizion përpiqem të jem sa më e informuar me lajmin, vetëm kaq.

Do jetë e mundur që një politikan të jetë në studion tënde? Do ishte e realizueshme një intervistë e tillë? Është problemi i tij, jo yni, nëse nuk do të mundej. Ne nuk pranojmë persona që vuajnë nga zemra, por ftesa mbetet e hapur për këdo që do të vijë në studio. Mendon se do të ndihet rehat përballë jush? S’ka pse të mos ndihet rehat. Mirë është të dëgjojë atë që unë them, jo të më shohë…

Për të qenë në kushte të barabarta me ju, edhe të ftuarit duhet të jenë po aq të zhveshur?

Jo, ne nuk detyrojmë askënd për mënyrën e të veshurit.

Cila është pika jote më e fortë për të qenë një imazh televiziv?

Guximi dhe kokëfortësia për të arritur atë që dua.

Ndonjë talent?

Talent besoj që kam mënyrën e komunikimit.

Gjoksi është pika jote më e fortë?

Jo. Nëse do të ishte për gjoksin, do të ishin marrë në punë vajza që kishin kriter gjoksin.

Dy arsyet kryesore pse ke pranuar, mund të jeta etja për famë të menjëhershme dhe pagesa shumë e mirë? Sa paguhesh?

Pagesa është e kënaqshme, por unë s’e kam bërë as për famë, sepse, po të ishte kështu, do e kërkoja famën në një televizion të madh dhe jo një televizion të vogël si “Zjarr TV”. Sa për pagesën, unë jam fillestare në tregun e gazetarisë dhe nuk mund të pretendoj pagesë të majme vetëm se kam nxjerrë gjoksin. Ndihem e kënaqur me pagën, kaq!

Po e lumtur ndihesh që u bëre e njohur në pak ditë?

Shumë e lumtur që mata dhe një herë pulsin e shqiptarëve, kuptova moralin e imoralëve dhe kjo gjë s’më pëlqen. Nëse unë do kisha parë një femër në vendin tim s’do e paragjykoja, bëjnë mirë të mos paragjykojnë.

Si reaguan familjarët e tu, pasi të panë në ekran?

 Falënderoj Zotin për marrëdhënien që kam me ta. E bisedova fillimisht me ta dhe më mbështetën. U mërzitëm pak nga komentet, por më mbështetën pa fund dhe nuk më kërkuan në asnjë moment që të heq dorë.

 Është shtuar interesi për ty, tani, të shkruajnë djemtë?

Normalisht dhe është diçka e pashmangshme. Por unë nuk jam e dashuruar dhe as e interesuar për lidhje, pasi jam shumë e re.

Komentet për ju pushtuan rrjetet sociale. Si u ndjeve?

 Po, shumë imoralë po bëjnë moral këto ditë. Unë prisja hapjen e ndonjë faqeje në facebook, të tipit të bëhemi kaq persona që të vrasim Enkin. U bënë thirrje për protestë për mbyllje të televizionit, por nuk u mblodh askush. 

 Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura