Rrëfimi i Sadijes: Virgjëria ishte gjëja më e çmuar, ajo natë me Dritëroin ishte…

Jan 21, 2018 | 21:53
SHPËRNDAJE

Nga Eni Vasili

Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash syresh të cilat mëtojnë të sjellin para lexuesve profilet e disa prej zonjave të cilat në një mënyrë apo një tjetër e kanë shënuar fatin e qytetit. Një prej tyre është zonja Sadije Agolli, bashkeshorte e Dritëroit. Më ka magjepsur gjithmonë kjo bashkjetesë simbiotike e tyre duke me bërë kurioze për cka e ushqen. Të mirë, të mencur, të ngjashëm, thuajse të bërë një, kështu i kam perceptuar sa herë i kam takuar të dy gjatë vizitave në shtëpinë e hapur për të gjithë.

agolli sadija

Me këtë rrëfim për dhimbjen që nuk ishte aty në momentin e fundëm  të njeriut që i dedikoi jetën Sadije Agolli më rrëfeu gjithashtu sekretin një dashurie që zgjati gati 55 vjet, sekret që e gjeni në këtë intervistë.

A e munduat shumë Dritëroin deri sa i thatë “PO”, apo u dorëzuat lehtë…

Dashuria jonë nuk lindi me shikimin e parë, më shumë u tërhoqëm duke njohur më mirë njëri-tjetrin. Dritëroi ishte i çiltër, i natyrshëm.   As njëri, as tjetri nuk u dorëzuam lehtë, sidomos unë, që isha e rrethuar nga paragjykimet. T’i jepja fjalën për martesë një burri, që kishte qenë një herë i martuar, që kishte edhe një fëmijë, nuk ishte e lehtë. Dashuria erdhi duke u forcuar pas shumë takimeve, deri sa përfundova në shtëpinë e tij. Atë natë i dhamë fjalën njëri-tjetrit për martesë. Ne i ishim rrëfyer njëri-tjetrit për çdo gjë: për rrethin familjar, farefisnor, miqësor… Dritëroi ishte komunist dhe ishte i pari, që hynte në familjen tonë të prekur nga reformat e viteve 1945-47, si ish- tregëtarë. Qysh në moshë  të njomë kam parë babain dhe xhaxhain e madh me pranga në duar, pasi i kishin sekuestruar arka dhe qypa me florinj të tyre dhe të një mikut të tyre, Man Tepelija quhej.

 Çfarë mund të na thoni për momentin, që konsiderohet edhe “magjik” për një çift… si ndodhi… e prisnit atë ditë, atë moment që erdhi edhe propozimi për martesë…

Dritëroi si komunist, mund ta kishte më të vështirë bashkimin me mua, e megjithatë ai nuk i dha rëndësi,  më tregonte dhe Ai historitë e veta familjare. Gjatë kësaj kohe ne iu rrëfyem njëri-tjetrit  më shumë se sa mund të rrëfehej një besimtar tek prifti. Ndofta këto rrëfime, para se t’i jepesha plotësisht, janë sekreti i një dashurie jetëgjatë.

Virgjëria ishte gjëja më e çmuar për një vajzë të ndershme të asaj kohe. Dhe ajo natë ka qenë celebrimi i një dashurie pa dëshmitarë, nën dritën e hënës së vjeshtës. Por më vështirë e pata për ta bindur babain fanatik e besimtar.  Kjo është një histori më vete.

 Në vitet ’60, nuk ishim në botën e internetit dhe teknologjisë, por në kohën kur shkëmbeheshin letra…dhe mes jush dhe Dritëroit shkëmbeheshin shumë të tilla, sidomos para datës së dasmës…mbani mend ndonjë detaj prej tyre…

Dritëroi u detyrua nga dashuria për mua, t’i zbatonte rregullat e asaj kohe, të qëndronte një vit i fejuar. Prandaj dhe patëm një letërkëmbim të gjatë me letra, kur mungonte bota e internetit dhe e teknologjisë  së sotme. Bukuria e këtyre letrave qëndron në faktin se shumica e tyre u ruajtën nga të dy për 52 vjet me radhë, se mund të humbnin, siç kanë humbur shumë gjëra të tjera.

Dritëroi ishte i ndërgjegjshëm si shkrimtar dhe më përsëriste vazhdimisht: “Asgjë e shkruar nuk duhet të humbasë, se ka vlerën e vet.” Dhe tani ky letërkëmbim më ka zgjuar shumë ngjarje, që ishin harruar në sirtaret e kyçura të trurit. Sigurisht, më kanë ngjallur shumë emocione dhe prandaj po vuaj dhe e kam vazhdimisht pranë unë dhe fëmijët. Për këtë arsye nuk mësohemi me vdekjen e tij, na duket se fle dhe do të zgjohet përsëri.

 

Unë kam pasur privilegjin të jem e dashura, gruaja, mikja e tij gjatë një jete: në rini, në pleqëri dhe deri sa mbylli sytë. Elona ka bërë një punë të madhe me botimet e fundit, pasi plotësohet biografia e Dritëroit, të cilën e ka lënë të shkruar në të gjitha veprat e tij. Sa herë i thosha, që të shkruante autobiografinë e tij, më thoshte: “Është herët akoma. Kam plane të tjera.” Ndërsa herën e fundit, kur e hapa këtë temë, më tha: “Nuk do ta shkruaj. Biografia ime është e shkruar në veprat që kam punuar një jetë të tërë. Le ta bëjnë biografët, se e gjejnë të plotë me të mirat dhe të këqiat e mia.” Dhe Dritëroi kishte të drejtë: Në qendër të krijimtarisë së tij është njeriu me ngjarjet e veta, është mjedisi i kohës, natyra, familja, shoqëria, historia e vendit  gjatë gjashtë dekadave. Është fat për Dritëroin vetë dhe vendin tonë që Ai e jetoi jetën me intensitet, me parime, me ideale të larta, me moral të pastër, me sinqeritet, natyrshmëri, pa hipokrizi, pa urrejtje…

 Ç’vend ka zënë poeti i madh Dritëro Agolli, si bashkëshort dhe si baba? Ka një ndarje në këtë çështje apo është e vështirë…

Dritëroi ishte baba i dashur, por që nuk e shprehte me fjalë. Ai, nuk mbaj mend asnjë herë, t’i ketë qëlluar fëmijët gjatë gjithë jetës së tij. Shqetësohej për shëndetin e tyre dhe si i pagjumë i kontrollonte gjatë natës, kur unë flija nga lodhja e ditës. Edhe po të kishte ndonjë vërejtje për ata, m’i thoshte mua për t’ia transmetuar. Sa herë fëmijët e pyesnin për problemet që kishin në shkollë, ai nuk përtonte, linte çdo punë dhe jua shpjegonte me hollësi. Nuk bënte dallim mes fëmijëve dhe fjalët e mira dhe të ëmbla nuk ia kursente për t’i lavdëruar. Ndonjëherë edhe i citonte fjalët e tyre në biseda me mua apo me miqtë. “Këtë më tha Elona, këtë më tha Artani”. Krenohej si çdo baba. Për ne, si familje, Ai ishte burri i shtëpisë, që kishte detyrimet e veta si çdo njeri tjetër i zakonshëm. Kishim kërkesat tona ndaj tij, në mënyrë të natyrshme siç i ka çdo familje, drejtuar një bashkëshorti, babai e gjyshi më vonë. Ai ndihej i lumtur apo i trishtuar kur nuk e dëgjonim. Mos mendoni se Ai nuk nxehej dhe çdo gjë rrëshqiste si në vaj. Ai kur nxehej ishte devollli gjaknxehtë, por falte shpejt dhe nuk e mbante inatin. Unë përpiqesha që të ishin sa më të rralla këto ndodhi, por ka pasur edhe shumë syresh.

 A do të ishte për ju, i njëjti Dritëro, nëse nuk do të ishte edhe poeti që njohim ne…

Në fillim, kur u takuam, e njoha si poet dhe gazetar, por më vonë, në jetën familjare, ai ishte burri, babai i fëmijëve, që kishte detyrimet e veta. Nuk mendoja se duhet të ishte i privilegjuar. Ato ishin vlera të tjera, që plotësonin figurën e tij, e pasuronin me tipare të reja, por për ne ishte burri i shtëpisë, shtylla e shtëpisë, shtylla ku mbahej një familje. Talentin dhe prirjet ia kishte dhuruar Zoti dhe natyra. Ai sakrifikonte nga gjumi për të përmbushur pasionin e tij, si çdo krijues.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura