“‘Ky qen bir qeni’ ka bërë…”- Rrëfimi i Piro Milkanit: Si e filmova takimin e fundit mes Dritëroit e Kadaresë. Ju tregoj xhelozitë e kineastëve për skenarët e tij

May 28, 2020 | 22:44
SHPËRNDAJE

Piro Milkani gjithnjë kishte dashur të bënte një film me Dritëro Agollin. Gjuha e tij e pasur, vizatimi i personazheve, të jepte dorë në realizimin e një vepre të suksesshme.1579202596_PiroMilkani

Por, me sa duket, Dritëro Agolli e kishte gjetur veten te Viktor Gjika dhe kjo dyshe mbeti e tillë, deri në shkërmoqjen e Kinostudios. Por Piro Milkanit i ra një fat, që Viktor Gjika nuk arriti ta kishte: të realizonte dokumentarët e jetës për dy shkrimtarët e mëdhenj, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, madje të fiksonte takimin e tyre të fundit.

Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, kineasti Piro Milkani tregon për vendin e Dritëroit në kinematografinë shqiptare, për adhurimin e tij deri në Kinën e largët dhe atë moment të artë, kur iu desh të realizonte filmin mbi jetën e shkrimtarit, apo për bisedat me të dhe Sadijen e dashur.

Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli
Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli

PIRO MILKANI

DRITËROI QË NA NDRIÇOI

Nuk më vjen në mendje se kur lexova për herë të parë poezinë e Dritëroit, por mund të them, se kur u ktheva nga studimet jashtë shtetit, ai kishte një emër të konsoliduar si poet e gazetar me një stil të veçantë në gazetarinë shqiptare. Ishin këto shkrime që tërhoqën vëmendjen e Endri Kekos për të bashkëpunuar me të në një numër të pafund filmash dokumentarë.

Mbi themelet e godinës së letërsisë shqiptare, hierarkia e vlerave ngriti tri shtylla mbajtëse dhe ata ishin: Dritëroi, Kadareja dhe Fatos Arapi. I bashkonte e veçanta në mënyrën e trajtimit të temave dhe në optikën personale të interpretimit të ngjarjeve. Pikërisht kjo larmi stilesh i bënte ata më të këndshëm. Hezitoj të flas më gjatë, sepse studiues arti të tjerë i kanë analizuar ata, por do të merrem me veprën e Dritëroit në fushën e filmit. U bëra “xheloz” me Viktor Gjikën, kur ma rrëmbeu Dritëroin dhe realizuan së bashku filmin e tyre të parë “Horizonte të hapura”.agolli-1

Një kontratë e pashkruar i lidhi ata përjetësisht. As mund të të shkonte në mendje t’ia rrëmbeje Viktorit Dritëroin. Kështu, pas çdo romani të suksesshëm, do pasonte një film me firmën e Dritëroit dhe Viktorit. Mjafton të kujtosh filmat “I teti në bronz” apo “Njeriu me top” dhe i ke thënë të tëra. Kur meditoj për arritjet dhe vlerat e kinemasë shqiptare në shkrime, referate, në forume kineastësh apo leksione me studentë të Akademisë së Filmit Marubi i mëshoj fort përgjigjes së pyetjes, nëse kinemaja shqiptare ishte apo është një kinema provinciale apo vlerë kombëtare.

E në mbrojtje të së dytës, shtoj se nuk mund të jetë e pavlerë një industri kinematografike, ku ndërhynë penat e fuqishme të shkrimtarëve të shquar si: Dritëroi, Kadareja, Laço, Koreshi, Pulaha, Blushi e të tjerë. Dritëroi nuk ka fare nevojë për mbiemrin Agolli, ashtu si Kadaresë nuk i nevojitet emri. Të dy gjigantë të letrave shqipe. Kaluan vite të tëra dhe shpresa ime për një bashkëpunim me Dritëroin u shua. Por dora e Zotit më ndihmoi edhe mua.

Një ofertë e “Top Channel”-it në vitin 2009 më angazhoi për të realizuar një dokumentar të gjatë për Kadarenë. Punova në të ngadalë e ngadalë. Dhe erdhi një moment kur diçka nuk më shkonte. Ia thashë haptas Kadaresë: “Nuk më del filmi mirë, nëse në të nuk është edhe një takim me Dritëroin. U tha, u bë! Një mëngjes vjeshte të lagësht e të ftohtë i ngjita shkallët për në shtëpinë e Dritëroit.

Së bashku me Sadijen ishin bërë gati. Edhe pse e kishte rralluar shumë, atë mëngjes e kishte rrëkëllyer një gotë raki dhe më detyroi dhe mua ta pi një gotë. Në ato momente kujtova sesa njerëz, të njohur e të panjohur, kishin hyrë në atë shtëpi bujare. Ndërkohë, Eno Milkani (bashkëregjisori) dhe Erion Muharremi (kameramani) ndodheshin te “Juvenilja”, së bashku me Kadarenë dhe Bujar Hudhrin.

Porosinë e kishin marrë që në darkë: “Kur të vijë Dritëroi, të shtypet butoni i kamerës dhe të mos ndërpritet fare”. Dhe ashtu u bë. Po për dreq ndodhi ajo që nuk e prisja. Një zile bezdisëse telefoni. Shyqyr që nuk kisha në dorë kamerën. U largova që të mos ndërpritej xhirimi dhe fola me zë të ulët. Ishte Kel Joti, drejtor i “Top Channel”.

Pyeti se ku isha

– Të lutem mos e zgjat se po filmojmë Dritëroin me Kadarenë. E mbylli pa një pa dy. Po ndiqja bisedat e këndshme të dy ish-nxënësve të gjimnazit të Gjirokastrës. Dhe prapë ai dreq telefoni. Pikë e zezë!

Përsëri Keli: -Dëgjo këtu! E ke ekskluziv këtë xhirim, se mos është dikush tjetër?

– Jo, jo, vetëm ne jemi.

– Të lumtë. Po dëgjo këtu. Sa të mbarosh me Kadarenë, mendo për një dokumentar për Dritëroin.

E mbylla, e mbylla dhe më fal.

Më shkoi në mendje kënga “Dy gëzime në një ditë”. Falë kësaj bisede ndërroi dhe montimi i filmit të Kadaresë. I vumë vetëm pak fragmente këtij takimi të bukur dhe e ruajtëm pjesën më të madhe për filmin e ardhshëm.

Duke besuar në gënjeshtrën time të bardhë, Dritëroi dhe Sadija u përshëndetën me të, duke i uruar rrugë të mbarë. Pastaj Dritëroi më propozoi të hynim në ambientet e restorantit.

Ishte ditë e ftohtë, me shumë lagështi.

– Hajde ta rrëkëllejmë dhe nga një gotë tjetër, – më tha.

Disa tavolina më tej dalloj Mendu Thaçin, kryetarin e PDSH në Maqedoni. Pak çaste më vonë, ai ngrihet dhe e takon përzemërsisht Dritëroin dhe Sadijen.

– Po ky ç’pati?

– Pse? -e pyes unë.

– Po ky ka deklaruar botërisht se sa të jetë gjallë, nuk ka për t’i dhënë dorën asnjë komunisti. E ç’po na shohin sytë këto kohë..!, – tha me të qeshur Dritëroi.

Filmi detyrimisht bëri që të jem shpesh me Dritëroin e Sadijen. Pashë me vëmendje bibliotekën gjigante të shtëpisë ku nuk mungonin libra autorësh të rinj e pak të njohur, të cilëve Dritëroi u kishte dhënë kurajë apo u kishte recensionuar veprën. E në një ndër ato vizita më dhuroi librin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Librin e njihja fare mirë, po këtë herë e kisha me dedikim nga vetë autori. Ndër të tjera, ai shkruan edhe këto fjalë: “Pirros, mikut tim kineast, ia dhuroj gjithë qejf se ky ‘qen bir qeni’ ka bërë filma shumë të mirë”. Falë këtij filmi, u njoha fizikisht edhe me Rexhep Qosen.

I kishte bluar në mendje ato që do të thoshte për Dritëroin, duke bërë vlerësimin maksimal për të, kur tha se Dritëroi mund të konsiderohet si i fundmi i rilindësve shqiptarë. Falë filmit që po xhiroja, shkova në Korçë të fiksoj ceremoninë e dhënies së titullit Doktor Honoris Causa nga Universiti Fan S. Noli.

Në bisedën e shpenguar, ashtu siç dinte ta bënte vetëm ai, tregonte se pas vdekjes ai do të kthehej përsëri në këtë botë si një flutur a zog.

Ashtu si Naimi, Dritëroi ishte një panteist i bindur. Për nga natyra, mendoj se ishim të dy njëlloj: “Optimistë patologjikë”.

Çdo sëmundje të papritur e kemi pritur me stoicizëm dhe me besim se do t’ia hedhim edhe këtë herë. Dhe vërtet, ai i bëri bisht disa herë vdekjes, falë edhe kujdesit të Sadijes. Përgjatë viteve 1964-1977, në vitet e “miqësisë” me Kinën e Maos, kinezët morën mbi 20 filma shqiptarë. Pasi i dublonin në kinezisht, ata shpërndaheshin në gjithë territoret e pafundme të vendit më të populluar në botë.

E ndër ta, tre filma kishin edhe firmën e Dritëroit. Ata ishin “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz” dhe “Njeriu me top”. Shqiptarët e shumtë që vizitonin Kinën, na tregonin se kinezët e kishin përzemër të imitonin plot humor batutat e famshme që lëshonin personazhet e Dritëroit. Ndaj, mendoj se edhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, vepër e krahasueshme me “Ushtarin e mirë Shvejk” të Hashekut apo me Don Kishotin e Servantesit, për mesazhet universale që përcjell, do të pritet po aq mirë sa edhe filmat e tij.

Nuk më mbetet tjetër, veç të përsëris atë që thashë në ditën e përcjelljes së tij në banesën e fundit: “Sikur një ditë në kodrat e Tiranës të ngrihej një Panteon, Dritëroi do të zinte një vend ndër më kryesorët”.

Faleminderit Dritëro që na ndriçove edhe neve të tjerëve, që na dhe zemër e kurajë të shkruajmë më mirë e më bukur falë teje. Dritë pastë gjithmonë ai që të dha këtë emër plot dritë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura