Rrëfimi i ish-ambasadorit: Si e njoha Hashim Thaçin në ‘99-ën! Ish-Kryeministri e ish-Presidenti Rugova, në të njëjtin hotel, s’e përshëndetën njëri-tjetrin. Pse u zhgënjyen gjermanët

Nov 21, 2020 | 8:51
SHPËRNDAJE

Ishte fundi i luftës në Kosovë kur Hashim Thaçi, asokohe Kryeministër, shkoi në Gjermani për një takim me homologun e tij. I pari që e priti ishte ish-ambasadori i Shqipërisë atje, Bashkim Zeneli, i cili vjen në “Panorama” përmes një rrëfimi në vetë të parë mbi prapaskenat e takimeve dyditore që pati me një nga figurat kryesore të Kosovës në prag të përfundimit të luftës me Serbinë.

Zeneli-thaci

Në fillim enigmatik, fjalëpakë e më pas i qartë dhe i prerë në konferencën për mediat. Por një gjë e mundonte. Kosova nuk kishte konsensus të brendshëm për asgjë.

“Luftës po i vinte fundi dhe shqiptarët e Kosovës duhet të merreshin vesh me njëri-tjetrin. Do të fillonte një histori e re”, thotë Zeneli, duke e pasuar më tej me episodin e çuditshëm në hotelin ku ishin akomoduar zyrtarët e lartë. Edhe pse ndanin një ambient, ata nuk ishin përshëndetur me njëri-tjetrin. Më tej mëson se një takim midis tyre nuk kishte shuar mirë, çka nervozoi edhe gjermanët, të cilët për herë të parë pas shumë vitesh vendosën të ndërhyjnë, duke qëndruar në anën e duhur të historisë, por jo me njerëzit e duhur.

BASHKIM ZENELI

Sapo kthehem në Bon, mësoj nga Sokoli se këto ditë, pra ditët e fundit të majit apo në fillim të qershorit do të vinte për vizitë në Gjermani Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi. Ky ishte një lajm shumë i rëndësishëm. Këtë ia kishte thënë Sokolit, Ibrahim Kelmendi. U lidha me të për ndonjë gjë më konkrete dhe e lamë të takoheshim në Köln, diku afër Katedrales së famshme. Ibrahimi më vuri në dijeni për gjithçka dhe më kërkoi që të ndikoj tek autoritetet gjermane për masat e sigurisë ndaj Kryeministrit Thaçi, pavarësisht se autoritetet gjermane këtë e vlerësonin vetë. Më tha se kishte dëgjuar se në Bon do vinin edhe Ibrahim Rugova, edhe Rexhep Qosja, por për këtë nuk ishte i sigurt.

Të nesërmen kërkova takim me Drejtorin Haas dhe ai më vuri në dijeni për gjithçka. Ishte e vërtetë se do të vinte edhe Rugova, edhe Qosja. Fischer kishte programuar t´i takonte të tre dhe sipas z. Haas, ishte shumë e rëndësishme. Tani, luftës po i vinte fundi dhe Shqiptarët e Kosovës duhet të merreshin vesh me njëri-tjetrin. Do të fillonte një histori e re.

Z. Hashim Thaçi erdhi në Bon më 1 qershor, pasdite. E prita në aeroport, ishim njohur me kohë bashkë dhe me përshëndeti miqësisht. Ishin edhe përfaqësues të protokollit të shtetit. Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme. Sipas programit, plani ishte për të shkuar në fillim në hotel, në KönigsHof, në qendër të Bonit, por z. Thaçi më tha se dëshironte të vinte në Ambasadë më parë. Më erdhi mirë. Shkuam në ambasadë dhe në zyrën time pimë nga një kafe. Për darkë do të shkonim te një mik i Ibrahimit në Bon, por u konsultova me përfaqësuesit e protokollit dhe ato më thanë se darka ishte e planifikuar në hotel. Dhe kjo duhej respektuar.

Hashim Thaçi ishte i përhumbur, fliste me 2-3 vetë menjëherë, hutohej, pyeste, kthjellohej, përgjigjej, heshtte, rrinte pa folur…Biseduam për situatën në Kosovë, por sikur kishte bezdi të përgjigjej: po q ‘ashtu, si po e shihni vetë… i thashë se pak javë më parë ka qenë edhe Kryeministri Majko. Këtu…por vetëm mu përgjigj, po, po e kam marrë vesh. Fillova t´i flas për mbështetjen e fuqishme gjermane për çështjen e Kosovës, për vendimin shumë të vështirë që morën për herë të parë mbas luftës për t´u përfshirë në operacione ushtarake, për ndihmën e madhe humanitare dhe logjistike që na kanë dhënë e do të vazhdojnë të na japin etj. Një bisedë krejt e natyrshme, në një rreth të ngushtë, në darkë.

Nuk më tha gjë nëse do të takoheshin me Rugovën dhe Qosjen, por kur i fola se këtë ma kishin thënë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, mu përgjigj : -Kështu po thonë!

Të nesërmen Thaçi u prit nga ministri Fischer. Unë sigurisht që nuk isha, por shkova në orën që ishte planifikuar konferenca e përbashkët për shtyp.

Fischer foli shkurt, por qartë, në qëndrimet e njohura për Kosovën. Ai tha se nuk është koha të flasim tani për statusin. Lufta vazhdon ende dhe shpresojmë të përfundojë sa më shpejt. Kosova do të këtë një të ardhme shumë të mirë, në paqe, në liri dhe dëshirojmë që të gjithë ato që janë larguar, të kthehen në siguri të plotë në shtëpinë e tyre.

Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi, bëri një tablo të zhvillimeve në fushën e luftimeve në Kosovë dhe të situatës humanitare për njerëzit e mbetur atje. Ai theksoi bindjen se UÇK dhe NATO duhet ta fitojnë dhe do ta fitojnë luftën kundër Milosheviçit.

Pyetjet e gazetarëve konsistuan në tre drejtime: qëndrimi lidhur me përpjekjet diplomatike më të fundit, raportet me LDK-në dhe qëndrimi i lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.

Në përgjigjet e tij, z. Thaçi theksoi se, “në këto momente çdo kompromis me Milosheviçin do të ishte i dëmshëm. Ai është dhe duhet të trajtohet si humbës. Megjithatë i takon popullit të Serbisë të vendosë nëse dëshiron që të këtë përsëri atë në krye”. Z. Thaçi dha sqarime lidhur me raportet me LDK-në dhe z. Rugova, ku u shpreh se “qeveria është e hapur për bisedime me to dhe megjithë ftesat për takime, Rugova nuk ka dhënë asnjë përgjigje”. Ai u shpreh se “Rugova dhe Bukoshi po vazhdojnë përpjekjen për ruajtjen me pa të drejtë të monopolit të pushtetit”. Lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, z. Thaçi u shpreh se “kjo është një çështje e hapur”. Ishte shumë i qartë dhe i saktë në këtë konferencë shtypi dhe mori vlerësime të mira nga shtypi. Sigurisht, më erdhi shumë mirë.

Në një nga ditët e qëndrimit në Bon, duke u ndarë vonë në hollin e hotelit Königshof, me Hashim Thaçin, krejt papritur pashë z. Ibrahim Rugova që po kalonte nga bufeja e hotelit përmes hollit të gjatë. Mbas tij ishte shoqëruesi i tij i përhershëm,AdnanMerovci. Nuk u besova syve për momentin, ndonëse me ishte thënë në MPJ për këtë ftesë. Ishin vendosur në të njëjtin hotel nga MPJ-ja.

U shkëputa nga z. Thaçi, i dola përpara dhe e përshëndeta. Kemi qenë në disa raste sëbashku dhe njiheshim. Zoti President,- i thashë,- gëzohem që po ju shoh këtu në Bon…Më vjen shumë mirë… – më tha- … se mund të shihemi nesër, sonte është vonë dhe jam i lodhur… I urova natën e mirë…ndërkohë që Rugova dhe Thaçi nuk e përshëndetën njëri-tjetrin…

Në fund të vizitës e shoqërova edhe në godinën shumë të lartë të “DeutscheWelle” (DW) në Köln, ku bëri një bashkëbisedim me gazetarët e seksionit shqip dhe më pas një konferencë për shtyp për gazetarët e huaj.

Nga zoti Hass, mësova se edhe takimi midis Thaçit, Rugovës dhe prof. Qoses nuk kishte shkuar mirë. Profesori dhe z. Thaçi kishin qenë të një mendje për të gjitha gjërat, ndërsa Rugova u kishte kërkuar kohë për të vendosur…Gjermanët prisnin ndryshe nga ky takim dhe mu shprehën të zhgënjyer, madje, edhe të nervozuar.

Më pas të tre liderët e Kosovës i takoi në Bon edhe sekretarja amerikane e shtetit, znj. Allbright. Mësova se sekretarja amerikane u kishte thënë mes të tjerash se tani që Milosheviçi ka pranuar planin e paqes për Kosovën, forcat politike në Kosovë duhet të mos thellojnë ndarjen, por të bashkëpunojnë në të mirë të vendit dhe se Kosova do të këtë shumë punë përpara.

Në orët e pasdites së 4 qershorit, ndërsa në Köln zhvillohej një takim i Këshillit të Europës, televizioni njofton se Presidenti serb Milosheviç ka pranuar planin e Ahtisarit për Kosovën. Ky ishte një lajm shumë i mirë. Më telefonuan disa miq kosovarë, tepër të gëzuar, por edhe duke shtuar pyetjen se ai i duhet besuar Milosheviçit. Ai ka dhënë prova të panumërta se është një demagog i madh. Ai i duhet besuar atij? Në atë takim në Köln erdhi Ahtisari, që i shoqëruar nga Kancelari Schröder, foli për pranimin nga Parlamenti serb të planit të paqes për Kosovën. Por,Ahtisari tha se nuk duhet të tregojmë entuziazëm të tepruar. Ka shumë probleme që duhet të zgjidhen. Disa qëndrime ruse nuk i shërbejnë paqes në Kosovë.

Më 7 qershor, tamam në këto ditë të mbushura me ngjarje tepër të rëndësishme, që po shkonin drejt përfundimit të luftimeve të NATO-s, në Bon vjen ministrja e Bashkëpunimit Ekonomik, znj. ErmelindaMeksi. Kishin kaluar vetëm 2 muaj kur homologia e saj gjermane kishte qenë në Tiranë. Mbështetja e Gjermanisë vazhdonte në shumë intensitet. Ishin nënshkruar që nga fillimi i vitit disa marrëveshje dhe vazhdonin të nënshkruheshin në të gjitha pikat e që nuk kanë përse përmenden një nga një në këto shënime. Është shumë e nevojshme për të theksuar se megjithë ngarkesën e madhe të qeverisë gjermane, edhe në kuadër të Presidencës së BE-së për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, asnjëherë nuk u la të kuptohej e jo më të thuhej se “…kemi ngarkesa të tjera…”.

Zonja Meksi u takua me ministren Wieczorek-Zeul që e priti shumë miqësisht deri me një program të veçantë edhe për disa vizita në Bon. Por, kryesorja ishte se bisedimet shkuan shumë mirë dhe projektet tona u miratuan plotësisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura