Rrëfimi i Hallaçit: Skënderbeu nuk ka asgjë më shumë se ne, do ta shohim kush është më i fortë

Oct 19, 2017 | 19:25
SHPËRNDAJE

Rrahman Hallaçi mendon se Kukësi është sërish pretendent kryesor për të fituar titullin kampion. Kapiteni i verilindorëve, dje në një intervistë për “Panorama Sport”, tregoi ndryshimet që ka pësuar ekipi pas ardhjes së trajnerit të ri, që nga stoli i lojës dhe deri tek ajo që kërkon Mlladen Milinkoviç. “Skënderbeu është i fortë, por nuk ka ndonjë gjë më shumë se ne”, – ka thënë ndër të tjera mbrojtësi “veteran”.

hallaci

Rrahman, ku ndryshon ky Kukës nga ai i sezonit të kaluar?

Kukësi i vitit të kaluar ishte shumë i fortë në fazën mbrojtëse dhe më tepër në kundërsulm. Ndërsa këtë sezon nuk kërkojmë shumë të dalim me topin e gjatë, por me aksione dhe me shumë pasime, duke aplikuar filozofinë e trajnerit, pasi kuptohet që çdo trajner ka stilin e vet.

A mund të themi se tani jeni përshtatur plotësisht me idetë e trajnerit Mlladen Milinkoviç?

Idetë e trajnerit i kemi kuptuar, por akoma nuk i kemi bërë ashtu si duhet ne futbollistët. Mendoj se me kalimin e kohës do jemi aty ku duhet, por e rëndësishme është jemi në një mendje me trajnerin.

Çfarë kërkon më tepër Milinkoviç duke u bazuar te loja dhe ajo që Kukësi ka bërë vitin e kaluar?

Trajneri kërkon të bëjmë një hap më të madh, sepse vetëm kështu mund të arrijmë të ngremë skuadrën në nivele sa më të larta, që do të thotë, në çdo ndeshje duhet të jemi superiorë ndaj kundërshtarëve në kampionat dhe Kupë. Natyrisht, loja është në progres dhe trajneri kërkon lojë me topa poshtë, duke parë edhe përbërjen e ekipit.

shameti hallaci

Cilat janë arsyet që Kukësi ka pasur oshilacione në këto 6 javë?

Është normale, sepse ka pasur lëvizje lojtarësh në merkato. Sa të përshtatet pjesa që ka qenë, me pjesën e lojtarëve që kanë ardhur, nuk do kemi më luhatje në lojë. Gjithsesi, sa u përket rezultateve, nuk mendoj se jemi keq.

Sa ndihet mungesa e lojtarëve si Shameti, Zeqiri apo Musolli?

Sigurisht Shameti, Zeqiri, Musolli janë shumë të rëndësishëm për ne. Me ata në fushë do të jemi akoma më të fortë.

Do të luani ndaj Luftëtarit, i cili vjen pas dy humbjeve radhazi, por me Milinkoviç që e njeh mirë këtë skuadër. Sezonin e kaluar nuk keni fituar asnjë ndeshje në Gjirokastër, çfarë prisni të shtunën?

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ne shkojmë vetëm për fitore. E kemi vlerësuar shumë kundërshtarin, por do marrim fitore me patjetër. Ata kanë një skuadër të mirë, por ne kemi objektiva madhorë.

Hallaci Kukesi

Si e shikoni garën për titull këtë vit, mendoni se Skënderbeu është një hap para të tjerëve?

Gara është e hapur, Skënderbeu është i fortë, por nuk ka ndonjë gjë më shumë se ne. Javët në vijim do të shohim se jemi në lartësinë e duhur dhe do jemi mbi Skënderbeun.

Jeni i befasuar me nisjen që ka bërë Partizani?

Partizani e nisi keq, por tani është kthyer përsëri. Mendoj se do jetë në garë për titull, duke parë edhe përbërjen që kanë.

Tifozët kuksianë u rikthyen të organizuar në takimin ndaj Skënderbeut, por sërish munguan në ndeshjet e tjera. Si e shpjegoni?

Tifozët duhet të kuptojnë një gjë, titulli në Kukës ishte ëndërr, ndërsa tani u bë realitet. Ne e fituam me tifozët në stadium dhe kam besim se do vijnë në ndeshjet në vazhdim. Ata janë shtysë e madhe për ne. Respekt për ata tifozë që vijnë dhe na përkrahin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura