Rrëfimi dramatik i Mexhit Haxhiut: Sigurimsi më kërcënoi gruan nëse do i bëja gol Dinamos

Jan 19, 2017 | 20:31
SHPËRNDAJE

Ndërsa përgatitet fillimi i sezonit 1965-1966 me shpresën e sistemimit definitiv të tij te Partizani në përfundim të shërbimit ushtarak, pasi kishte shënuar 15 gola në sezonin 1965-1966, shpërthen Revolucioni Kultural Kinez, pasojat e të cilit përfshinë edhe Shqipërinë. Filloi një fushatë spastrimi, e cila godet sportistë e artistë, ndër ta edhe disa nga të Partizanit me Mexhit Haxhiun në krye që edhe pse përpjekjet e gjeneralëve madhore si Balluku e Dume, admirues të tij, ishin të mëdha, nuk mundën ta ndalonin largimin.

Sidoqoftë, në një banket lamtumire, në shtatorin e 1966-ës, Dumja me vajzën Besa e kanë falënderuar për kontributin e tij te ky klub. Të nesërmen, Rustem Peçi, ushtarak i lartë e përcolli te treni dhe i trishtuar i thotë: “Do shkosh në Vlorë, mundohu të sistemosh nënën e motrën tek të afërm, ndërsa futboll nuk do të luash…”.

4

Sa i vështirë rikthimi në Vlorë

Rikthehet në Vlorë, ndërsa skuadra i shpëton rënies… Bëhet fjalë për sezonin 1965-1966. Kishte interes për Haxhiun nga tifozëria, skuadra e trajnerë. Por rifillimi ishte i vështirë. Ndeshja me Labinotin ishte ajo që startoi kampionatin 1966-1967, kur para takimit papritur i thonë se nuk do të luajë, madje të nesërmen nuk e lejojnë as në stërvitje dhe njoftimin e merr nga punonjësi i stadiumit, duke lënë topin për t’u futur me kokë ulur në dhomat e zhveshjes në sy të tifozëve. Nuk e lejojnë të aktivizohet as në kampionatin lokal me ndërmarrjet, duke e dërguar në Shashicë në zbor për të prashitur patatet.

Sigurimi kishte përhapur alibinë se ai kishte takuar babanë në Gjermani, ndërkohë që ai nuk kishte qenë asnjëherë atje dhe se i ati i Mexhit Haxhiut është agjent, flet te “Zëri i Amerikës”, prandaj nuk e çojnë të birin jashtë shtetit. Dhe urdhri për të ishte: “Të mos luajë me asnjë klub të kryeqytetit dhe asnjë klub ushtarak; të mos luajë në ndeshje ndërkombëtare, ose të luajë vetëm në Shqipëri”! Pas një viti jashtë futbollit ka takuar Beqir Ballukun, i cili, i informuar për situatën e tij, kërkoi rikthimin e Mexhit Haxhiut në futboll, por pa të drejtën për të luajtur me kombëtaren.

Kampionati fillon në mars të 1968-ës, skuadra ka trajner Stavri Lubonjën që zëvendësohet nga Hasan Luçi, zhvillon disa miqësore, luan në Kupën e Republikës me Haxhiun protagonist bashkë me Zilen, Thomain, Seferajn, Xhaferri, Saraçi etj. Realizon gola në lojë, me penallti, nga goditjet e lira. Flamurtari luan dy takimet e para me 17 Nëntorin në Vorë e Dinamon në Tiranë, por golat e Haxhiut nuk mjaftojnë të shmangin humbjet. Pastaj fitoret me Labinotin, humbje me Partizanin, fitore me Luftëtarin që kthejnë qetësinë…

7
Partizani, fitues i Kupës së Republikës, 1965-1966, në këmbë nga e majta: Shllaku, Jashari, Dizdari, Haxhiu, Karriqi, Pano. Ulur nga e majta: Rragami, Dingu, Janku, S. Gjika, T. Vaso

Qershori i paharruar

Ka qenë qershori i 1968-ës e në prag të takimit me Traktorin në Vlorë, Mexhit Haxhiu goditet nga tri fatkeqësi, në harkun e pak ditëve humbet gjyshen që e kishte rritur, kunatën dhe Zeqirin, partnerin në skuadër. Një orë e ndante varrimin e shokut të tyre me ndeshjen, që me urdhër partie duhej të zhvillohej. I trishtuar dhe duke parë gjendjen e rënduar të tij, trajneri nuk e aktivizon në lojë. Por në pjesën e dytë i ka kërkuar të luajë dhe në harkun e pak minutave, pas një harkimi nga këndi me kokë, ka shënuar golin e parë duke ia dedikuar Gëzim Zeqirit.

Ndërkohë që ai muaj do t’i rezervonte Haxhiut edhe një moment të gëzuar: më 16 qershor është martuar me Bardhën, ish-volejbolliste dhe notare e Flamurtarit, por pikërisht atë të diel do të luhet ndeshja kundër Tomorit në Vlorë. Sërish gol, fitore 2-0 dhe me tifozët krushq në stadium me shpejtësi pastaj në darkën e dasmës. Kujton se si dhëndër ka veshur një kostum të dhuruar nga Petrit Dumja, që e ka dashur pa masë. Pastaj muaji i mjaltit në Pogradec, ndeshja kundër Yllit të Kuq, fitore 1-0 me gol të V. Gjokës dhe fundi i kampionatit, që i jep vendin e 6-të Flamurtarit, ku spikat rendimenti i Haxhiut, si gjithmonë protagonist e sistematik, autor i 16 golave në total.

Jo gol ndaj Dinamos

Gjithmonë një zë i brendshëm e ka këshilluar të “mos i bëj gol Dinamos e Partizanit, se nuk revoltohen gjeneralët dhe oficerët”. Presion kundër skuadrave të Ministrive, sidomos ndaj Dinamos kur luante në Vlorë ka qenë tejet kërcënues. Para një sfide të tillë, një hetues, oficer i Degës së Brendshme të qytetit, futet në dhomën e zhveshjes, me zë të ashpër e urdhërues i thotë që të mos impenjohet kundër Dinamos. “Tronditjen time e vuri re trajneri Petrit Arapi, i cili u ankua te Kryetari i Degës që e detyroi personin në fjalë të më kërkonte falje. Por ata kishin qenë më parë në shtëpinë time duke kërcënuar gruan që unë të mos luaja”, kujton Haxhiu.

8
Haxhiu me Partizanin, moment loje

Grumbullimi me 17 Nëntorin

Ndonëse nuk e lejonin të shkonte as në Kosovë, në prag të takimit 17 Nëntori- Standaar në vjeshtën 1969, Rexhep Doda, drejtues, kërkoi shërbimin e tij te skuadra tiranase. Grumbullohet në hotel “Donika”, por disa orë më vonë trajner Alla e njofton se një anëtar i byrosë e ka refuzuar aktivizimin e tij me 17 Nëntorin. E njëjta situatë edhe në takimin Besa-Hibernians, luajtur në Durrës në vitin 1972 për Kupën e Kupave, kur klubi kavajas e merr për përforcim. U aktivizua vetëm në pjesën e dytë duke dhënë edhe pasimin asist për Pagrinë që barazoi. “Ishte urdhri i Rita Markos, i pranishëm në stadium, që të aktivizohesha”, rrëfen Mexhiti.

Largim pa ceremoni

Ndonëse me një karrierë të pasur, shënues i 166 golave me fanellat e Flamurtarit, Partizanit kampion në sezonin 1963-1964, vendi i dytë në ’64-’65 dhe ’65-’66, lojtar i kombëtares, në vitin 1976 është ndarë me futbollin e luajtur për 16 vite (1960-1976), pas një dëmtimi dhe 33 vjeç, por pa asnjë ceremoni lamtumire dhe e ka peng që nuk ia dorëzoi fanellën një të riu, apo asnjëherë të shkelmonte topin nga qendra në një fillim kampionati.

Pastaj karriera si trajner, duke iu kushtuar përgatitjes së talenteve të reja te Flamurtari, trajner i Ekipit Kombëtar U-16, Kryeseleksioner i Ekipeve Kombëtare të moshave, trajner me Flamurtarin e Bylisin, Drejtor Teknik në FSHF, lektor i kurseve të UEFA-s, i diplomuar në ILKF, pedagog në Universitetin Ushtarak “Skënderbeg”, mësues i Edukimit Fizik në shkollën “Dijetari”, “Mjeshtër i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, e mjaft titujt të tjerë honorifikë. Nga puna e tij sistematike kanë dalë shumë futbollistë, talente, protagonistë e titullarë të Flamurtarit e Kombëtares.

6

Çfarë bën sot Mexhit Haxhiu?

Është në pension dhe pas një dhjetëvjeçari me lëvizje jeton në Vlorë, Itakën e tij, pasi ashtu e ka konsideruar qytetin ku lindi… Ka bërë dhe bën një jetë të rregullt, shumë familjar, kurrë abuzime me duhan e pije. Jo aktivitet politik, shëtit buzë detit, pastaj në shtëpi me nipër dhe mbesa, në stadium kur ka ndeshje dhe në dhomën-studio ku vazhdon të lexojë e studiojë. Vitin e kaluar botoi librin autobiografik “Kartoni i Kuq…”.

Vetëm pak ditë më parë, pikërisht më 3 janar ka festuar datëlindjen, atë të vitit 1943, pasi në zyrat e Gjendjes Civile figuron se ka lindur në dhjetorin e 1945-ës. Është nga të paktit që fëmijët, dy djemtë vijuan traditën, Sajmir dhe Gerdi, madje me klubet që vetë ai ka qenë protagonist si lojtar e trajner nga Flamurtari, Partizani, Bylis e Apolonia ku Mexhiti si Drejtor Teknik me Gerdin trajner. Kujton të gjithë ata që e kanë mbështetur e që nuk e kanë braktisur, ndër të cilët oficerë, gjeneralë, futbollistë, trajnerë, duke mos harruar Rustem Peçin që e konsideron si një vëlla të madh.

Futbollistë e drejtues të Partizanit, Jasharin me të cilin flinte në dhomë, Ndinin, Shllakun, Karriqin, Rragamin, Jankun, Bizin, Panon, të gjithë pa përjashtim. Pastaj trajnerët, Boriçi, Spahiu, Pelingu, Konçi, Birçen dhe Refik Resmen kur i pati thënë në një moment delikat të jetës: “Unë për ty varem në mes të Tiranës”, kujton Mexhiti. Por edhe A. Fagun, D. Përmetin, B. Pëllumbin kur luante basketboll me ta.

Dhe vlonjatët, Flamurtarin e tij, nga trajnerët Ndini, Pelinku, P. Arapi, H. Luçi, M. Ferkon, S. Gjoka, te futbollistët me të cilët luajti, përkrahjen e tifozëve ato të Skelës, miqtë Saqe dhe Musa kur i kërkuan me forcë partisë-shtet aktivizimin e tij te Flamurtari apo studentët vlonjatë që në “Qemal Stafa” dilnin me banderolën “Mexhit, Pele i bardhë”, pa harruar Zybin berberin, këpucarin Dhori dhe oficerin Sabri që i dhuronte këpucët e futbollit. Bashkë me klube e dashamirës të qyteteve, ku veçon Shkodrën, miqtë Rragami e Bizi, ndonëse rivalë e kanë mirëpritur.

Asnjëherë polemizues, shumë i sjellshëm dhe i edukuar në lojë, sidomos në marrëdhëniet me arbitrat. Ka pëlqyer këngëtarin Sherif Merdani, futbollistin Skënder Halili, vlerëson miqësitë me F. Frashërin, sportistë F. Telegrafin, V. Xhindollin, A. Samblin, M. Karriqin, T. Vason, volejbollistin Zhan Bonati etj. Ruan me kujdes gjithçka, në veçanti fotot si të vetme dëshmi dhe kujtime të jetës sportive që ka në arkivin e tij, fanellën me numër 10 të Flamurtarit dhe atë me numër 9 të Partizanit.

Kujton termusin me çaj të nxehtë, çantën me bazën materiale ku nuk i mungonin dy palë këpucë, kutia e bojës, furça, nga dy palë çorape, getat, të mbathurat, fanella, peshqiri deri te pincat për takat, vrapimet në mëngjes ende pa zbardhur në fushën e aviacionit dhe nga Uji i Ftohtë te Kampi i Punëtorëve. Kujton orët e zgjatura në stërvitje dhe krevatin me kashtë të shtëpisë së tij ku shtrihej pas stërvitjes…

3

Historia me babanë, si e takoi pas 47 viteve

E konsideron jetën e tij si aventurat e Odisesë gjatë kthimit për në Itakë. Nga fëmijëria, vështirësitë e mëdha ekonomike, te brenga dhe jeta e babait të mërguar Dalip, të cilin nuk e takoi për shumë dekada. “Rritesha e zgjatesha, por hija e biografisë paralele të babait tim zgjatej akoma e më mbulonte të tërin. Pata rastin dhe e njoha pas dyzet e shtatë vitesh kur ai jetonte i vetëm, i harruar, i sëmurë, i plakur. Jetë azili diku në Francë, kaq dija për të para se ta shihja…”.

Biografia…

Ndonëse me traditë dhe kontribut të madh për historinë kombëtare jo vetëm të Vlorës, por edhe të Shqipërisë, emri i patriotit Osman Haxhiu, kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës më 1920, nuk do t’i shërbente në jetë familjes Haxhiu. Nga dita që i ati, Dalip, i arratisur në ditët e fundit të vitit 1944 nga Shkodra për në Mal të Zi, me xhaxhanë, vëllanë e të afërm si antikomunistë dhe përfaqësues së Legalitetit, me shpresën se sistemi që po instalohej në Shqipëri nuk do të zgjaste shumë, jeta e Dalip Haxhiut do të përshkohej nga sakrifica, vuajtje, mall i një refugjati në vetmi, pasi nuk u martua më dhe për më shumë se gjysmë shekulli as familjen nuk e pa. Kur iku, la në Vlorë gruan dhe tre fëmijët, Pëllumbeshën 2 vjeç, Mexhitin 1 vjeç dhe Napolonin disa muajsh, që do të goditeshin sistematikisht nga lufta e ashpër e klasave.

Nga Rexhio në Stamboll…

Pasi qëndroi katër vitet e para në Rexhio Emilia-Itali, një pjesë të rëndësishme të emigrimit i ati i Mexhit Haxhiut e ka kaluar në Turqi ku transferohet atje edhe për formimin fetar që kishin të afërmit me të cilët u largua, duke jetuar për shumë vite në Ankara. Ish-nxënës i Liceut Artistik të Korçës, frëngjisht folës dhe me preferenca e bindje perëndimore pro-franceze, ka një fillim të vështirë, punon në ambasadën franceze ku shërbente si përkthyes, por edhe si shofer i ambasadorit që në përfundim të mandatit të tij e merr me vete në Francë dhe pas dhjetë vitesh në Ankara, Dalipi transferohet në Paris, ku fillon një tjetër jetë, ndërkohë që asnjë komunikim me familjen, fëmijët, me askënd në Shqipëri.

Në Paris deri në vitet ’70 si shofer, asnjë aktivitet politik pasi i kishin humbur shpresat. Me interesimin e vëllait të tij, që i përgatiti dokumentet i ndihmuar nga disa vlonjatë, largohet për Amerikë, ku jeton në Filadelfia, por pa asnjë korrespondencë me Shqipërinë. E njëjta situatë, asnjë tentativë e familjarëve për t’u lidhur me të, duke mos ditur as edhe ku ndodhej pasi kishte humbur gjurmët për shumë dekada.

2

Komunikimi i ndaluar…

“Lidhur me situatën tonë, babai mësoi kur ishte në Rexhio Emilia nga disa italianë që u riatdhesuan. Ata i qepën letrat në astarët e kostumeve që të mos ia zbulonin, pastaj një kontakt i shkurtër, për t’u ndarë përfundimisht, pasi një lidhje e tillë u censurua”, rrëfen Mexhiti. Vetëm në vitin 1959 familja Haxhiu merr letrën e parë dhe një pako ndihmë që i vjen nga “të afërm” kurbetlinj. Rreth viteve ’70 vjen njoftimi se për familjen Haxhiu kanë ardhur disa të holla, por që nuk mund të merren pasi ata që i kanë dërguar janë të arratisur, por me kërkesë të nënës lidhur me situatën ekonomike, i jepen, ishin rreth 50 dollarë.

Deri në fund të viteve ’80 asnjë komunikim. “Informacioni i parë se ku ndodhej ai u bë shkas një e afërme që kishte krijuar korrespondencë me të afërm të saj që jetonin në Kanada, të cilët i treguan për babanë, që ishte njëkohësisht edhe daja e saj. Babai kishte 2-3 vite që qëndronte në Kanada i sëmurë te miqtë e tij. Më pas, një bisedë telefonike nga kabina e postës, mundëm të komunikonim”, tregon Mexhiti. Jemi në fund të viteve ’80 kur nuk është më ajo censurë e egër.

5

Takimi i munguar…

Në ditët e fundit të marsit të vitit 1991, i përfshirë me skuadrën kombëtare, udhëton në Paris për takimin Francë-Shqipëri (EURO 1992) edhe Mexhit Haxhiu. Është ndeshja që kujtohet edhe për eksodin e madh të futbollistëve, fillimisht nga Ibro, Kaçaçi e Leskaj për të vijuar me Sukajn, Kepajn, Vatën dhe Gjergjin pas sfidës. Në aeroportin “Charl de Gol” kishte dalë i ati për ta pritur.

“Por avioni i nisur një ditë e vonesë nga Gjeneva nuk mbërriti në kohë dhe pasi ka pritur deri në mesnatë, i sëmurë u detyrua të largohej”, i ka shpjeguar Mexhitit Viktor Synet, kryeredaktori i “L’Equipe” që shoqëronte skuadrën shqiptare. “Ndërsa të gjithë e kishin mendjen dhe ishin të përqendruar te ndeshja që donte edhe pak orë të fillonte në ‘Park de Prince’, unë isha fiksuar në një takim, atë me babanë.

Emocione të mëdha, pasi do ta takoja për herë të parë në jetën time pas 47 vitesh. Ai erdhi, u takuam dhe u nisa me të për në Versajë, pasi ishte larguar nga Kanadaja dhe banonte në një azil. Qëndruam një javë bashkë. Fliste shqip shumë mirë, kishte mall të jashtëzakonshëm. Pastaj u ndamë”, kujton Mexhiti.

1

Bashkimi familjar, por jeton pak kohë

Në Shqipëri, i ati nuk erdhi menjëherë, pasi ishte në mëdyshje dhe nuk kishte besim për ndryshime të sistemit. Por, pasi u sigurua pas takimit me Mexhitin, komunikimeve në vazhdim, pas një viti vendosi të vinte. Si qytetar francez, në Rinas vjen në shtatorin e vitit 1992, ku u prit nga familja Haxhiu, duke u sistemuar në shtëpinë e Mexhitit. Por nuk jetoi shumë, vetëm 14 muaj pas rikthimit, u nda nga jeta në dhjetorin e vitit 1993, në moshën 73-vjeçare.

* Opinion i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura