Rrahman Parllaku: Prapaskenat e parlamentit të parë pluralist në 1945

Jul 16, 2017 | 15:56
SHPËRNDAJE

Rrahman Parllaku është sot 98 vjeç, por kujtesa e tij është për t’u pasur zili. Të lexuarit ka qenë “matematika” e tij e mendjes edhe në kohët më të vështira, atëherë kur vuante dënimin në burg. Plot 16 vjet e tre muaj, të cilët i mbushi me lexime të atyre librave që lejoheshin brenda qelisë, më së shumti shqiptarë, por edhe të huaj. Çdo gjë që lexonte ai e mbante shënim në një fletore, e cila sot del në dritë. Një dokument interesant, që mund të jetë një temë më vete studimi.

Rrahman Parllaku (në rreth) gjatë luftës
Rrahman Parllaku (në rreth) gjatë luftës

Sot, gjenerali i shquar, ish-pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndan me lexuesin e gazetës “Panorama” mendimin e tij për rolin e LANÇ. Interesant është rrëfimi i tij për parlamentin e parë pluralist, për kolegët e tij Riza Dani e Sejfulla Malëshova, mendimet e tyre pro pluralizmit apo për reformat ekonomike. Ai tregon për një nga momentet më të vështira për të, përjetuar në këtë legjislaturë, që lidhet me dënimin e Riza Danit, për akuzat që iu bënë në sallën e gjyqit dhe përgjigjen e Danit, që ai e kujton edhe sot. Për më tepër ai po përgatit një libër voluminoz, ku dëshmon edhe krimet e diktaturës.

HALIL RAMA

Si një nga komandantët legjendarë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që drejtoi me talent e trimëri të rrallë, që nga njësitet guerile të Vlorës deri Divizionin e V-të Sulmues që luftoi heroikisht për çlirimin e tokave të ishJugosllavisë, në Kosovë e deri në Sanxhak, gjeneral Parllakun pa dyshim që do ta tërheqë letërsia që i kushtohet pikërisht LANÇ-it. Në fletoren e tij interesante, përveç konspekteve të dhjetëra romaneve, gjejmë edhe atë të veprës “Nëpër analet e diplomacisë angleze” të Arben Putos, për të cilën ka shënuar:

“Në bazë të dokumenteve të Forein Ofisit, autori përshkruan planet e qeverisë angleze në politikën e saj ndaj luftës Nacionalçlirimtare të popullit tonë, me anë të të cilave ajo kërkonte të rriste ndikimin e saj dhe ta çonte në hullitë që desh ajo. Edhe me vendosjen e pushtetit popullor, në vitet e para pas çlirimit, ajo me anën e njerëzve të saj bëri presione të vazhdueshme, deri në provokacione, që qeveria jonë t’i nënshtrohej diktatit të saj?!”. Duke e konsideruar gjeneral Parllakun si strateg të formuar në udhëheqje të Luftës Antifashiste dhe në drejtimin për 30 vjet të ushtrisë shqiptare, nga kjo fletore e tij nuk është e vështirë të konstatosh se atë e tërhiqte letërsia që u kushtohej betejave historike të popullit tonë për liri e pavarësi kombëtare.

Fletorja e shënimeve mbajtur në burg nga Rrahman Parllaku
Fletorja e shënimeve mbajtur në burg nga Rrahman Parllaku

Ndaj nuk është rastësi që shënimi më i gjatë në këtë fletore i përket librit të Fan S. Nolit, “Historia e Skënderbeut”, ku gjejmë të renditura në mënyrë kronologjike pothuajse të gjitha betejat, kuvendet dhe ngjarjet më kulmore të jetës dhe veprës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për këto, si dhe për dhjetëra kryevepra të letërsisë botërore, pati “fatin” të diskutonte edhe me përfaqësues të elitës intelektuale shqiptare, si: Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Vaske Gjino, Gjergj Titani, Lipe Nashi, Agron Çomo, Nevruz Demiri, Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Xhavit Qesja, Gjin Marku, Sadik Bekteshi, Arif Hasko, Muhamet Prodani, Abaz Fejzo, Halim Ramohito, Spartak Ngjela, si dhe me dhjetëra bashkëvuajtës të tjerë në burgun e Burrelit. Për brezin e sotëm dhe brezat që do vijnë, kjo fletore, me vlera të rralla arkivore dhe muzeale, është një testament fjale.

RRËFIMI I GJENERALIT PËR SPECIFIKËN E LEXIMEVE NË BURGJET E DIKTATURËS

Për specifikën e leximeve në kohën e burgut, por edhe tani në moshën 98-vjeçare, gjeneral Parllaku ka një rrëfim befasues. Befasues për mënyrën e gjetjes së librave, por edhe për kohën e kushtet në të cilat lexonte. Pa u zgjatur, ja dhe rrëfimi i tij për këtë specifikë të veçantë: “Kohën në burg e kaloja kryesisht me lexim. Lexoja çfarë mund të gjeja në bibliotekë. Kam lexuar vepra të shkrimtarëve tanë, nga më të dëgjuarit e më të rëndomtit, romane, tregime, poezi, libra historikë; doja që vetëm të kisha diçka në dorë. Kur ishim në Tiranë, nuk kishte bibliotekë.

Kishte një dhomë, depo me libra. Kërkova të më lejonin t’i sistemoja në rafte, sipas gjinisë së shkrimit, që ta kisha më të lehtë të gjeja atë libër që doja të lexoja. Më lejuan dhe bëra një- farë ndarjeje, që më lejonte të lija librin e lexuar e të merrja atë që dëshiroja. Në qeli ishim dy veta. Llafet na mbaroheshin, gjatë izolimit në burgun e Tiranës na jepej për lexim vetëm “Zëri i Popullit”. E lexonim atë dhe bënim ndonjë koment. Por koha tjetër duhej kaluar, se edhe meditimet ishin të kufizuara. Vetëm leximi e mbushte kohën. Në burgun e Burrelit gjendja ndryshonte. Aty vinte gjithë shtypi, gazeta e revista; kishte një bibliotekë, megjithëse edhe aty librat ishin të kufizuar, kryesisht të shkrimtarëve tanë.

Por mund të gjendeshin edhe libra të përkthyer nga shkrimtarë të huaj. Aty kish mundësi për të porositur e blerë libra, po të ta mbante xhepi. Sigurisht lejoheshin ata libra të censuruar. Në qeli qe leximi, kurse gjatë dy orëve të ajrosjes, unë nuk qëndroja një minutë në vend. Vetëm do të lëvizja me hap të shpejtë. Edhe kur binte shi e borë, nuk e ndërprisja lëvizjen. Gjithë të tjerët futeshin brenda e polici roje mbetej vetëm me mua në oborr.

Gjatë gjyqit special i deputetëve në vitin 1946
Gjatë gjyqit special i deputetëve në vitin 1946

Për ta përballuar borën, shiun e llocën që krijoheshin aty, familjarët më kishin sjellë xhup, çizme llastiku; kunata më kishte qepur një pelerinë me material plastmase si ato ushtaraket me jakë. I pajisur me këto veshmbathje e vazhdoja lëvizjen në çdo kohë të motit, duke mos u ndarë asnjëherë nga leximi i librave. Por edhe brenda qelisë mbi dërrasat e shtratit, disa herë në ditë shkriftoja gjymtyrët me ushtrime gjimnastikore dhe më pas vijoja të lexoja librin e radhës. Leximi ka qenë dhe mbetet rregull i jetës sime. Edhe tani në moshën 98-vjeçare lexoj të paktën një libër në javë.

Po ashtu edhe lëvizja, ku edhe tani kur po i afrohem një shekulli jetë, bëj të paktën një orë ecje me këmbë në ditë”. Ndaj nuk është rastësi që, pikërisht ai, mjeshtri i të lexuarit dhe të përfituarit prej librit, por dhe autori i dy librave mbresëlënës te mijëra lexues, të marrë pjesë në mënyrë aktive në disa promovime librash të autorëve të ndryshëm, madje dhe të flasë me kompetencë e profesionalizëm për vlerat e tyre.

JO VETËM LEXUES, POR EDHE KRIJUES PRODUKTIV

Rrëfimin e mësipërm, si dhe pothuajse gjithë aktivitetin e tij ushtarak dhe civil, gjeneral-lejtënant (në pension) Rrahman Parllaku do ta përmbledhë në tre libra me kujtime. Si një enciklopedi e gjallë ai sjell ngjarje dhe fakte të paevidentuara më parë, që mund të shërbejnë si burim për historiografinë shqiptare. E dëshmojnë këtë dhe dy librat e botuar prej tij: “Mirënjohje për familjet vlonjate që më mbajtën si birin e tyre” dhe “Kosova e lirë, ëndrra e jetës sime”, botime këto të vlerësuara edhe nga akademikë të njohur, si Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Ana Lalaj, Dr. Bujar Leskaj, Dr. Auron Tare etj.

Përfundimi që del nga këto dy botime dinjitoze të Gjeneral Parllakut është se “populli ynë prej 1 milion banorësh, në kuadër të Aleancës Antifashiste të popujve të botës që udhëhiqej nga Anglia, nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dha një kontribut të çmuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Kjo, sipas tij, për faktin se Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare, me luftën për çlirimin e vendit, mbajti të angazhuara në luftë forca të shumta nazifashiste, që llogariteshin gjithsej deri 10 divizione dhe u shkaktoi atyre dhjetëra mijë të vrarë, të plagosur e robër lufte. “Po të mos ishin të angazhuara në frontin shqiptar, këto forca do të luftonin diku tjetër kundër ushtrive aleate.

Sejfulla Malëshova në Parlament në vitin 1945
Sejfulla Malëshova në Parlament në vitin 1945

Me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e atdheut, me luftën për çlirimin e Kosovës, me luftën e dy divizioneve shqiptare në territorin e ishJugosllavisë për çlirimin e Malit të Zi, të Sanxhakut e të Bosnjes dhe me goditjet kundër forcave të Gruparmatës E-RE në tërheqje nga Ballkani Jugor, ushtria shqiptare në Luftën e Dytë Botërore e radhiti me dinjitet Shqipërinë krahas shteteve më të fuqishme të botës që luftuan kundër nazifashizmit.

Ditën e fitores mbi nazifashizmin, shqiptarët u ndjenë krenarë, kur flamuri kombëtar u valëvit krenar krahas flamujve të shteteve fitimtarë”, shprehet gjeneral Parllaku. Ndërkohë, për vlerat e librave në proces, mjaftojnë qoftë edhe kujtimet për kohën kur ka qenë i zgjedhur deputet i Lumës që në legjislaturën e parë të parlamentit të parë pluralist. “Parlamenti ishte i përbërë nga intelektualë, njerëz të feve e shtresave të ndryshme dhe në përgjithësi ishin pjesëmarrës të luftës çlirimtare, por edhe figura të pakomprometuara me armikun gjatë luftës. Parlamenti vazhdonte punën intensivisht, pasi po punoheshin ligjet bazë të shtetit.

Zhvilloheshin debate të zjarrta mbi përmbajtjen e ligjeve, që lidheshin me reformat e ndërmarra në të gjitha drejtimet, veçanërisht në ekonomi”, nënvizon gjeneral Parllaku. Më tej ai vijon se zërat që dëgjoheshin më shumë në parlament nga udhëheqja e Partisë ishin Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, Ymer Dishnica, Shefqet Beja, Riza Dani, Gjergj Kokoshi, Andrea Sahatçi etj. Gjeneral Rr.Parllaku, si memoria historike e kombit, sjell të freskët në kujtesën e tij edhe mënyrën e funksionimit të legjislativit shqiptar të vitit 1945.

“Diskutime kishte edhe për formën e ligjeve. Aleksandër Xhuvani kërkonte formulimin e çdo ligji në gjuhën shqipe dhe kur gjente gabime, debatonte me profesor Kostaq Cipon për rishikimin e ligjit nga ana gjuhësore. Siç theksonte vazhdimisht profesor Xhuvani, ligjet duhej të ishin të sakta si nga ana juridike, ashtu edhe nga ana gjuhësore, pra të ishin shqiptare nga përmbajtja dhe nga forma e tyre”. Në librin në proces botimi të gjeneral Parllakut gjejmë qëndrimin liberal të Sejfulla Malëshovës në parlament ndaj forcave të tjera politike, siç kishte vepruar gjatë luftës, për t’i afruar ato me frontin nacionalçlirimtar dhe për t’i përfshirë në luftë kundër okupatorit.

Ai dënoi me tone të ashpra si ekstremizmin, ashtu edhe terrorizmin në Plenumin e Partisë Komuniste, mbledhur në Berat, në nëntor 1944. Edhe në parlament Sejfullahu nuk ishte për reforma ekonomike radikale. Këtë e tregoi që në hartimin e ligjit të parë për reformën agrare, ku ai u shpreh kundër kërkesave të partisë për reforma ekstreme. Fatkeqësisht një pjesë e mirë e këtyre reformave u rishikuan e u ndryshuan pas dënimit të Sejfullahut në plenumin e shkurtit të Komitetit Qendror të Partisë. Pas dënimit të vijës (oportuniste e liberale) së Sejfullahut, gjeneral Parllaku pohon se u godit edhe opozita në parlament. Opozitarët u quajtën përfaqësues të reaksionit në parlamentin shqiptar.

“Isha i ulur në sallën e parlamentit mes miqve të mi, Riza Danit dhe Zija Dibrës, të cilët i kisha propozuar vetë si kandidatë për deputetë të Shkodrës, dhe shtanga kur nga tribuna e parlamentit Riza Dani u akuzua direkt se përfaqësonte reaksionin në parlament. Rizai brofi në këmbë dhe u përgjigj vrullshëm: Unë Riza Dani përfaqësuakam këtu reaksionin?! Riza Dani, përfaqësues i lëvizjes demokratike në Shqipëri, anëtar i KONARE-së në emigracion, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste dhe Kryetar i Frontit Nacionalçlirimtar në Prefekturën e Shkodrës, po mbron në këtë parlament të drejtat demokratike dhe jo ato të reaksionit!”.

Edhe pse kanë kaluar 62 vjet, gjeneral Parllakut ende i ushtojnë në vesh fjalët e Riza Danit. E sjell të freskët në kujtesë atë moment fatal, pasi në momentin kur ai erdhi e u ul mes tyre, gjenerali, si dhe Zija Dibra janë ndjerë shumë keq dhe kanë mbetur pa fjalë. Kjo për faktin se po akuzohej Riza Dani, një nga përfaqësuesit më të mirë të elitës intelektuale të asaj kohe, dhe më pas do të vinte më keqja, dënimet dhe pushkatimet e grupit të deputetëve. Duke i parë nga distanca kohore krimet e kryera nga diktatura, autori i këtyre kujtimeve, që së shpejti do të gjejnë dritën e botimit në tri vëllime, shpreh bindjen se ato janë një akt i krenarisë së tij kombëtare, pasi jo vetëm hedhin dritë mbi krimet më monstruoze, por janë edhe një distancim e dënim kurajoz i tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura