Rozana Radi aksidentohet 3 ditë para spektaklit, dëmton gjurin (FOTO)

Mar 12, 2016 | 10:39
SHPËRNDAJE

Tri ditë para premierës së spektaklit “Your face sounds familiar”, konkurrentja Rozana Radi është rrëzuar gjatë provave duke përfunduar nga skena në një shtrat spitali.

Artistja dëmtoi gjurin mbrëmjen e së enjtes, dhe iu nënshtrua mjekimit të menjëhershëm pas aksidentit.

Edhe pse nga produksioni është lënë me pikëpyetje nëse ajo do të jetë e pranishme natën e parë të spektaklit të hënën, flitet se artistja ka vazhduar provat të premten.

rozana aksidentohet

Për gazetën “Panorama” ajo përshkruan emocionet e pjesëmarrjes në një “show”, ku imitimi duhet të jetë shumë rigoroz. Duke i cilësuar si net magji ato që pret të kalojë në këtë aventurë të re në ekran, Rozana ndan me ne detaje nga spektakli, ku do të imitohen yje botërorë mes të gjallëve dhe atyre që kanë ikur nga kjo botë.

Ja si e komenton këngëtarja këtë rendje të rrallë artistike nëpër shpirtra të mëdhenj nga një yll botëror në tjetrin.

Je një ndër 7 artistët që do të ngjiten në skenën e “Your face sounds familiar”, versioni shqiptar i spektaklit, ku personazhe të njohur imitojnë ikona të skenës botërore të muzikës. Është ky formati ku gjen më shumë veten?

Më ka pëlqyer gjithmonë të imitoj të tjerët, por jo se i kam studiuar siç mund ta bëj tani me këtë spektakël. Tani duhet t’i studioj, sepse pak a shumë duhet të këndosh dhe të lëvizësh si ata, duhet të jesh më rigoroze në imitimin e këtyre personazheve europianë dhe botërore. Duhet të dish si kërcejnë, si qeshin, si e mbajnë gojën duke kënduar… Domethënë janë shumë elementë që të bëjnë të shkosh te figura perfekte e një personazhi.

Premiera do të jetë të hënën e 14 marsit, po ti si cili artist do të performosh natën e parë?

Premiera është të hënën, në orën 20:00. Nuk është hedhur ende shorti se çfarë këngëtareje do të performoj. Çdo javë do të hidhet nga një short, ku në bazë të tij, ne konkurrentëve na përcaktohet këngëtari apo këngëtarja që do të imitojmë. Kështu që mbetet surprizë.

Ti vetë me cilën ikonë botërore ndien se ke më shumë ngjashmëri?

Përgjithësisht, s’kam dashur t’i ngjasoj askujt apo të imitoj dikë, flas për zërin ose lëvizjet. Përsa i përket veshjes, nëse do kthehesha pas në kohë, për t’u veshur në videoklipet e mia do të eksperimentoja si Lady Gaga, sepse është personazh i veçantë në llojin e vet.

Do të pësosh transformime në pamje për t’u ngjasuar yjeve, dhe cili mund të ishte një ekstrem i yti?

Ekstrem mund të ishin karakteret e meshkujve, nëse do më duhet të imitoja ndonjë mashkull dhe për të treguar se deri ku shkon mundësia për t’iu afruar figurës së tyre.

Të ndodh shpesh në jetën e përditshme të të thonë “fytyra jote duket e parë”?

Jo, nuk më ka ndodhur në jetën time të përditshme të më thonë “fytyra jote duke e njohur”. Nuk di pse ndodhin këto gjëra. Disa persona që kanë idhuj persona publikë dhe përpiqen t’i imitojnë në jetën e tyre me flokët, grimin, etj. Kështu, ndonjëherë më ka rastisur t’u them unë të tjerëve që ngjan me dikë, ndërsa mua jo, nuk ma ka thënë njeri deri më sot.

Do të maskoheni me grim e paruke njësoj si në teatër. Ti vetë si ke menduar të godasësh në publik me sharmin tënd aktorial?

Mendoj që është një punë shumë e madhe, që i takon Lili Ismajlit, që do të jetë aty për të na transformuar e për të na bërë sa më afër personazheve të mëdhenj botërorë e ndoshta shqiptarë, që do të kemi fatin të imitojmë. Si kam menduar të godas? Unë do bëj atë që di të bëj më mirë, të aktroj dhe t’i afrohem sa më shumë personazhit. Ideja është që duhet ta besosh që je ai personazh në të vërtetë, sepse nëse e beson vetë, dhe të tjerët e besojnë.

Jo vetëm look-u, por edhe zëri është domosdoshmëri në këtë spektakël imitimesh. Mund të na zbulosh hit-et botërore të zemrës, që do të doje t’i këndoje në një skenë të madhe?

Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të dilja në skenë dhe do të imitoja këngëtarë botërorë, sepse këtu nuk ekzistonte një format i tillë. E shumta që mund të kisha menduar, ishte që mund të imitoja ndonjë shqiptar.

Në garë me Anxhela Peristerin, Era Rusin, Kastro Zizon, Adelina Tahirin, Endri Priftin, Besnik Qakën e NRG Band. Me cilin ndjen rivalitet të fortë dhe pse?

Jam mësuar të mos komentoj kolegët e mi. Jeta më ka bërë të tillë, ndaj s’dua të komentoj asnjërin. Do të doja ta kaloja këtë eksperiencë shumë mirë me ta, duke qenë se jemi në të njëjtin profesion dhe miq prej vitesh. Jemi të privilegjuarit, që u përzgjodhëm për premierën e këtij spektakli.

Nën lëkurën e kujt prej të famshmëve që do të imitoni, si Britney Spears, Lady Gaga, Amy Winehouse, Pavarotti, Michael Jackson etj. ndihesh më rehat?

Nga të gjithë emrat që u përmenden, ndihem më mirë nën lëkurën time. Janë personazhe që duhen studiuar. Nëse do të vija ndonjë paruke, mund të thosha që ndihem nën këtë lëkurë apo te tjetra më mirë. Ende s’kemi startuar dhe në momentin që po flasim, jam me flokët dhe veshjet e mia, dhe nuk e di cili do të jetë personazhi që do të më bëjë të ndihem më mirë.

Disa prej tyre kanë ikur nga kjo botë shumë të rinj. Cila është marrëdhënia jote me vdekjen dhe si ndikon frika për të, në mënyrën si e jeton jetën?

Është e vërtetë që shumë artistë kanë ikur nga kjo botë në moshë të re, dhe i kam përjetuar shumë keq të gjitha ndarjet nga jeta të të gjithë artistëve që nuk jetojnë më, sidomos kur ikin të rinj. Trishtohem shumë, se të gjithë artistët, mes tyre këngëtarë, shkrimtarë, aktorë, regjisorë janë pjesë e jetës sonë, kemi jetuar me ta dhe kur ikin, na duket sikur ikin pjesëtarë të familjes. Ndaj këtë marrëdhënie me vdekjen nuk e kam fare të mirë, por mundohem që mos ta mendoj shumë. Kur mendoj që ne një ditë nuk do të jemi më, trishtohem. Unë e dua shumë jetën dhe ndihem keq kur flas për vdekjen.

Po përballë një jurie me anëtarë si Arian Çanin dhe Bleona Qeretin si ndihesh?

Të them të drejtën, unë nuk jam në këtë spektakël sepse ka një juri, dhe nuk është se do të kem probleme nga gjykimet e tyre, sepse ata nuk është se do të gjykojnë Rozanën, por personazhin që do të sjell unë. Kështu që i mirëpres komentet e tyre, dhe shpresoj t’i kënaq ata, ashtu siç do doja unë të kënaqesha nga performancat e kolegëve të mi.

Meqë kaluam 14 shkurtin, e vërtetë që e festove ditën e dashurisë në Paris dhe çfarë dhuratash shkëmbeve?

14 shkurtin e kalova duke kënduar në Korçë. Isha me motrën dhe tezen, dhe të nesërmen u nisëm drejt Selanikut. Kaluam perfekt, siç duket edhe nga fotot që kam postuar në rrjetet sociale. Nuk kam qenë në Paris, siç është komentuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura