Rosela: Në klipin tim të ri vij me Vullnet Ibrahimin, kemi kombinim perfekt

Mar 19, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Në foto: Rosela Gjylbegu dhe Vullnet Ibrahimi
Rosela Gjylbegu rikthehet pas dy vitesh me një klip të ri, këtë herë në duet me kantautorin nga Maqedonia, Vullnet Ibrahimi. Muzikanti nga Struga, i cili u bë i njohur si autor i këngës “Më lër të fle” të Redon Makashit, duket se gjithmonë e më shumë po synon bashkëpunime me këngëtarë nga Shqipëria. Kësaj here ia kishte vënë syrin Roselës, për të realizuar me të një duet, një baladë romantike. “Kënga ime e re publikohet në kanalet muzikore këto ditë dhe është një duet me Vullnet Ibrahimin. Kishim kohë që e planifikonim këtë bashkëpunim, po për shkak të impenjimeve në punë u zgjat pak. Mendoj se kemi realizuar diçka të thjeshtë, një baladë të ëmbël romantike, ndaj uroj të pëlqehet nga publiku!” Për sa i përket bashkëpunimit me Vullnetin, Rosela shprehet: “Në fakt ishte ftesa e tij për duetin. Po ashtu mund të them se kemi një kombinim perfekt zërash, pra përshtatemi shumë si ngjyra vokale”. Rosela rikthehet pas dy vitesh me klip të sajin, pas atij më titull “Pafundësi”. Në festivalin e fundit “Kënga Magjike” ajo pati sukses me një tjetër baladë të kompozuar nga Adi Hila, me titull “Rri me mua”.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura