“Romeo e Zhulieta”, kthim në Tiranë pas rënies së piramidave

Mar 18, 2011 | 8:48
SHPËRNDAJE

Përpara 15 vitesh Romeo dhe Zhulieta dashuronin në një kohë krize. Kur piramidat financiare shkërmoqeshin si piramida rëre, ndoshta askujt nuk i binte ndër mend se mes gjithë asaj zallamahie dy të rinj sakrifikonin jetën për dashurinë.Sot, ashtu si për shekuj me radhë, historia e Romeos dhe Zhulietës vazhdon të jetë njëlloj tragjike. Shekspiri ndaj dhe është i pavdekshëm. Po aq tragjike dhe e gjithëkohshme është edhe muzika e Sergei Prokofievit, i cili ka muzikuar tragjedinë e famshme, e cila vjen kësaj here përmes gjuhës koreografike.
Sot në mbrëmje, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të shfaqet premiera e baletit “Romeo dhe Zhulieta”. Për të ngjitur në skenë këtë vepër është ftuar në Tiranë mjeshtri koreograf Peter Lukanov, një nga baletmaestrit më të vjetër të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Sofje të Bullgarisë. Ndryshe nga vënia e mjeshtrit Agron Alia tetorin e vitit 1996, i cili e vendoste historinë shekspiriane në një kontekst shqiptar, 79-vjeçari sjell një variant klasik të veprës. Montagë e Kapuletë kthehen në Verona. Me një pamje të qetë e të duruar, mjeshtri bullgar është përpjekur që në një periudhë shumë të ngjeshur kohore të arrijë më të mirën nga balerinët shqiptarë. Përveçse një vepër që duhet të përcjellë nota të forta emocioni te publiku përmes lëvizjes, këtë pjesë e bën edhe më të vështirë e të komplikuar muzika e Prokofievit. I njohur si një nga kompozitorët më të mëdhenj të shekullit XX, muzikanti rus krijoi një variant tërësisht të paparashikueshëm të historisë më të famshme të dashurisë. Varianti origjinal kishte një fund të lumtur për Romeon dhe Zhulietën, por nuk u vu asnjëherë në skenë për shkak të kritikave të forta në të cilat hasi. Gjithsesi, “Romeo dhe Zhulieta” është një nga veprat më të vështira nga ana e interpretimit orkestral, për shkak të variacioneve të shumta muzikore. Puna me orkestrën i është besuar mjeshtrit të dirigjimit Ermir Krantja. Skenografia është përgatitur nga Agim Zajmi, ndërsa kostumet mbajnë firmën e Tzvetanka Petkova – Stoynova dhe vijnë nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Sofje. Rolet kryesore, ato të Romeos dhe Zhulietës, u janë besuar dy çifteve të balerinëve, Enada Hoxha e Gerd Vaso, si dhe Odeta Dishnica e Ervis Nallbani. Përveçse partnerë në këtë pjesë, balerinët janë partnerë edhe në jetë, dhe kjo e bën ndoshta edhe më të ndjerë interpretimin e tyre. Aq më tepër kur këto role janë të lidhura edhe me jetën e tyre personale. Kanë kaluar shumë tanimë kur Hoxha e Vaso kanë interpretuar këto role dhe madje janë dashuruar teksa përgatiteshin për to.
Vënia e ’96-ës
Ishte tetor i vitit 1996 kur drejtuesit e Teatrit të Operas dhe Baletit menduan të ngjisin në skenë një vepër që përçonte dashuri. Ishte një kohë e vështirë dhe jo shumëkush e kishte mendjen tek arti. Kriza e thellë ekonomike dhe politike që po trokiste në derë, si pasojë e falimentimit të firmave piramidale, kishte përfshirë edhe artin e kulturën. Shumë artistë, mes të cilëve edhe balerinë, ishin larguar jashtë vendit. Pikërisht në këtë kohë të zymtë, koreografi Agron Aliaj, aso kohe edhe drejtues artistik i trupës së baletit, vendosi të ngjisë në skenë baletin “Romeo dhe Zhulieta”, me muzikë të Sergei Prokofievit. Ishte një variant modern i kësaj vepre, që i vendoste personazhet në Shqipërinë e piramidave, çka paraqitej edhe në skenografi. Pjesa u shfaq më 20, 24, 26 tetor 1996. Në rolet kryesore interpretonin: Reida Dobi në rolin e Zhulietës, Resmi Malko në atë të Romeos, Tibaldi u interpretua nga Ilir Sibri, Merkucio nga Gerd Vaso, Parisi nga Besnik Llushi, Frate Lorenzo nga Albert Janku etj.

Baleti

Titulli:     “Romeo dhe Zhulieta”
Balet me tre akte
Muzika:     Sergej Prokofiev
Skenografia:     Agim Zajmi
Kostumet:     Tzvetanka Petkova – Stoynova
Mjeshtër koreograf:     Peter Loukanov
Koncertmaester:     Enina Llozi
Dirigjent:     Ermir Krantja
Interpretojnë:
Zhuljeta:     Enada Hoxha, Odeta Dishnica
Romeo:     Gerd Vaso, Ervis Nallbani
Tebaldi:     Sokol Zhugri
Merkucio:     Endri Shkoza, Helios Papadhima
Parisi dhe Escalus:     Dion Gjinika
Benvoglio:     Fatjon Lito etj.
Shfaqet në datat:     18, 19, 21 dhe 22 mars

Koreografi 79-vjeçar

Koreograf, pedagog dhe drejtues teatrosh, Peter Loukanov, i ditëlindjes 1931, e nisi shumë herët rrugën e baletit. Ndonëse nisi si balerin, ndërsa ishte ende student, ai ka ngjitur në skenë vepra nga Prokofiev, Stravinski, Gershwin. Për vite me radhë, duke filluar që nga 1967-a, ka qenë baletmaestër dhe drejtues i trupës së baletit në National Opera and Ballet House. Prej marsit 2006 është zëvendësdrejtor i trupës së baletit në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Sofje. Paralelisht i është kushtuar mësimdhënies në Akademitë e Bullgarisë dhe Rusisë. Prej vitit 1965 ka prodhuar 73 balete, 17 prej të cilave premiera botërore. Ndër to mund të përmendim tituj si “Hirushja”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Katedralja e Parisit”, “Bolero”, “Krijimi, vdekja dhe ringjallja” etj. Është nderuar me një sërë urdhrash dhe titujsh kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura