Romani i Çun Lajçit për “Bastardët”: E kam perifrazuar edhe Edin, por s’mund të mbaj as anën e Lulit. Ja gabimet e Albin Kurtit

Oct 8, 2020 | 15:15
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Pasi zbriti në Tiranë dhe takoi lexuesit e tij në sheshin “Skënderbe”, ndalesa e radhës e artistit Çun Lajçit ishte në Shkodër. Gjatë promovimit të librit të tij më të fundit “Bastardët”, dhe shitjes së botimeve të tjera në “Pedonale”, aktori u ndie më i përkëdhelur se kudo në qytetin e kulturës.

bastardet e cun lajcit

Në këto takime me lexuesin, ashtu si edhe në libër, e thotë pa droje se “Bastardët” janë ata që i vunë shkopinjtë “nën rrota” fatit të kombit tonë.

Mirëpo ai është i vetëdijshëm se në trojet shqiptare, kur bën pohime si ky, e aq më tepër rrëfime të shkruara, duhet të presësh shigjeta të helmosura, që do të tentojnë të përdhosin figurën, karrierën e deri familjen e dhimbjen personale.

Çun Lajçi është i ndërgjegjshëm se kritika nuk u pëlqen të krekosurve në “pallatet e qelqta”, ndaj ai e zbret veten në rrethin më të errët të fyerjeve. Që në hyrje të romanit të tij 245 faqesh (i ndarë në dy pjesë) vetëquhet “bastard”, “kopil”, “kopil kopili” duke e lënë propagandën e politikës duarthatë në sulmin ndaj tij, e më pas… u “lëshon pas hijen e Artistit, që as shkelet e as vritet”…

Nuk u kursen mendimin e tij të lirë e kritik, që politikanët, këtej e andej, siç tregon, shpesh edhe e përdorin për interesat e tyre (si në rastin e Teatrit Kombëtar). Apo në raste të tjera, kritika pasohet nga thirrje anonime kërcënuese, siç ai rrëfen në romanin e tij.

“Kur nji njeri e ndërton një urë, i thonë t’lumshin krahët! Por, kur njeriu, e rrënon urën, a duhet t’i themi prapë t’lumshin krahët? E pse t’shkoj unë mbas filanit a fistekut, që e kanë shkatërruar këtë vend, e prapë t’iu them ju lumshin krahët”, shkruan Lajçi.

Historia e “Bastardëve” shikohet nga këndi i vështrimit të një artisti, që jetoi e jeton pasojën e shumë vendimeve e gabimeve të tyre, bashkë me atdhetarët e tij. Në të, një vend të veçantë sa i përket rrjedhës politike të ndodhive është komunikimi i tij me Albin Kurtin; këshillat, kritikat, që ai i jep “si ati-birit”, si dhe shpresa e një rikthimi, që nuk është shuar ende nga zemërimi.

Ndoshta është pesha e viteve dhe e ngjarjeve të fundit personale e atyre sociopolitike që e bën Lajçin të rrugëtojë në të kaluarën, kujtimet e fëmijërisë, varfërisë së skajshme, sakrificave të prindërve deri te ndarja fizike me ta. Humbja e nënës, shuarja e të atit para syve, largimi i përjetshëm i bijës, Bubulinës, dhe ai përqafim i tre njerëzve të shtrenjtë në Rugovën e tij. Romani “Bastardët” tregon copëza jete të vetë aktorit, pa e shkëputur nga sfondi social e politik.

Takime me personalitete të njohur si kolosët e teatrit dhe kinemasë edhe në Shqipëri. Rrugëtimi i tij “i çmendur” në 1972-shin, kur ecte këmbëzbathur në sheshin “Skënderbe”, e biseda me mikun e mirë Rikard Ljarjan, për të cilin ruan brengën e pamundësisë së një lamtumire të denjë për shkak të pandemisë. Prej izolimit që kjo sëmundje imponoi, ajo që e vret më tepër artistin shkrimtar duket se është pikërisht dhimbja e madhe që mbetet tek ata që s’mundën të ndaheshin me të dashurit e tyre, që humbën betejën.

Në këtë rrëfim për “Panoramën”, Lajçi flet pa “dorashka” për ata që quan “Bastardët” e atdheut; gabimet, që sipas tij, bëri Albin Kurti; pse është kundër “mini-Shengenit ballkanik” dhe takimeve të Ramës me zyrtarët serbë, pa u konsultuar me krerët e qeverisë në Kosovë. Ai flet edhe për braktisjen e Parlamentit nga Lulëzim Basha dhe deputetët e PD-së, si dhe mungesën e dialogut mes palëve.

Zoti Lajçi, jeni nga ata artistë që nuk qëndroni indiferentë ndaj problemeve politike dhe fateve të kombit shqiptar. Në formë revolte, publikut i flisni kësaj here me librin tuaj më të fundit “Bastardët”, ku nuk kurseni as figurat politike kryesore të Shqipërisë… Çfarë ju nxiti t’i përfshinit në këtë rrëfim?

Te “Bastardët” unë kam ndërthurur, ndër të tjera, bastardimin e krerëve tanë politikë, qoftë në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Në këtë libër i kam thurur ngjarjet “si thuprat gardhin”, me tregime të miat jetësore. Mirëpo, duke i shkruar këto tregime, kisha një lëndim të madh shpirtëror, të shkaktuar nga këto degradime politike që vërejmë herë pas here. Pasi, nëse do të kishim një taban lirie, siç e ka Amerika, atëherë e di se ata e kanë shtruar atë në mënyrë të çeliktë, edhe nuk zbresin këtu poshtë. Mirëpo ne ende s’kemi rrënjë.

Në këtë libër vihet re komunikimi juaj i veçantë me Albin Kurtin, si ati-birit. Veçoj porositë që i jepni në kohë të ndryshme, si para se të zgjidhej Kryeministër i Kosovës… Ç’mund të na thoni rreth këtij raporti të krijuar, ku ndonëse ndihet një valë zemërimi, besimi duket se nuk ka humbur?

Kam bërë një poezi ku ndër të tjera shkruaj: “Në orët e vona i fola djalit për shiun që do të bjerë rrëke nesër/ I fola dhe për diellin që do të pjekë, i fola dhe për breshnin/ I fola dhe për mjegullat që mund t’i mbulojnë karadaken/ por edhe për borat që mund t’i nxë gryka”. Unë i fola Albinit në mënyrën më njerëzore. E porosita që në radhë të parë të mos shkelte mbi gjithçka që është ndërtuar. I sugjerova të mos mbyllej në vetvete, por të këshillohet me ata njerëz që i kishte zgjedhur rreth vetes. E porosita të mos bëhej idealist. Ta harronte Bajram Currin, Adem Demaçin apo Fan Nolin, pasi ajo qe koha e tyre, e që tani ka shkuar.

E këshillova të mos ik nga “Shpëtimtari”, pasi edhe nëse ai nuk pajtohet me të, është ai që na solli një grimë lirie. Pra, nëse dëshiron të rrish në krye të një shteti qe e ka shpëtuar një “i fortë”, siç është Amerika, s’mund t’i dalësh kundër. Përpos kësaj, një kryetar shteti duhet të bashkëpunojë me presidentin, pavarësisht nëse e pëlqen apo jo Hashim Thaçin. Pra, nuk mundesh të udhëheqësh një shtet nëse e quan armik të parin e një shteti dhe përpiqesh t’i vendosësh hekura, mes këtij apo atij.

Po ashtu, e kam këshilluar që pavarësisht nevojës për koalicione, të mos i nënshtrohet kurrë Isës (Isa Mustafa, kryetar i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës), duke i thënë: Nuk lipset t’i përkulesh askujt, aq më pak komunizmit, pasi ajo është rrënjë e kalbur në ikje! Masandej e porosita që të mos bëjë gabimet e Ramushit. Ai i vuri taksë Serbisë, pa pëlqimin e Amerikës, dhe ata e hoqën. I thashë se “do të të heqin edhe ty, pasi ti me ngulm po kërkon reciprocitet e ajo po të thotë ‘jo'”.

Në letrat e fundit ndiheni disi i zhgënjyer prej zgjedhjeve të tij. Albini i ka lexuar letrat dhe cili ka qenë reagimi i tij?

I ka lexuar të gjitha dhe nuk është idhnuar. Në fund i shkrova letrën ku e këshillova të punojë me veten dhe ta riformatojë partinë e tij. Madje i thashë se “nuk je ai për të cilin ne kishim shpresuar”. Kjo sepse një kryetar shteti duhet ta gjejë guximin në vetvete e të shkojë kur ia kërkon detyra edhe në Uashington. Unë jam plak, po kam qenë shumë kureshtar ta vendosja veten në një rol të jashtëzakonshëm.

E kam luajtur “Kaligulën” në mënyrën më rigoroze, dhe besomëni, nuk ka rol më të vështirë në karrierën e një aktori. Dhe ai duhet të thoshte: “Unë jam Kryeministër dhe duhet të shkoj të shikoj a ka apo jo plane për copëtime hartash. Dhe pastaj atë që do të diskutohet, do t’ia them elektoratit tim”. Por duhet që të ulesh fillimisht në bisedë e jo të flasësh me paragjykime prej Parlamentit.

Mes këtyre trazirave politike në Kosovë, del në pah një figurë femërore me potencë intelektuale, që duket se ju e keni përzemër. Sa premton Vjosa Osmani në këndvështrimin tuaj?

Vjosa ka unin e vet, madje mund të them edhe më shumë se Albini. Ajo është pjesë e një partie, por nuk i nënshtrohet mendimit të tyre. Të jesh anëtar i një partie, s’do të thotë që duhesh të jesh gjithmonë në të njëjtin mendim me kryetarin. Nëse kështu ndodh, do të thotë se ti je në atë parti thjesht për të dhënë një votë më shumë. Në këtë aspekt Vjosa i njeh dhe zbaton mirë konceptet e demokracisë, dhe unë i besoj karrierës së saj politike. Mendoj se idetë e saj janë shumë të shëndetshme për shtetin tonë.

“Kundër mini-Shengenit”, Lajçi: “E kam perifrazuar Edin te ‘Bastardët’, por s’mund të mbaj as anën e Lulit. Nuk merret pushteti me dhunë, duke kallur vendin”

Si e shikoni qasjen e politikanëve të Shqipërisë ndaj Kosovës? Kam parasysh këtu edhe tryezat e dialogimit që bëhen me Serbinë, ku përfaqësuesit e Kosovës mungojnë, përfshirë dhe bisedimet për “mini-Shengenin ballkanik”…

Unë nuk jam pajtuar me “mini-Shengenin”, sepse për një temë të tillë duhet të thoshin fjalën e tyre të gjithë shqiptarët. Ndonëse u vunë re mendime të kundërta, unë e quaj të gabuar kur politikanët e Kosovës i thonë Edi Ramës “pse po flet ti për Kosovën, se ne kemi Kryeministrin tonë”. Mendoj se diçka e tillë është e gabuar, pasi në këtë formë ia humbet primatin e shtetit kombëtar. Ne jemi një trung! Pavarësisht se Kosova është shpallur shtet i pavarur, është vetëm një degë e këtij trungu.

Nga ana tjetër, nuk pajtohem kurrë me Edi Ramën, i cili ulet e diskuton me Vuçiçin, pa ardhur e pa u konsultuar mirë me tanët. Pa shtruar pyetjen se “çka është duke bërë për Kosovën” si Kryeministri i një shteti shqiptar, që i ka një 100 vite, e medoemos edhe lidhje më të forta. Ai duhet të pyesë edhe tanët, t’u thotë: “Vuçiç po kërkon një mini-Shengen, çka të bëjmë”?

Jo të thotë: “Pse nuk erdhën dhe përfaqësues nga Kosova”. Kosova aty nuk mundet të vijë, pasi siç Edi Rama e di, Serbia neve na ka ende në Kushtetuesen e vet. Dhe sigurisht në këto rrethana ai s’ka guxim t’i thotë Vuçiçit: “do ta përfshijmë edhe Kosovën në ‘miniShengen'”. Janë këto pra divergjencat politike që e bëjnë situatën shumë të dhimbshme. Prej inatit edhe pasurisë që i ka mbytur politikanët tanë, nuk duan më të pyesin njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, kemi mbërritur tek ajo thënia e popullit “dy atllarë nuk lidhen në një hu”… Ky at këtej, ai andej, dhe kjo është e zeza e kombit.

Te “Bastardët” ju flisni edhe për marrëdhënien mes krerëve të partive të mëdha në Shqipëri. Si e gjykoni qëndrimin e Lulzim Bashës, sa i përket braktisjes që i bëri Parlamentit, si dhe mungesën e dialogut mes palëve?

E kam perifrazuar në shumë vende Edin te “Bastadërt”, por s’mund të mbaj as anën e Lulit. Madje në kohën që u bënë protestat para Kryeministrisë, unë i shkruaj një poezi ku them “Edhe Luli vocërr qofsh, por edhe Gjergj Kastrioti qofsh, nuk kallet Shqipnia prapë, as për një Ed, as për një Çun, apo për një Sali”. Kjo edhe sepse unë jam burrë plak, e si i tillë mundohem të ul gjakrat, t’i këshilloj t’i afroj. Edhe mbi 7 “vëllazën” të jenë, duhet të ulen vëllavrasjet. Nuk merret pushteti me dhunë, duke kallur vendin. Nuk jam pajtuar kurrë edhe me zgjedhjen e tij për të braktisur Parlamentin. Në ka diçka që mund të bëjë për këtë vend, atë mund ta bëjë në Parlament.

Pra, mos i ndal betejat e tua, por bëje luftën aty ku gjen vend. Jo të largohesh dhe të lësh Parlamentin me një parti brenda, duke tradhtuar dhe besimin e votuesve. Kallja e qytetit nuk më duket zgjidhje, sepse të gjitha ngjarjet e dhunshme reflektohen edhe te diaspora jashtë. Njerëzit tanë andej s’gjejnë më atdhe, as atje ku janë e as këto. Vijnë në Shqipëri shikojnë Edin që bunkerizohet, vijnë në Kosovë e njëjta situatat. Po ashtu, një situatë e tillë reflektohet edhe në Kosovë. Çfarë përkrahjeje mund të presë ky shtet nga Shqipëria, kur politikanët shkojnë si macja me miun me njëri tjetrin? Pra, e pësojmë ne, diaspora, shqiptarët e Malit të Zi e deri te Lugina e Preshevës….

Kush përfiton atëherë nga krijimi i një atmosferë të tillë politike në vend?

Ata që përfitojnë janë “Bastardët” e atdheut, për të cilët unë flas në librin tim. Unë aty qëllimisht e quaj veten “kopil”, sepse mua mund të më që quajnë sa të duan “të poshtër”, “kryebastard”, por prej meje nuk varet fati i atdheut. “Bastardët” janë pikërisht ata që e vendosin gabim fatin e atdheut dhe s’kanë pse hidhërohen kur i quajmë si të tillë. Ata kanë zgjedhur me dëshirën e tyre të jenë ministra, kryeministra, në krye të një shteti. E pakta që mund të bëjnë është të durojnë reagimet ndaj gabimeve që kanë bërë. Njerëzit në rrethana të tilla mund të të kritikojnë, të të mallkojnë deri edhe të të quajnë “bastard”. Kur këta politikanë kanë dalë në ballë të popullit, e kanë ditur mirë se në bazë të asaj që do të bëjnë, populli ose do t’i vlerësojë, ose do t’i gjuajë me gurë.

* *Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura