Riza, Meksi e Thomo, si “Mjeshtra të Arkitekturës”/ Mesazhi i fortë për përzgjedhjen e drejtuesve dhe mbrojtjen e monumenteve, Vokshi: Të ruajmë identitetin

Oct 2, 2020 | 21:01
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, në kuadër të Festivalit të Arkitekturës Moderne Shqiptare (FAMA), vlerësoi me titullin “Mjeshtër të Arkitekturës” Emin Rizën, Aleksandër Meksin dhe Pirro Thomon.

6c5cffd5-03ae-434d-b4d2-7c2955ca3dd3

   Gjatë ceremonisë së ndarjes të çmimeve nga SHASH

Tre arkitektët restauratorë më në zë në vend u dekoruan në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, pikërisht në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë. Një ditë, që siç nënvizon kryetari i kësaj shoqate dhe njëherazi dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Armand Vokshi, sjell në vëmendje aktin e fortë patriotik të tre ushtarakëve, Kamber Bënjës, Bexhet Manastirliut dhe Abaz Tushanit, që 104 vite më parë ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apolonisë, gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Simbolika e kësaj date është përzgjedhur për të shprehur mirënjohjen ndaj profesorëve, punën e palodhur dhe kontributin e tyre në evidentimin, studimin, mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë së monumenteve të arkitekturës në Shqipëri”, u shpreh Vokshi.

Më tej ai shtoi se vlerësimi i arkitektëve restauratorë në këtë periudhë kritike për trashëgiminë kulturore të vendit mbart në vetvete edhe dy mesazhe të qarta sa i përket ruajtjes së tyre.

“Shqipëria ndodhet një moment drastik të fytyrës së saj, ndaj ka ardhur koha që ne të mendojmë ndryshe. Të mendojmë siç kanë bërë këta specialistë përgjatë kaq dekadash dhe nga sot t’i përkushtohemi ruajtjes së vlerave të identitetit që kemi në vendin tonë. Mesazhi tjetër shkon për arkitektët e rinj, që duhet të njihen me veprën e profesorëve, për t’u treguar vlerat e trashëgimisë që kemi, por edhe për t’u mësuar se në fakt e ardhmja nuk është arkitektura bashkëkohore, por restaurimi”, tha kreu i SHASH.

Gjatë ceremonisë ishin të pranishëm specialistë e dashamirës të trashëgimisë kulturore në vend, ndërsa çmimin në vend të Meksit, e mori i biri.

Redon Meksi, gjatë marrjes së vlerësimit, lexoi një letër të të atit, ku thuhej ndër të tjera se “ndonëse të tre e kemi nisur punën e gjurmimit, mbrojtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore në vitin 1962, ne vijojmë edhe sot të merremi me të, ATËHERË KUR NA KËRKOHET. Ne kontribuojmë dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë, sa herë që të mundemi me botimet tona”.

Ndërsa Thomo shprehu entuziazmin e tij për faktin se vlerësimi vjen nga brezi i ri i trashëgimisë kulturore.

“Kjo për mua është njëlloj garancie dhe më bën optimist për faktin se puna jonë do të ketë vijueshmëri edhe më të mirë në të ardhmen. Pra, stafeta kalon në një dorë të sigurt, te rinia që ka respekt për vendin e vet, si dhe kushte e njohuri më të mëdha se tonat. Të gjitha këto janë elemente të nevojshme për të çuar përpara këtë mision të shenjtë që kanë marrë”, tha ai.

“TRESHJA MAGJIKE E TRASHËGIMISË”, RIZA KUJTON FILLESAT E PUNËS

Emin Riza, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, në vitin 1962 emërohen në grupin e kulturës materiale në Seksionin e Monumenteve, që asokohe ishte në varësi të Institutit të Historisë dhe i Gjuhësisë. 3 vite më vonë, seksioni në të cilin treshja punonte do të krijonte Institutin e Monumenteve.

Ata kanë një kontribut të madh sa i përket gjurmimit, studimit dhe restaurimit të monumenteve që kanë vlera në vend. Riza është marrë me studimin e restaurimin e arkitekturës popullore, Meksi me arkitekturën e kultit, ndërsa Thomo me të dyja këto tipologji ndërtimesh. Mjeshtrat që patën fatin të punonin me arkitektin dhe themeluesin e koncepsionit shqiptar për restaurimin, Gani Strazimiri, ndihmuan më pas në përgatitjen e brezit të dytë të arkitektëve dhe restauratorëve.

Specialisti i njohur trashëgimisë, Emin Riza, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, solli në vëmendje zanafillën e punës së tyre.

“Ne nuk gjetëm pothuajse asgjë në grupin e Institutit të Monumenteve, por aty ishte drejtuesi i qendrës dhe njeriu i përkushtuar Gani Strazimiri, të cilit i jam mirënjohës nëse sot e quaj veten specialist të fushës”.

Pavarësisht jetës modeste në raport me kontributin e tij në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore vendase, Emin Riza ka zgjedhur në çdo rast të lërë mënjanë lakmitë e interesat personale, duke ngritur zërin ndaj asaj që mund të cenojë vlerat monumentale. Edhe në këtë rast, vlerësimi nuk ia përkëdhel sedrën, por i kujton përgjegjësitë si profesionist i fushës.

Duke iu referuar institucioneve që kanë në ngarkesë fatin për mbrojtjen e monumenteve, Riza rikujtoi parimin e trashëguar nga profesori i tij “që çdo kuadro duhet të formohet përmes punës”, dhe më tej ai bëri sugjerimet e tij.

“Ne kemi ende sot një trashëgimi jashtëzakonisht të rëndësishme, që mund ta zhvillojnë më tej brezi i ri i talentuar. Por sa u përket përzgjedhjeve të drejtuesve të rinj, duhet menduar një e mesme e artë. Demokracia nuk nënkupton se është drejtori ai që i di të gjitha. Por institucionet duhet të jenë të përgatitura për të folur në mënyrë profesionale dhe me argument, si dhe për të krijuar sa më shpejt brezin e ri të punonjësve, që duhet të jetë më i madh në numër se treshja jonë. Ata janë të domosdoshëm për të mbajtur në këmbë mbikëqyrjen kompetente të problematikave të shumëllojshme që kanë mbartur monumentet, veçanërisht sepse pas viteve ’90, ku hasëm një rënie të jashtëzakonshme të interesit nga ana e shtetit shqiptar”, shtoi më tej Riza.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura