Rinas, i riu niset për Itali, kapet me pistoletë në valixhe

Dec 30, 2013 | 10:31
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 30-vjeçar nga Elbasani është vënë në pranga në Aeroportin e Rinasit, pasi në bagazhet e tij është zbuluar një pistoletë dhe rreth 1 kilogram bimë narkotike. I riu i kishte futur objektet e jashtëligjshme në çantën e bagazheve, të cilën do e merrte me vete në avion për të udhëtuar më pas drejt Romës. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, mësohet se 30-vjeçari e kishte fshehur pistoletën tip “Miniblow” në bagazhet e tij, ku gjithashtu u gjetën edhe pakot me kanabis, që pasi u peshuan, rezultuan rreth 1 kilogram. I riu u dërgua menjëherë në ambientet e Komisariatit të Rinasit, ku është marrë dhe në pyetje për disa orë. I arrestuari kishte arritur të kalonte 2 kontrollet e para me sukses dhe ka menduar se ia hodhi, por nuk ka mundur të fshehë asgjë nga skaneri, pasi ka futur çantën për të kaluar te detektori. Policia ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të tjera shtesë, pasi ka hapur çantën sportive, ku i riu pretendonte se kishte vetëm rroba. Por në fakt, brenda rrobave ai kishte fshehur shumë më tepër se aq. Pistoleta është gjetur e mbështjellë me një bluzë të bardhë, ndërsa qeset me kanabis, të mbështjella me natriban, u gjetën në fund të çantës. Objektet janë bllokuar menjëherë në cilësinë e provës materiale, ndërsa 30-vjeçari është arrestuar në flagrancë, edhe pse vazhdimisht ka kundërshtuar, duke pretenduar se nuk kishte asnjë qëllim të keq dhe ishte veçse një ngatërresë. Pasi është marrë në pyetje fillimisht nga oficerët e Rinasit, aty kanë mbërritur edhe oficerët e Antidrogës, të cilët kanë vazhduar më tej seancën e deklarimeve të të riut. Mësohet se ai ka mohuar të ketë dijeni për objektet e gjetura në çantë, por pretendon se dikush mund t’i ketë futur aty pa dijeninë e tij. Megjithatë, ndaj tij është ngritur akuza e “trafikut të drogës” dhe “trafikut të armëve”, deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura