“Petro Çerkezi, poeti i spikatjes estetike dhe stoik i përkthimtarisë shqiptaro-greke”- Aleksandër Çipa: Kishte marrëdhënie letrare me shkrimtarët e shquar Ismail Kadare e Dritëro Agolli

May 8, 2024 | 10:39
SHPËRNDAJE

cipa aleksanderALEKSANDËR ÇIPA

Në gjysmën e dytë të viteve ’70-të, në qytetin e jugut, në Gjirokastër, ishte afirmuar një entitet i plotë poetësh dhe shkrimtarësh, të cilët ishin tipologjikisht të ndryshëm brenda komunitetit të shkrimtarëve dhe kryesisht poetëve të vendit në tërësi.

Mes tyre, shkrimtari Petro Çerkezi shfaqej përmes materies së vet shkrimore, i përkorë dhe sqimatar. Qysh me botimet e hershme të tij “Në tokën e stërgjyshërve” (1977) dhe “Duarshtrëngime” në vitin 1984, poeti u shfaq duke shumëfishuar në mjediset letrare shqiptare të kohës, perceptimin se zotëronte më shumë se kulturën vendëse, diçka tjetër më të ndryshme dhe pse jo edhe më të epërme dhe jashtë perimetrit të ngushtë kulturologjik të kohës dhe shoqërisë së atëhershme. Pas fillimviteve ’80-të, Petro Çerkezi falë aftësisë, talentit dhe sidomos kulturës njohëse dhe përkthimore të tij, do të shkëlqente në njohjen publike letrare si bashkautor i antologjisë së poezisë greke, kryesisht për ciklin e baladave dhe disa prej autorëve më eminentë të poezisë helenike.

Në kritikën tonë për përkthimtarinë poetike nga gjuhët e tjera, (kryesisht të popujve fqinjë), në shqipen tonë dhe anasjelltas, do të duhej me kohë, të kishim një ekspertizë më të përqendruar dhe çmuese. Për arsye të njohura dhe të panjohura ende nuk e kemi.(!) Por, e vërteta është se nëse do të duhej të përcaktoheshim se tashmë në gati 100-vjetëshin e fundit: a e kemi formuar një traditë e pse jo edhe shkollë të kësaj lëmie? Lehtësisht mund të përgjigjemi pa ekuivok: Po!

Në Gjirokastrën e kësaj periudhe, shkrimtarë e poetë me një vokacion të fuqishëm krijues dhe përkthimor si Petro Çerkezi, Andrea Zarballa, Pano Çuka, Stavros Dajos, Romeo Çollaku, Akilea Garo, Spiro Xhai etj., u bënë personalitete të shprehjes dhe talentit krijues që pakica greke në Shqipëri i imponoi hapësirës shkrimore, por sidomos asaj poetike e përkthimore shqiptare në tërësi.

Shkrimtari Petro Çerkezi ndërkohë kishte një marrëdhënie letrare dhe ekstraletrare me shkrimtarët e shquar si Ismail Kadare (me të cilin edhe si bashkëqytetar fëminie), Dritero Agolli, Agim Shehu, Koço Kosta, Mihallaq Qilleri, Sadik Bejko, Bekim Harxhi, Tasim Gjokutaj, Thanas Dino., etj., etj.

Shkrimtari Çerkezi në hapësirën kohore nga ’80- ’90 i solli bibliografisë poetike shqiptare vëllimet “Në tokën e stërgjyshërve”, (1977), “Duarshtrëngime” (1984), “Dridhet palë e fustanellës” (1987) dhe veçanërisht në kapacitetin e përkthyesit “Antologjinë e poezisë greke”( 1987).

Ka qenë kjo, periudha e parë e krijimtarisë së tij, natyrisht e sjellë në rrethanat e një kohe politike të karakterizueshme përmes metaforës “hekur dhe beton”.

Poeti, ish-qytetari që spikati estetikisht në këtë kohë përmes krijimtarisë së vet. Një estetikë e shfaqshme në “qytetin e gurtë”, jo thjesht si banor i lindur aty, por si një individ që mistikës së heshtjes së gurit i pranësillte përmes verbit të vet poetik, të njohshmen e papranuar publikisht për përkatësinë dhe identitetin etnik.

Petro Çerkezi mishëronte në tekstet poetike një poezi arbëroro-helenike. Me tendenca të imëta refleksesh dhe përafrime adhuruese me tipologjitë stilistike me poezinë e Elitisit, Seferisit, Ricosit e shumë të tjerëve nga atdheu i origjinës së vet, përfshi edhe ata të Qipros.

Sqima, në vargje të poezisë së tij, nuk ishte qëllim në vetvete, por si veshje e substancës njerëzore.

Në mjedisin intelektual dhe krijues të Gjirokastrës, qetësia dhe kjo sqimë e poetit Çerkezi, tërhiqte shikimin prej diferencës gati aristokratike që mbartte në shtatin dhe cilësitë vetjake të komunikimit. Këto aspekte vlenin si kontrast deri në fundin e vitit 1990, kohë kjo që do të shënonte jo veç për jetën, por për krijimtarinë e autorit, një palosje të thellë balzakiane, kontrasti të thellë.

Më i domethënshëm ky kontrast bëhet në krijimtarinë që pasoi pas vitit 1994, kur tashmë nga pozita e individit dhe krijuesit të rikthyer në marrëdhënien natyrale me lirinë, lëvizjen e lirë, kombin dhe atdheun e vet të origjinës, nuk po krijonte një kapitull shkëputjeje, por thjesht vijonte një kapitull plotësues dhe me perimetër më kontinental e mesdhetar.

Përgjatë më shumë se tri dekadave të fundit, autori solli në botën letrare shfaqjen e vet shumëgjuhëshe të botimeve në: shqip, greqisht, italisht.

Është një sipërmarrje e plotë prej poeti. Bëhet fjalë për vëllimet poetike: “Ho consumato tutti colori” Itali 1994, “Lundërtarë në vetmi”, “Vjedhësit e Diellit” (dy vëllime në një 1998), “Britmë adhurimi dhe dëshpërimi për të kryqëzuarit”, 1998), “Unazë e larë me floririn e një trishtimi të vjetër”( 2010) etj., etj..

Në një kolanë të plotë vëllimesh autoriale dhe përkthimesh, shkrimtari ka përcjellë si në një fetari të pazakontë punëbërësi, psherëtimat e veta universale. I le ato në tekstet e njëpasnjëshme me një artshkrim vetjak. Psherëtima e tij blatohet në vargun “Eh liri, liri, rraskapitëse i ke rrugët/ humnerore mendimet…”.

Në këtë pshehrëtim poetik nuk e ka të qëllimtë klithmën, por të mishërueshme dhimbjen.

Në këtë fillimvit, enti botues “Neraida” në Tiranë, hodhi në qarkullim dy vëllime poetike të shkrimtarit. “Ti më këshillon të blej një bilbil” dhe “Qiell barok melankolie”. Në të dy vëllimet autori fiton përqasjen e dikurshme për Oscar Milosz-in, për të cilin thuhej: “I thellë, i thellë, i dendur… gri”.

Një poet i dalë nga poezia postmoderniste, lojcak dhe eksperimental. Besnik i masës dhe tejkalues i saj në mënyrën më racionale kur do të karakterizojë ferr-mungesën e kohës bunkerore të vendit që ka lënë pas, qysh pas fillim- ‘90-ës. (“…Dhe në rënçim/ Një pistë e kaltër do na presë patjetër…”(Në aeroportin e zogjve”.

Çerkezi ka psalmet e veta për toposin, kohën dhe dashuritë.

Sikundër e thotë Kazanzaqisi, “brenda masës është njeriu”, në rastin e Petro Çerkezit, është poeti. “Mes këtyre përqafimeve kurorëzuar unë e ti./Unë përqafoj diellin tënd dhe ndihem perëndi” (Pohim njerëzor).

Fshehtësirat e shpirtit poetik të Çerkezit janë të mbarsura me fuqi imazhesh dhe lirizëm përkujtues. “Ecnim duke zvarritur pas vetes gëzime të rreckosura…(Trenat e humbur). Dhe e ka fjalën për kohën e parë të daljes në liri: atëherë kur lodhja nga jeta zhgënjyese e mbërritjes në demokraci, po takohej me zhgënjimin se “Demokracia paralitike, kohë eunuke e pllangosur,-ishte. Por autori ka rrënjosur në ndërgjegjen e vet parimin Kavafian se “Veç dashuria i mposht barbarët” (Antigoneon).

Bashkëkohësia dhe sidomos jetëkalimi në të njëjtin “territor” kohor dhe toposi, me shumë paulukë barbarë, nuk e kanë lodhur poetin, përkundrazi e kanë ndihur të ndërtojë modulin e vet të diferencës dhe të imazhit të një reference njeridashëse europiane.

E përcakton dhe nuk i ikën kësaj reference edhe kur e ka mbërthyer fati i mërgimtarit. “O dashuri mërgate, e hidhur, pa fat,/ Nesër iki larg…”, edhe kur “Në kupolën tempullore të zemrës”, shpërndahen kumbime të përzishme…. (Vetmi vjeshtore në një qytet të huaj).

Në stil të plotë, ashtu si në mendim të saktë dhe ndijim real, autori dëbon shëmbëllimet.

Për poetin, homopoeticusi i tij, Homeri, kishte për tempull të shenjtë dritën, për të cilin sipas autorit tonë: “Agjentët sekretë/ Përgatitnin verbimin pa kuptuar se stërgjyshi im Homer/ Mbeti i verbër që të trashëgojë dritën”. (Biografi e njollosur).

Në vëllimin tjetër “Qiell barok melankolie”, poeti është shtues dhe vijues i vet’hesë poetike. Ngre peshën specifike dhe valencën poetike të vetvetes në të tre ciklet përkatësisht: “Ditë binjake trishtimi”, “Pse nuk rron sa rron dhe guri”(ligjërime popullore) dhe “Sa më trishton qielli im”. Në këtë lëndë poetike autori mban të përqasura raportet mes postmodernes me tradicionalen.

Me një elegancë selektuesi, nga rubinët poetikë të poezisë popullore shqiptare, sjell krijime që respektojnë arketipin, por konstruktojnë afirmativisht stilin poetik sipas cilësive dhe sharmit vetjak.

Këto dy vëllime, kanë të përbashkët kohëbotimin, por vijuese dhe shtuese kanë lëndën poetike, e cila si materie, na e bën spikatjen e autorit si një dolmen që lëviz dhe mendon i vetmuar dhe kërkues në peizazhin e jetës dhe në lëmi të krijimit letrar.

Në vëllimin “Qiell barok melankolie”, poeti vjen si postmodernisti pa kufij tematikë, eksplorues mes realitetit dhe fiksionit, një hulumtues i shpirtit që ka tejkaluar apo lënë pas, në kohë tjetër, të vërteta të papërsëritshme dhimbjesh dhe pritmënish.

Poeti në të dy vëllimet modulon atë që Seneca e quante ves të stoikëve: Qëndresën. Nuk është fjala për një qëndresë trimërore, por për atë që dëshmon shpirtin qytetar dhe sidomos njeriun-poet. Stoicizmi si virtyt te ky poet dëshmohet në kontrollin e fjalës si përgjegjshmëri për art dhe ligjërim publik, për dashuri, bashkëjetesë dhe sidomos pasuri fjale që gjendet në jetën e secilit popull, aq më tepër fqinjorë, si shqiptarët dhe grekët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura