Rikthimi në prag, Valter Fushaj projektohet për president

Jan 10, 2018 | 9:43
SHPËRNDAJE

Valter Fushaj është gjithnjë e më pranë Vllaznisë. Shanset për një rikthim të ish-presidentit në krye të klubit sa vijnë dhe shtohen. Zërat përforcohen nga burime të sigurta pranë kuqebluve, të cilët për “Panorama Sport” konfirmojnë se biznesmeni shkodran jo vetëm që është në “pole”, por në ditët e fundit po interesohet ndjeshëm për merkaton e dimrit.

valter fushaj

Domosdoshmëria për një president është evidente te Vllaznia, ndaj dhe vetë Bashkia Shkodër ka paralajmëruar se brenda pak muajsh klubi do të privatizohet. Vetë Fushaj, në një prononcim të dhënë në muajin dhjetor për gazetën, premtoi se, në rast se i jepet klubi, do ta çojë në Kupat e Europës.

“Unë premtoj se edhe kështu si është Vllaznia, e çoj në Europë në fund të sezonit. Mendoj se i kam dhënë provat për këtë. E kam bërë në vitin 2006 kur mora presidencën, megjithëse kisha vetëm 40 ditë në dispozicion për të ndërtuar ekipin dhe në fund të sezonit e rendita në vendin e tretë.

Fushaj Valter

Tani janë 60 ditë në dispozicion dhe gjërat mund të rregullohen. Kthehem sërish nëse bashkia ma kërkon këtë gjë”, pat thënë ish-presidenti.

Bashkia – Pas premtimit të bërë në fundin e dhjetorit prej kryebashkiakes Voltana Ademi, tashmë një tjetër konfirmim për këtë çështje vjen edhe nga përgjegjësja e zyrës së sportit, kulturës dhe rinisë në Bashkinë Shkodër, zj.Vinifreda Gazulli.

Në një prononcim të bërë në televizionin lokal “Rozafa”, ajo ka deklaruar se brenda muajit maj, Vllaznia do të ketë një president. “Procesi i privatizimit tashmë ka hyrë në rrugën e duhur dhe po ndiqen hapat e nevojshëm për të shkuar deri në fund.

Për momentin, po bëhet përzgjedhja e kompanive që do të bëjnë vlerësimin e klubit dhe, më pas, do të ndiqen edhe hapat e tjerë, në mënyrë që nga muaji prill ose maj të bëhet ankandi për shpalljen e fituesit. Kjo do të thotë se deri në maj Vllaznia do të bëhet me president”, ka thënë Gazulli.

ADMIR URUÇI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura