Rikthimi në krye të PD-së? Ministrja Spiropali flet për përjashtimin e Berishës: Asnjë surprizë, por nuk do merremi me çikërima politike

Sep 11, 2021 | 18:55
SHPËRNDAJE

elisaspiropali-saliberisha

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka folur për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së. Ajo nuk ka preferuar të mbajë një qëndrim mbi këtë çështje, duke u shprehur se nuk i takon që të flasë mbi pozicionin e kryedemokratit Basha.

Në një intervistë për Neës24, Spiropali deklaroi se lufta nuk është me opozitën por me përmbushjen e prioriteteve të qeverisë së re.

Sipas saj, PD duhet të ishte në një fazë tjetër zhvillimi, por tashmë është futur në një moment të vështirë.

“Nuk më takon të flas për pozicionin e Bashës, është një pozicion dukshëm i vështirë, por është pozicioni i tyre. Nuk është një punë e Shqipërisë. Ne kemi punë të tjera. Ne do kemi interesin publik dhe kombëtar. Një shqipëri me mirëqënie, me zhvillime. Lufta nuk është me opozitën. Nuk është armike, është konkurente në një garë. Ne kërkojmë besim me ekipin tonë. Është e kot që të merremi me debatet Basha-Berisha. Nuk i kam dhënë asnjë mendim përjashtimit të Berishës. Nuk kam asnjë opinion dhe nuk i jap asnjë mendim. PD duhet të ishte në një fazë tjetër të zhvillimit brenda partisë, por ndodhet në një moment të vështirë. Ne nuk kemi më çfarë të themi për Berishën pasi kemi folur shumë në 31 vite” – tha Spiropali.

Për një rikthim të mundshëm të ish-kryeministrit Berisha në krye të PD-së, Spiropali thotë se nuk është surprizë. Pavarësisht çfarëdolloj hapi që mund të marrë, Spiropali thotë se nuk do të përfshihet me çështjen e Berishës në raport me PD-n. Ministrja thotë se nuk do të merret me çikërrima politike që të kujton një kohë të kaluar.

“Asnjë surprizë. Ne jemi të gatshëm që kësaj opozite që është legjitime në Kuvendin e Shqipërisë. I urojmë mirëseardhjen në kuvend. Aty do jemi edhe për llogaridhënie, për t’iu përgjigje për çdo gjë që ata mund të kenë. Nuk do marrim pjesë për të gjykuar mbi axhenda personale. Zërin nuk ia marrim dhe as ia japim ne. Është një individ i lirë. Mund të sillet si e gjykon. Brenda PD-së është e qartë se çfarë po ndodh. Edhe një gjimnazist e kupton se në çfarë procesi po kalon. Por ne shqetësohemi për gjimnazistët, si do vijojë mësimdhënia. Koronavirusi dhe pandmia si do shkojë. Të tjera çështje nuk kemi. Ne dorën e kemi të shtrirë për opozitën. Ia kemi dhënë në momente të vështira, në zgjedhjet e 2017, këshillin politik.

Ne në lartësinë ku jemi, nuk mund të zbresim dhe të merremi me çikërrima politike që të kujton një kohe tjetër. Nuk kemi punë më me të shkuarën. Besoj janë të lodhur nga kjo lloj zhurme dhe ndotje e hapësirës publike që nuk gjendet as bashkëpunimi për çështjet madhore. Ne në këtë fazë ku jemi, me këto kapërcime të jashtëzakonshme, jemi ata që mund ta çojmë Shqipërinë përpara. Uroj që të ketë debat, edhe për reformën territoriale. Shpresojmë mos të ketë me bojkote. Reforma territoriale, apo dhe reforma të tjera nuk janë tabu. Procesi i reformës territorial nuk bëhet fjalë vetëm të ulemi me një hartë dhe të diskutojmë, duhen ngritur komisione parlamentare. Ne jemi të gatshëm dhe për emra dhe institucione që po iu vjen rradha për të zgjedhur” – tha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura