Rikthehet Fizika Bërthamore, kontroll lëndëve radioaktive

May 31, 2013 | 12:59
SHPËRNDAJE
Nikolla Civici, Drejtori i Fizikës Bërthamore

I lënë në harresë dhe pa fonde për vite me radhë, Qendra e Fizikës Bërthamore do të ketë një status të ri.Do të jetë ai i dikurshmi, kur kjo qendër kishte rëndësi të madhe kërkimore dhe emërtimin “Instituti i Fizikës Bërthamore”. Ministria e Arsimit ka vendosur që t’i shtojë Universitetit të Tiranës institutin i cili do të funksionojë si fakultet dhe do t’i menaxhojë vetë të ardhurat dytësore. Fizikanët, mes të tjerave, do të kryejnë kontrolle pranë doganave për të mos lejuar futjen e produkteve që përmbajnë lëndë radioaktive. Kundrejt tarifave që do të përcaktohen nga shteti, ata do të kryejnë inspektime të vazhdueshme. Është propozuar që të ketë një pagesë fikse të detyrueshme për të gjitha rastet, kur kalimet në dogana kanë edhe kushtin e licencimit dhe lejes dhënë nga kontrolli që bëjnë strukturat e institutit. Kreu i këtij instituti, Nikolla Civici, tha se vitin tjetër do të nisë zbatimi i një projekti me rëndësi kombëtare, në mënyrë që Shqipëria të mos kthehet në vend tranzit për lëndët bërthamore. “Së pari me trajnimin e oficerëve të doganave, që do të merren me kontrollin në pikat kufitare; e dyta është për testimin, kalibrimin e pajisjeve që përdoren për dedektimin e lëndëve radioaktive në pikat doganore, sepse doganat kanë instaluar disa pajisje të kësaj natyre; e treta ka të bëjë me mbështetjen që japim ne në rastet kur ndodh një alarm. Eliminon mundësinë që Shqipëria të bëhet një vend trafiku i lëndëve bërthamore”, tha Civici. Ambasada Amerikane e ka mbështetur kërkesën e ekspertëve për kthimin e një qendre në Institut të Fizikës Bërthamore, pasi ka rëndësi kombëtare kontrolli i rrezatimit bërthamor në procesin e shkëmbimit të mallrave, por edhe zhvillime të tjera të brendshme. Ky institut do të funksionojë si njësi autonome dhe do të ketë tri departamente me fokus monitorimin e vendit nga rrezatimet.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura