Rikthehet “Carmen”, një tragjedi dashurie mes Shqipërisë dhe Serbisë

Sep 26, 2018 | 13:47
SHPËRNDAJE

Konsideruar si një nga shfaqjet më të suksesshme dhe më të kërkuarat nga publiku gjatë sezonit të kaluar, rikthehet në skenën e Pallatit të Kongreseve opera “Carmen”.

vikena

Por tanimë, me një kast këngëtarësh dhe realizuesish të riorganizuar. Edhe pse sërish mbi regjinë e Gëzim Myshketës, “Carmen” këtë herë vjen si një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë dhe Teatrit Kombëtar të Operës së Beogradit. Një tragjedi dashurie në vepër, por që organizatorët shpresojnë të jetë fatlume mes dy teatrove, atij shqiptar dhe serb.

Për drejtoren e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, arsyeja përse u zgjodh “Carmen” si pikënisje e këtij bashkëpunimi nuk lidhet thjesht me suksesin e sezonit të shkuar, por edhe për aktualitetin që ruan kjo vepër, kudo dhe në çdo kohë, ku paragjykimet bëhen gjithnjë pengesë dhe jo rrallëherë me përfundime fatale.

“Arsyeja përse zgjodhëm këtë vepër është se historia e saj rezonon me të përditshmen e njerëzve të thjeshtë, të cilëve shoqëria u jep të kuptojnë se e kanë të pamundur të bëhen pjesë e shtresave të larta, për shkak të paragjykimeve, për shkak të racës, besimit, seksit, moshës. Janë këto pengesa që vetë njerëzit i vënë njëritjetrit”, shprehet Çela, duke premtuar një vepër edhe më të fuqishme, falë një përzierjeje të artistëve tanë dhe atyre serbë, të cilët sjellin në skenë figura të fuqishme, të cilat frymëzohen jo vetëm nga vepra në fjalë, por edhe nga eksperiencat e tyre dhe shoqëria, ku ata jetojnë.

vikena1

BASHKËPUNIMI

Orkestra e TKOB do të dirigjohet nga Dejan Saviç, njëkohësisht drejtor i Përgjithshëm i Operës së Beogradit. “Kam zhvilluar prova me Orkestrën dhe mund të them se ka artistë të rinj shumë të mirë dhe instrumentistë të talentuar”, shprehet Saviç. Ndërkaq, në rolet kryesore, këngëtarët shqiptarë do të dublohen nga ata serbë. Kështu, Carmen rebele, së cilës në Shqipëri i ka vënë vulën me meritë mexosopranoja Vikena Kamenica, do të interpretohet edhe nga Ljubica Vranesh, soliste e Teatrit të Operës së Beogradit dhe nga mexosopranoja e talentuar Ivana Hoxha, një tjetër Carmen e fuqishme.

Don Jose, i dyzuar mes dashurisë dhe detyrës, interpretohet nga tenorët Janko Sinadinoviç, po ashtu solist i Teatrit të Operës së Beogradit dhe Armaldo Kllogjeri. Ndërsa Escamillo, toreadori shpërthyes dhe donzhuan, nga Armando Likaj dhe Aleksandar Stamatoviç. Por opera “Carmen” është vetëm fillimi i një bashkëpunimi.

“Siç ndodh rëndom në Ballkan, gjatë një darke, ne ramë dakord dhe i vendosëm të gjitha”, thotë jo pa humor Saviç. Bashkëpunimi mes dy teatrosh do të vijojë me verdianen e famshme “Traviata”, e cila do të shfaqet në Beograd, ndërsa të tjera bashkëprodhime do të vazhdojnë më tej. Sipas Saviç, bashkëpunimet nuk do të ndalen vetëm tek opera, por edhe në balet. Sipas tij, do të ketë shkëmbime balerinësh, duke shkëmbyer në këtë mënyrë eksperienca të ndryshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura