Rezoluta për ndërhyrjet e huaja, ja çfarë propozon Bushati: Amendimet e plota, pse duhet ndryshuar titulli i zgjedhur nga Balla

Nov 7, 2019 | 12:24
SHPËRNDAJE

Një ditë pas diskutimit dhe debateve në Komisionin e Politikës së Jashtme të projektrezolutës së propozuar nga kreu i grupit te PS-se, Taulant Balla për ndërhyrjet e huaja, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati depozitoi sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare amendimet e tij. 

ditmir-bushati

Amendimet e propozuara nga Bushati bazohen në tre shtylla kryesore si; Legjislacioni dhe institucionet vendase; angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë; media dhe edukimi.

Ai propozon edhe ndryshimin e titullit të projektrezolutës duke propozuar që të bëhet, “Projektrezolutë “Për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja të mundshme në proceset zgjedhore dhe dezinformimit si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore”.

Ndryshimin e titullit ai e argumenton me faktin qe sipas tij, titulli aktual i projektrezolutës së propozuar nga deputeti Balla, “është marrë nga Rezoluta e Parlamentit Europian, miratuar në 10 tetor 2019, e cila reflekton një realitet tjetër në nivel supra-kombëtar, siç është forma e organizimit të BE-së, bazuar mbi parimin e subsidiaritetit. Për më tepër, Rezoluta e miratuar në Parlamentin Europian është shumatore e një sërë aktesh e dokumentesh të miratuara nga institucionet e BE”.

Tjeter propozim i Bushatit jane edhe ndryshimet në preambul të projektrezolutës, në referimin e kushteve që gjeneruan këto amendamente si dhe rekomandimet që lë Kuvendi ndaj institucioneve.

Ai thekson se propozimet synojnë të reflektojnë realitetin në një pjesë të vendeve anëtare të NATO-s, të cilat janë përballur me fenomene të këtilla.

Gjithashtu, ky ndryshim vjen në përputhje me doktrinën e sigurisë kombëtare ku përfshihet dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare; Strategjinë e Mbrojtjes Kibernetike; Dokumentin e Politikave për Sigurinë Kibernetike për vitet 2015-2017; Agjendën Digitale të Shqipërisë 2014-2020.

Sipas ish-ministrit, referenca dhe mbështetja në bazën ligjore dhe rregullatore kombëtare është e domosdoshme për trajtimin e këtij fenomeni dhe në respekt të arritjeve të deritanishme të vendit dhe bilancit në këtë drejtim.

Këto ndryshime arsyetohen me faktin se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar strategji dhe ligje që rregullojnë dhe garantojnë veprimtarinë e institucioneve në këtë fushë, sikundër detyrimet që lindin në bazë të këtyre ligjeve për këto institucione për të ofruar të dhëna, garanci, mbrojtje dhe zbatimin e politikave të hartuara.

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare propozon amendime të projektrezolutës në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë me synim harmonizimin konceptual dhe terminologjik me konceptin strategjik të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së.

Ndërhyrja e tretë e Ditmir Bushatit ka të bëjë me cështje të dezinformimit apo ndërhhyrje në proceset zgjedhore. Propozimet e tij ndahen në dy drejtime, rregullimi i kuadrit ligjor për mediat elektronike dhe qasja edukative.

Amendimi “inkurajon institucionet përgjegjëse që të angazhohen në një strategji edukative në bashkëpunim me shoqërinë civile për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e fenomeneve që kanë të bëjnë me dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes, dhe nga ana tjetër propozon dhe disa nisma që kanë të bëjnë me mediat”.v

Ndërsa përsa i takon medias, vecanërisht asaj elektronike, ai propozon “ndërtimin e urave të bashkëpunimit me platformat e rrjeteve sociale në mënyrë që të sigurohet informacioni i plotë rreth reklamave politike, financimit të tyre dhe ruajtjes e mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve”.

Bushati gjithashtu kërkon që “Institucionet përgjegjëse të marrin masat për hartimin e kuadrit ligjor për adresimin e çështjeve të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e mediave elektronike duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit, proporcionalitetit dhe nevojën për unifikimin e masave për mediat elektronike dhe ato audiovizuale, duke përcaktuar qartë subjektet që preken nga ligji dhe strukturën që do të kontrollojë zbatimin e ligjit”.

AMENDIMET E PLOTA 

KUVENDI
AMENDAMENTE NË PROJEKTREZOLUTËN
“PËR NDËRHYRJET E HUAJA NË PROCESET ELEKTORALE DHE DEZINFORMIMIT NË PROCESET DEMOKRATIKE KOMBËTARE”

Bazuar në nenin 71 të Rregullores së Kuvendit, paraqes amendamentet si më poshtë në projektrezolutën “Për Ndërhyrjet e Huaja në Proceset Elektorale dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare”, propozim i deputetit Taulant Balla, depozituar në Kuvend më datë 29.10.2019, nr. prot 3822:

1. Titulli i projektrezolutës të ndryshohet si vijon:

PROJEKTREZOLUTË “PËR PARANDALIMIN E NDËRHYRJEVE TË HUAJA TË MUNDSHME NË PROCESET ZGJEDHORE DHE DEZINFORMIMIT SI MJET I USHTRIMIT TË INFLUENCES NË JETËN SHOQËRORE”.

2. Në preambul, paragrafi 1 të ndryshohet si vijon:

Duke pasur parasysh detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë; anëtarësimi në NATO; “Strategjia e Sigurisë Kombëtare”; “Strategjia e Mbrojtjes Kibernetike”; “Agjenda Digjitale e Shqipërisë 2014-2020”; “Dokumenti i Politikave për Sigurinë Kibernetike për vitet 2015-2017”;

3. Në preambul, paragrafi 2 të ndryshohet si vijon:

Duke marrë në konsideratë Rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian në 10 tetor 2019 mbi: “Ndërhyrjen e Huaj në Proceset Zgjedhore dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike”, si dhe instrumentet e miratuara nga BE në funksion të Luftës Kundër Dezinformimit dhe luftës hibride.
4. Në preambul, paragrafi 3 të ndryshohet si vijon:

Duke pasur parasysh se zhvillimet teknologjike kanë sjellë një kërcënim të ri për shtetet dhe shoqëritë demokratike, vlerat, liritë e të drejtat e njeriut, të shfaqura kryesisht si sulme hibride dhe dezinformim; Duke marrë në konsideratë se dezinformimi përbën një formë kërcënimi në zhvillim, i cili mund të cënojë rendin dhe sigurinë publike.

5. Në preambul, të shtohet paragrafi 4 si vijon:
Duke pasur parasysh faktin se sulmet hibride përdoren në mënyrë të koordinuar nga aktorët shtetërorë ose joshtetërorë për të arritur objektiva specifike duke krijuar paqartësi në procese vendimarrëse, nxitur fushata masive të dezinformimit përmes rrjeteve sociale për të ndikuar jetën politike dhe procesin vendimmarrës;

6. Në pjesën “Referuar” të Projektrezolutës të bëhen ndryshimet si vijon:

• Pika 1 të ndryshohet si vijon:

Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 2, 3, 5, 15, 22, 23, dhe 45.

• Pika 1 të bëhet pika 2 dhe të ndryshohet si vijon:

Paktit Ndërkombëtar të të Drejtave Civile dhe Politike, neneve 2, 17, 19, 20 dhe 25. Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, neneve 8, 9, 10, 11, 13, 16 dhe 17. Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nr. 2255 të 2019 mbi “Shërbimin publik të mediave në kontekstin e dezinformimit dhe propagandës”.

• Pika 2 të bëhet pika 3 dhe të ndryshohet si vijon:

Ligjit Nr. 2/2017, “Për Sigurinë Kibernetike”; Ligjit Nr. 107/2015, “Për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara” Ndryshuar me ligjin Nr.123/2016) i përditësuar; Ligjit Nr. 10 273, datë 29.4.2010 “Për Dokumentin Elektronik (Ndryshuar me ligjin Nr. 101/2015, Ndryshuar me ligjin Nr. 124/2016) i përditësuar; Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008, ndryshuar me ligjin Nr. 48/2012 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i Ndryshuar.

7. Në pjesën “Në kushtet ku” të Projektrezolutës të bëhen këto ndryshime:

Shkronja a) të ndryshohet si vijon:

Aktorë të huaj shtetëror ose joshtetëror përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjen apo të ushtrojnë presion mbi shtetin e së drejtës duke ndërhyrë në proceset zgjedhore përmes sulmeve hibride, financimeve dhe dezinformimit;

Shkronja b) të ndryshohet si vijon:

Ndërhyrja e huaj mund të shfaqet në formën e dezinformimit në mjetet e komunikimit masiv me synim ndikimin dhe formësimin e opinionit publik, ndërhyrje në proceset zgjedhore, politike dhe ekonomike nëpërmjet mekanizmave që synojnë influencën e procesit vendimmarrës dhe të aseteve strategjike;
Shkronja c) të ndryshohet si vijon:

Duhet të rritet ndërgjegjësimi mbi fenomenin e dezinformimit si formë e përhapur e ushtrimit të influencës në jetën shoqërore, politike dhe mediatike;

Shkronja d) të hiqet nga drafti dhe shkronja pasardhëse e) të bëhet “d)” duke u ndryshuar si vijon:

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian në 10 tetor 2019 mbi: “Ndërhyrjen e Huaj në Proceset Zgjedhore dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare” si dhe Rezoluta e 23 nëntorit 2016 mbi “Komunikimin Strategjik të BE-së për të Përballur Propagandën e Aktorëve të Tretë”, evidentojnë nevojën për një përpjekje të bashkërenduar në përballimin e këtyre fenomeneve në hapësirën e demokracive evropiane.

Shkronjat f) dhe g) të hiqen nga draftrezoluta.

Në përmbajtjen e Projektrezolutës në pjesën “Kuvendi i Shqipërisë” të bëhen këto ndryshime:

Pika 1, të ndryshohet si vijon:

Thekson se liria e fjalës dhe e shprehjes, mbrojtja e të dhënave personale dhe pluralizmit të mediave, burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si gur themeli i shoqërisë demokratike, e duke përbërë njëkohësisht angazhimin parësor të institucioneve të shtetit shqiptar për mbrojtjen dhe gëzimin e këtyre të drejtave.

Pika 2, të ndryshohet si vijon:

Konsideron të nevojshëm nga ana e institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave si dhe atyre të pavarura vlerësimin mbi mjedisin e sigurisë, kuadrin ligjor, kapacitetet analitike dhe operacionale të strukturave që lidhen me evidentimin, parandalimin dhe reagimin ndaj rrezikut që vjen nga ndërhyrjet e huaja në procesin zgjedhor, financimet, sulmet hibride dhe dezinformimin. Nevojën e miratimit të masave legjislative, administrative, financiare në zbatim të praktikave më të mira evropiane, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, SHBA-në, BE-në, OSBE-në dhe me përfshirjen e shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Pika 3, të ndryshohet si vijon:

I kërkon Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Agjencisë së Sigurisë Kibernetike, Autoritetit të Komunikimeve Elektornike dhe Postare (AKEP), Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA), Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernatike (AKCESK), Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT), që të paraqesin një raport vjetor mbi sfidat dhe kërcënimet e evidentura objekt i kësaj rezolute.

Pika 4, të ndryshohet si vijon:

Rithekson se ndërhyrja e huaj e mundshme në proceset zgjedhore, sulmet hibride dhe dezinformimi si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore, minon të drejtën e shtetasve për të shprehur vullnetin e tyre në qeverisjen e vendit, siç parashikohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, sikundër përbën një shkelje të parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Pikat 5, 6, 7 të hiqen nga draftrezoluta.

Pika 8 bëhet pika 5 dhe ndryshon si vijon:

Inkurajon entet shtetërore që të marrin masat e nevojshme dhe të sigurojnë ndërveprimin institucional me platformat e rrjeteve sociale për të siguruar informacion të plotë të reklamave politike dhe financimit të tyre.

Pika 9 bëhet pika 6 dhe ndryshon si vijon:

Inkurajon institucionet përgjegjëse, të përfshijnë në kurrikulat e tyre mësimore edukimin mediatik në kuadër të masave kundër dezinformimit, në përputhje me standardet e BE-së, KE-së dhe UNESCO-s.

Pikat 10 dhe 11 të hiqen nga draftrezoluta.

Pika 12 bëhet pika 7 dhe ndryshon si vijon:

Institucionet përgjegjëse të marrin masat për hartimin e kuadrit ligjor për adresimin e çështjeve të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e mediave elektronike duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit, proporcionalitetit dhe nevojën për unifikimin e masave për mediat elektronike dhe ato audiovizuale, duke përcaktuar qartë subjektet që preken nga ligji dhe strukturën që do të kontrollojë zbatimin e ligjit.

Pikat 13, 14 dhe 15 të hiqen nga draftrezoluta.
Deputeti/ Ditmir BUSHATI

1 2 3 4

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura