“Taksa progresive s’është shpikje e Ramës, e ka aplikuar PS deri në 2005”

Apr 9, 2012 | 9:33
SHPËRNDAJE

Rexhep Meidani dhe Edi Rama në një nga Kongreset e PS

Ish-presidenti Meidani analizon situatën politike.

“Të pasurit në qeverisjen vendore e qendrore të PS, të përfaqësohet më mirë shtresa e mesme”

“Imami duhet të japë dorëheqjen”

“Shefi i Shtabit nëse ka gisht si ushtarak, të përgjigjet penalisht”

Ish-presidenti i Republikës Rexhep Meidani shprehet se taksa progresive nuk duhet trajtuar si një shpikje e re, pasi ajo është përdorur më parë nga qeverisja e PS-së deri në 2005. Ai shpreh qëndrimin e tij për adresimin ndaj shtresës së mesme.
Ish-kreu i shtetit, analizon dhe emërimin e komandantit të flotës Detare nga ministri i Mbrojtjes, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Imami.
Zoti Meidani, duket se debati kryesor i fushatës elektorale të 2013-s do të jetë reforma fiskale, për të cilën PS ka përfshirë në programin e saj taksën progresive, por dhe ulje të TVSH-së për disa artikuj. Cili është gjykimi juaj për taksën progresive dhe si duhet trajtuar ajo përballë taksës së sheshtë?

Ish-Presidenti Rexhep Meidani

Nuk besoj, madje më duket si jo “shqiptare” që për fushatën e ardhshme debati kryesor elektoral të jetë reforma fiskale, e fokusuar në taksën progresive dhe uljen e TVSH-së për disa artikuj. Ndërkohë, shumë më e nxehtë mendoj se do të duhet të jetë tema e korrupsionit, në luftimin e të cilit qeveria aktuale është qartësisht e dështuar. Por, le të kthehemi tek thelbi i pyetjes. Në botë ndeshen lloje të ndryshme taksimi. Madje, edhe pse taksat mund të jenë proporcionale, progresive, regresive apo fikse, një nga çështjet e sotme thelbësore të sistemit të taksimit është thjeshtimi i tij. P.sh., i tillë është mënjanimi i përjashtimeve ose regjimeve speciale. Po ashtu, nuk mungojnë as përcaktimet e përqindjeve nominale, siç ndeshen, p.sh., në kushtet e sotme shqiptare përqindje të tilla, si: 10% – për taksën e sheshtë mbi të ardhurat individuale, 10% – për honorarët, 20% – për TVSH-në e unifikuar mbi shumicën e mallrave dhe shërbimeve. Nga ana tjetër po konstatohet një zhvendosje nga taksat e drejtpërdrejta në ato të tërthorta. Sidoqoftë, një problem më vete për Shqipërinë mbeten karakteristika të tilla si barazia, drejtësia e ndershmëria në procesin e taksimit. Sidomos gjetja e një raporti të drejtë midis barazisë horizontale (të barabartët të taksohen në mënyrë të njëjtë) dhe barazisë vertikale (të pabarabartët ose të ndryshmit të taksohen në mënyrë të ndryshme). Po aq i rëndësishëm është dhe ndikimi i taksimit në rritjen e prodhueshmërisë dhe efektivitetit, fuqizimin e prosperitetin ekonomik, promovimin e disiplinës dhe edukatës së qytetarëve, edukimin dhe mbështetjen për sjelljen e ndershme dhe të shëndetshme (fizike e morale). Brenda kësaj logjike është i rëndësishëm sa kufizimi i bezdive administrative, po aq dhe shmangia e abuzimeve brenda strukturave tatimore-doganore.
Nisur nga koncepte të tilla, dëshiroj të theksoj se nuk më bëjnë fare përshtypje si përrallat kryeministrore me marksizëm e komunizëm mbi sistemin fiskal apo reformimin e tij, ashtu dhe ndonjë teprim pseudo-entuziast për ndonjë “shpikje shekulli” mbi taksimin dhe llojin e taksës. Madje, sa për rikujtim, dua të sqaroj se gjatë qeverisjes së PS-së, edhe pse jo në mënyrë të zhurmshme, është aplikuar, në shumicën e rasteve, taksa progresive. Mosmarrja e rezultatit të pritshëm nuk vinte nga skema konkrete tatimore e aplikuar, por dobësitë e ndryshme në luftën kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe mitmarrjes.
Në gjykimin tim, çdo sistem taksimi ka të mirat dhe të këqijat e tij. Madje, në përputhje me nivelin e ekonomisë, shkallën e zbatimit të ligjit, elementët socialë e psikologjikë, veçoritë e tipit “hardëare” dhe “softëare”, ndikimet bashkëkohore e tradicionale etj., mund të eksperimentohet me mençuri e ndershmëri një lloj takse apo një tjetër. E thënë ndryshe, në çdo zgjedhje konkrete, sipas rezultateve duhen konsideruar me kujdes aspektet pozitive e negative, me objektiv kryesor vjeljen e të ardhurave dhe rritjen e standardit të gjithanshëm të jetesës, nga njëra anë, dhe nxitjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, nga ana tjetër.
Taksa progresive e inkuadron PS në një profil të majtë politik dhe ideologjik. Ben Blushi në disa teza të tij apelon PS për një qartësim më të madh të PS si një parti e pastër e majtë, si në program, ashtu dhe në aleancat e saj. Cili është mendimi juaj për të majtën e re?
Me gjithë ritmin ende të lartë të punës, nuk e kam luksin kohor për të lexuar dhe komentuar gjithçka, përfshirë dhe mendime të ndryshme të shpalosura nga miq e kolegë. Madje, nuk e di, por as nuk e kuptoj për çfarë lloj të majte të re ju po flisni. Nga ana tjetër, që në fillim, unë mund të pohoj se nuk ndaj të njëjtin mendim me ju në lidhje me “ekuivalentimin” e taksës progresive me profilin e majtë politik-ideologjik të një partie politike. Si ilustrim trivial është dhe fakti që ShBA, me një liberalizim ekonomik rrezatues, ka dhe kodin e taksimit progresiv mbi të ardhurat më të theksuar se mjaft vende të tjera të zhvilluara. Ka dhe diçka tjetër. Unë, përgjithësisht, orientohem drejt mesit, e parapëlqej atë. Madje, vazhdoj të besoj se, në thelbin e vet, një zhvillim i lirë ekonomik me natyrë “politike” neutrale, apo e thënë ndryshe, ideologjikisht i “pangjyrë”, është më normal dhe logjik. Për më tepër, sipas mendimit tim, mund të flitet më shumë për një filozofi qeverisjeje ose partiake, sesa për ndonjë ideologji të tyre. Gjithashtu, në gjykimin tim, procesi i globalizimit i ka dhënë një pamje gjithmonë e më relative konceptit të sovranitetit, duke nxjerrë në pah aspektin gjithnjë e më absolut të ndërvarësisë. Ai, në vetvete, ka prekur përmbajtjen e mjaft koncepteve për zhvillimin shoqëror e ekonomik, për kombin, shtetin, qeverisjen, shoqërinë civile etj. Në këtë kuptim, është tejkaluar, nga njëra anë, neo-liberalizmi i së djathtës së vjetër, dhe, nga njëra tjetër, e ashtuquajtura socialdemokraci europiane e parë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë evolucion social-politik është arritur të pajtohen e njehsohen diferencat, tashmë “jashtë mode”, dikur edhe me një karakter të pastër anakronik e antagonist midis tyre. Dhe, mbi të gjitha, dita-ditës po del gjithnjë e më në pah konsumatori, roli i tij, vetë interesat dhe kërkesat që ai ka. P.sh., për rastin shqiptar, PS-ja duhet të lidhet shumë më mirë me konsumatorin me të ardhura modeste dhe të mesme, duke e bërë më “atraktiv” sidomos këtë të fundit…  Po ashtu, nuk duhet harruar se prej kohësh në vendet perëndimore, në rrafshin politik, është arritur të hidhet poshtë antagonizmi dhe koncepti i klasave brenda krahëve të politikës. Vendin e tyre e kanë zënë parti e koalicione të reja, që nuk mund të klasifikohen lehtësisht në të majta apo të djathta. Edhe rolin e ideologjive politike e kanë zëvendësuar dhe po e zëvendësojnë parime më universale si ato mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, krahas ristrukturimit e transformimit të partive me baza ideologjike në parti të pastra elektorale. Kurse, në lidhje me shtetin dhe qeverisjen, në vend të maksimizimit të rolit të shtetit (prej të majtës) apo minimizimit të tij (prej së djathtës), është pranuar ristrukturimi i qeverisjes në të gjitha nivelet, nëpërmjet decentralizimit, devolucionit, agjentifikimit (deri privatizimit të shërbimeve publike) në drejtimin për nga poshtë dhe fuqizimit të ndërvarësisë nga strukturat mbikombëtare, për nga sipër. Lidhur me shoqërinë civile, ndryshe nga e majta e vjetër që ishte dyshuese ndaj shoqërisë civile, sepse me aktivizimin e saj dobësohej roli i shtetit, në konceptimin e sotëm vlerësohet shoqëria civile, por dhe shtetit i kërkohet të luajë rolin e tij në promovimin, nxitjen, përkrahjen e veprimtarisë së strukturave të ndryshme të shoqërisë civile, pa tentuar për t’i kontrolluar ato (madje duke e trajtuar këtë veprimtari si shërbyese e suplementare, si oponencë konstruktive, emancipuese e qeverisje-korrigjuese). Për sa i përket pozicionimit mbi kombin, ndryshe nga e majta e vjetër, si ish-“internacionaliste”, që shprehte një farë mosbesimi ndaj idesë “egocentriste” të kombit, aktualisht po induktohet më shumë koncepti dinamik, ndërveprues e global mbi kombin, pa lënë mënjanë, madje duke i inkurajuar, elementët thelbësorë të traditës kombëtare, historike dhe kulturore. Me fjalë të tjera, çmohet patriotizmi dhe kombi si kategori e rëndësishme politike, nga njëra anë, por vlerësohet realisht, nga ana tjetër, dhe kompleksiteti i kombit modern në procesin e integrimit, si dhe dallimi midis kombit dhe shtetit, duke ndërthurur patriotizmin e sovranitetin kombëtar, të rrënjosur në idenë e vjetruar të shtetit komb, me sovranitetin e shumëfishtë. Natyrisht, një gjë e tillë nuk nënkupton shpërbërjen apo mohimin e sovranitetit kombëtar, por zgjedhjen sovrane që shtetet mund e duhet të bëjnë për t’i deleguar më shumë pushtet autoriteteve vendore, rajonale  e ndërkombëtare, apo për ta zhvendosur një pjesë të sovranitetit të tyre në nivelin e strukturave mbikombëtare. Për këtë arsye, kjo çështje kërkon një analizë akoma më të plotë nga PS-ja, sidomos në kushtet e krizës aktuale, e cila, në një mënyrë apo tjetrën, e ushqen nacionalizmin, deri organizmin e tij. Po e ndaloj këtu shtjellimin e mëtejshëm të përgjigjes, sepse dhe kaq mjafton për të kuptuar se në vizionin e një të majte bashkëkohore nuk mjafton vetëm përcaktimi i sistemit të taksimit, por dhe përpunimi i detajuar i mjaft kolonave kryesore të qeverisjes, përfshirë dhe ndërtimin e kohezionit brenda shoqërisë apo fuqizimin e kapitalit social.
Një ditë më parë, kryetarët e katër partive aleate të koalicionit opozitar shprehën indinjatën e tyre për trajtimin që PS-ja po i bën kërkesës së vetme që ato kanë për një korrektim kombëtar të sistemit zgjedhor. Madje, ata kërcënuan se mund të largohen nga koalicioni me PS. Si e vlerësoni këtë qëndrim të tyre?
Pavarësisht se nuk i njoh plotësisht deklaratat e tyre, ata kanë të drejtë të plotë në kërkesën e tyre. Ajo, në fund të fundit, lidhet me votën e qytetarit, me llogaritjen e drejtë dhe konsiderimin demokratik të saj. Këtë e realizon deri diku korrigjimi kombëtar, nëse nuk kalohet nga sistemi elektoral rajonal në atë proporcional kombëtar. Madje, po të shikohet me kujdes Kushtetuta, neni 64 i saj, duke e konsideruar të gjithë territorin si zonë zgjedhore, mund të kalohet lehtësisht në sistemin proporcional kombëtar. Por për këtë mungon vullneti politik i PD-së. Nëse PS-ja e vetme nuk po arrin të imponojë vullnetin e saj në mbështetje të kërkesës së partive të vogla, ajo duhet të bëhet strumbullari i përpjekjeve të përbashkëta i të gjithë partive të vogla të dy krahëve, për ta imponuar këtë korrigjim kombëtar, duke shfrytëzuar “zhurmën” e PD-së në zgjedhjet vendore për numërim të çdo vote. Madje, korrigjimi duhet të bëhet kali i betejës politike të PS-së në zhbllokimin e kësaj kërkese të aleatëve të saj. Është në interesin e saj, siç është dhe në interesin e një qeverisjeje të ardhshme më të qëndrueshme.
Hambari elektoral i PS kanë qenë kryesisht shtresat e varfra, ndërsa gjithnjë e më shumë bëhet fjalë për forcimin e shtresës së mesme. Anëtari i Kryesisë socialiste, Blushi, kërkon nga PS përforcimin e shtresës së mesme për të ulur varfërinë në vend. Pa ditur kufijtë përcaktues se çfarë nënkuptojmë me shtresë të mesme, a mund ta marrë PS-ja përsipër një mision të tillë?
Masa kritike për çdo sistem, proces, madhësi apo ansambël përcakton ndryshimin cilësor, apo nivelin ku ndryshimet sasiore shoqërohen ose shndërrohen në ndryshime cilësore. Parë me këtë sy, krijimi efektiv i shtresës së mesme në kushtet shqiptare, brenda konceptimit socio-ekonomik veberian, është ende larg të qenët një proces i tillë. Pra, shtresa e mesme është ende në konsolidim, me një zë në rritje, me kapacitete modeste ndikuese e stabilizuese. Kjo shtresë duhet të angazhohet gjithmonë e më shumë në vendimmarrje e qeverisje, pra dhe duhet të tërhiqet sa më tepër në jetën politike e shoqërore. Por, edhe nëse sot ajo ka peshë modeste, ylli apo magneti i saj do të jetë gjithnjë e më i rëndësishëm në vitet e ardhshme. Aktualisht, atë e kemi ose indiferente, ose e ndeshim të shpërndarë në parti të ndryshme. Ndërkohë, ndonëse shtresa e mesme nuk është mbizotëruese, kemi një pjesë të konsiderueshme të shtresës së pasur në formatin e mbështetëses, votueses, militueses apo përfaqësueses së PS-së në nivele qeverisëse vendore e qendrore. Prandaj, duhet punuar shumë më afër në gjirin e shtresës së mesme, për përfaqësimin sa më të mirë, në rritjen dhe fuqizimin e saj…
Ministri i Mbrojtjes, Imami, emëroi 2 muaj më parë komandantin e Forcave Detare pa dekretimin e Presidentit të Republikës, ndërsa të premten, ai e tërhoqi këtë urdhër të firmosur prej tij. Si e vlerësoni këtë emërim nga ana kushtetuese dhe a është e mjaftueshme kjo shkelje vetëm me një hetim administrativ brenda institucionit të Mbrojtjes? A duhet të kërkojë PS dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes?
Sipas nenit 168/2 të Kushtetutës: “Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”. Kjo kompetencë kushtetuese e Kryetarit të Shtetit lidhet me konceptin demokratik të drejtimit civil të Forcave të Armatosura. Po brenda këtij koncepti, Presidenti, “në kohë lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit” (neni 169/2), ndërsa për kohë paqeje ai “me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore” (169/3). Ky paragraf kushtetues nuk lejon asnjë lloj ambiguiteti në procedurën e emërimit të komandantëve të forcave tokësore, detare dhe ajrore. Atëherë, si shpjegohet kjo shkelje e rëndë kushtetuese? Madje, kur e dëgjova për herë të parë, mbeta i shokuar. U dhashë të drejtë edhe miqve të mi, që e quajtën këtë veprim një rënie shteti apo dalje nga binarët! Sidoqoftë, personalisht e kam vështirë të gjej ndonjë justifikim zbutës! Aq më keq, që pas plasjes së këtij skandali, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura deklaroi nga Uashingtoni se emërimi i Komandantit të Flotës Detare, duke shmangur Presidentin e Republikës, ishte kryer në përputhje me ligjin (!). Akoma më e çuditshme ishte se në këtë përgjigje, ai shtonte që ministri i Mbrojtjes ka si kompetencë të emërojë pa dekret komandantët nëse ata nuk kanë gradën “gjeneral”. Se ku e gjente ky ushtarak këtë formulim ligjor, kur Kushtetuta në nenin 169/3 flet ndryshe, e di vetëm ai! Veçse nëse ai ka gisht në këtë shkelje kushtetuese duhet të kërkojë falje publike, deri të mbajë, si ushtarak, edhe përgjegjësi penale. Kjo bëhet akoma më e detyrueshme me revokimin e urdhrit të ministrit për këtë emërim. Nga ana tjetër, edhe sikur ministri të jetë urdhëruar për një emërim-shkelje të tillë, ai duhet të kishte reaguar, deri duke dhënë dorëheqjen, për të mos firmosur një urdhër të tillë, që preku Kushtetutën – shtyllën bazë të shtetit demokratik, për hartimin e së cilës ai ishte dhe bashkëkryetar i komisionit përkatës 14 vjet më parë.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura