Revolta e Shkollës së Bashkuar në 1991, si e shmangëm vëllavrasjen

Apr 6, 2011 | 11:36
SHPËRNDAJE
Enver Hoxha dhe udheheqes te partise komuniste ne paraden e zhvilluar ne shkollen e bashkuar, ne vitin 1978

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit u shoqërua me pështjellime të mëdha. Veçanërisht në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve tensionet u rritën shumë. Vendosja e një busti në miniaturë, që do të zëvendësonte monumentin e derdhur në tetë tonë bronz special, dukej se do të rivendoste nderin e humbur. Dhe ndërsa qindra studentë ushtarakë të armatosur ishin të gatshëm ta bënin këtë, edhe forcat jashtë territorit të Shkollës bënin një presion të madh. Ndoshta vetëm një shkrepëse dhe konfrontimi i palëve do të realizohej me “sukses të plotë”, por kjo nuk ndodhi. Kur flitet për ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, në këtë rast duhet saktësuar se në atë garnizon ishin edhe Akademia Ushtarake e shkolla “Skënderbej”. Pra, tri shkolla. Në këtë kuptim, do të ishte e udhës që ato ndodhi t’i quajmë   “Ngjarjet në shkollat ushtarake të Tiranës”. Kur jam pyetur për grushtin e shtetit të shkollës, kam theksuar se grusht shteti quhet ajo goditje që rrëzon pushtetin dhe merr në dorë drejtimin e tij. Ne e kishim ende pushtetin dhe nuk kishim asnjë arsye që të rrëzonim vetveten. Pra as që bëhej fjalë për grusht shteti. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Ajo ngjarje në shkollat ushtarake u quajt grusht shteti për qëllime politike, por ndoshta edhe nga injoranca, nga padia. Qëllimi i vërtetë ka qenë provokimi i shkollave ushtarake (të tilla kemi pasur edhe në reparte të tjera), që ushtarakët të irritoheshin e të përlesheshin me qytetarët dhe forcat e opozitës, ku natyrisht do të derdhej gjak dhe kështu, sipas një skenari të sofistikuar, do të akuzohej ushtria dhe PPSH-ja.
SHKOLLA E BASHKUAR NUK SULMOI, POR U SULMUA
Në atë kohë flitej se Shkolla e Bashkuar përgatitej për rivendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Në fakt, nga gjithë ato zhvillime duhet sqaruar se Shkolla e Bashkuar nuk sulmoi, por u sulmua. U sulmua nga forca  regresive. Ndaj kësaj shkolle filluan provokimet. Provokimi apo sulmi ndaj saj ishte i organizuar  dhe kishte për qëllim që forcat e Shkollës të dilnin në rrugë e të gjakosnin popullin. E pastaj të thuhej se ja ç’bën ushtria e Enverit, vret popullin. Midis Shkollës së Bashkuar dhe turmës u vendos policia, pra policia kishte kontaktin me njerëzit. Policia hante gurët dhe të paktën një polic u vra kur një udhëheqës i PD-së hapi portën e një furgoni. Para kësaj  ngjarjeje ishte krijuar një bërthamë, në krye të së cilës ishte një pedagog shumë i mirë i Akademisë dhe disa pedagogë të Shkollës së Bashkuar. Meqenëse Ramiz Alia dhe udhëheqja kishin shprehur keqardhjen për rrëzimin e monumentit, Shkolla e Bashkuar mori përsipër të vendosej shtatorja në qendër të Tiranës. “Po qe nevoja e mbrojmë ne dhe kush të dojë, le të vijë dhe ta rrëzojë”, thoshin ata. Më 21 shkurt më telefonoi drejtori i Televizionit e më tha se kishin shkuar dy studentë të Shkollës së Bashkuar me një peticion dhe donin të transmetohej tekstualisht siç e kishin shkruar. Madje e kishin kërcënuar: “Ose transmetojeni kështu siç është, ose do ta marrim ne televizionin e do ta transmetojmë vetë”. Unë iu përgjigja se nuk kishte gjë të keqe të transmetohej përderisa çdo natë transmetoheshin dhjetëra peticione nga shoqata me dy-tre anëtarë, “megjithatë, – i thashë, – unë nuk jam kompetent, se urdhrat i marr nga lart, nga Ramiz Alia”. Sa për televizionin  i thashë, mos ki frikë, nuk merret me forcë. Pas pak më merr në telefon Vaskë Çifliku, sekretari i Ramiz Alisë e më thotë të njëjtat gjëra. “Ti urdhrat i merr nga shoku Ramiz”. Po, i thashë, e di këtë dhe s’kam dhënë urdhër të veçantë. Pastaj, shtova se “ajo që duan të bëjnë studentët e Shkollës së Bashkuar është gjë e mirë, meqë juve ju ka ardhur keq që u rrëzua  monumenti, ata duan ta venë prapë në vend. Pra ngrihen për atë që u qan zemra”. Përfundimisht peticioni nuk u transmetua nga Radio-Televizioni. U botua pa pikën që fliste për rivendosjen e shtatores, vetëm në gazetën “Zëri i Popullit”, më 22 shkurt 1991.
TAKIMI I 21 SHKURTIT 1991
Në mbrëmjen e po asaj date, në Shkollën e Bashkuar po zhvillohej një takim me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve, një përfaqësuesi nga Ministria e Mbrojtjes (më duket shefi i Shtabit), Neritan Ceka nga PD e të tjerë. Ndërsa po vazhdonte takimi, u dëgjuan krisma. Ata të PD-së thanë se “e ndërpresim diskutimin, sepse Shkolla hap zjarr dhe në kushte lufte nuk mund të diskutojmë”. U ngjitën të gjithë në tarracë dhe panë se të shtënat vinin nga jashtë, nga ku u plagos një oficer i Shkollës së Bashkuar. Pasi u bindën se nga Shkolla nuk ishte hapur zjarr, ata u kthyen dhe mbledhja vazhdoi. Shkolla ndërkaq ishte nën komandë dhe ndodhej e pozicionuar. Në Shkollën e Bashkuar kishte pedagogë e studentë (ndonjë edhe në Akademi), që ishin kompromentuar nga PD ose mendonin se duhej përkrahur ajo. Njerëz të tillë kishte në togat e zbulimit, të prapavijës, dhe kjo përbënte një rrezik. Unë dyshoja e kisha frikë që po të ndodhte  ndonjë situatë brenda në shkollë, mund të shkaktohej edhe vëllavrasje. Në të vërtetë, kur u rrethua Shkolla e Bashkuar nga njerëz provokatorë, këta që unë dyshoja ishin të parët që u ngritën  kundër rrugaçëve, të cilët donin të sulmonin shkollën. Togat e zbulimit e të prapavijës, për të cilat dyshoja se ishin më të komprometuarat, u bënë më luftaraket, sepse u fyen në sedrën e tyre që po u shkelej nderi i ushtarakut nga rrugaçët.
RRËZIMI I STATUJAVE
Fakti i thjeshtë që rrëzimet e busteve në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Korçë, Vlorë u bënë të gjitha rreth orës 11:00 na vuri në mendime. E diskutuam edhe në një rreth shumë të ngushtë në Shtabin e Përgjithshëm dhe gjykuam se kjo ishte  bërë me orientim. Unë ende mendoj se ishte orientim nga Ramiz Alia. Pra, përshtypja ime ishte se ato qenë të organizuara. Dhe meqenëse ishte kështu, kjo mund të ndodhte edhe brenda në Shkollën e Bashkuar. Vrisja mendjen se çfarë duhej bërë dhe vendosa që edhe unë duhej të organizoja heqjen e shtatores nga Shkolla. Kam thirrur shefin e Shtabit e drejtorin e Xhenios e u thashë: “Unë akoma nuk kam marrë lejen e Ramiz Alisë, por do t’i marr leje dhe vetëm ju do ta dini. Në rast se na japin urdhër për ta hequr shtatoren e Enver Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar, ti si drejtor i Xhenios do të marrësh masa që në mëngjes atje të jetë bërë një lulishte, nuk dua që të mbetet gërmadhë”. Pasdite mora Ramiz Alinë në telefon dhe i thashë: “Me sa duket, rrëzimi i busteve ka qenë i organizuar. Nëse është vënë në program që të rrëzohet edhe busti në Shkollën e Bashkuar, ne do të marrim masa që në mëngjes të gdhihet lulishte”. Ai më bërtiti fort: “Si, shoku Kiço, ke mendimin të na heqësh komandantin e Përgjithshëm?!”. Unë, kuptohet, nuk i besova. Busti u hoq pas disa muajsh nga Qeveria e Stabilitetit dhe nuk u hoq siç e mendoja unë.
PËRPLASJET ME RAMIZ ALINË
Edhe sot më duket paksa e çuditshme. Gjatë gjithë asaj kohe të tensionuar unë dhe Ramiz Alia nuk kemi komunikuar me njëri-tjetrin. Vetëm në mbledhjen e qeverisë unë raportova se situata ishte e ndezur. Nuk më kujtohet, por nuk kam marrë asnjë lloj detyre. Ne kishim punën tonë, të cilën e kishim shumë të qartë. Ramizi ndofta merrte raporte nga ndonjë burim tjetër, por unë nuk e di. Mua nuk më pëlqeu që brenda në Shkollën e Bashkuar ishte futur zëvendësministri i Brendshëm (Hajredin Shyti) bashkë me kryetarin e PD-së së Tiranës dhe unë s’isha lajmëruar. Në një moment, kur pati një të shtënë tanku, Hajredin Shyti më mori në telefon: “Jam këtu me kryetarin e PD-së për Tiranën”, e më bënte vërejtje për veprimin e tankut. Atëherë nuk m’u durua dhe i fola shumë ashpër, duke i thënë se “nuk jam në varësinë tuaj, kështu që foli ministrit tënd. Ç’punë ke me kryetarin e PD-së brenda në Shkollë? Ju merruni me policët përjashta, prandaj largohuni menjëherë, mos përfitoni nga mirësjellja e Komandës së Shkollës”. Unë nuk mund ta kuptoj edhe sot e kësaj dite se përse MPB dhe degët në rrethe, për çdo gjë informonin PD-në apo i merrnin leje asaj, duke mos menduar se kështu i viheshin më keq fitilat situatës. Kështu ndodhi edhe në Shkodër e rrethe të tjera.
TË PAVËRTETAT E PRESIDENTIT
Ramiz Alia thotë në një intervistë se ushtria do të marshonte drejt Tiranës dhe se ai e shpëtoi vendin nga gjakderdhja. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe ishte e pamundur të bëhej në atë situatë, kur rezervistët që kompletonin ushtrinë, “marshonin” drejt kufirit e largoheshin si refugjatë nga Shqipëria. Atëherë shtrohet pyetja se cilat forca do të marshonin drejt Tiranës? Ku e paskësh marrë apo parë Ramiz Alia këtë informacion që unë, si ministër i Mbrojtjes, nuk e dija? Në qoftë se ishte ashtu, do të thotë se unë nuk e kisha në dorë situatën. Atëherë pse e bëri këtë deklaratë Ramiz Alia? Përgjigjja ime është se e bëri për të justifikuar shthurjen, anarkinë dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Domethënë i duhej një maskë për të mbuluar mangësitë dhe kjo maskë ishte ushtria. Pra, për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë me një pohim të sinqertë të Ramiz Alisë, por me të kundërtën. Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj urdhrin për të mobilizuar 15 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurse urdhëroi për shumë kompani të specializuara që erdhën në Tiranë pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhra të arkivuar. Të tillë urdhra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato, ama, vlejnë për të akuzuar. Për mobilizimin e forcave nga Dibra, Ramiz Alia përdorte dhe shfrytëzonte shumë Haxhi Lleshin, i cili edhe në shtëpinë e vet qëndronte ato ditë i armatosur me automatik e pistoletën në brez dhe plot krehra fishekësh mbi tavolinë… Për këto urdhra që jepeshin pa u konsultuar e pa objektiva duhet të japë shpjegime Ramiz Alia. Po Kiço Mustaqi, si ministër i Mbrojtjes Popullore, ç’bënte me këto urdhra? Mund t’ju përgjigjem se unë i zbatoja ato deri në atë pikë që nuk kishte rreziqe. Për shembull, unë e zbatova urdhrin që kompania speciale të përqendrohet në Tiranë dhe të rrijë në gatishmëri. Nuk u jepja asnjë urdhër tjetër dhe i ktheja mbrapsht. Këto janë të dokumentuara, se përndryshe, për moszbatim urdhri, arrestoheshe.
“RRETHIMI CIVIL” I GARNIZONIT USHTARAK
Provokuesit u larguan nga Shkolla e Bashkuar se panë qëndrimin e vendosur të saj. Panë qëndrimin e saj korrekt, që nuk binte në provokacion, panë se as Shkolla, as Ministria e Mbrojtjes nuk mund të binin në kurthin e tyre. Edhe “dasma” pritej të bëhej brenda shkollës, jo jashtë saj. Ata shpresonin që ne të dilnim jashtë mureve. Ndërsa ne prisnim të na vinin brenda, e atje te ne do të mbroheshim. Do të mbrohej edhe me gjak. Këtë e përcaktonte ligji dhe statusi i saj. Ndërsa jashtë ne s’kishim punë. Sa më shumë të qëndronin ata jashtë, për ta ishte edhe diskreditim politik. Deri atëherë, në asnjë vend të botës nuk kishte ndodhur që turma civilësh të sulmojnë një repart ushtarak. Ngjarjet e Shkollës së Bashkuar ishin një turp i madh për ato forca që i organizuan. Të sulmosh qeverinë, Televizionin, Komitetin Qendror, këto kishin një kuptim, por të merrje Shkollën e Bashkuar, s’kishte kuptim. Ç’kuptim kishte të sulmoje një repart ushtarak?! Ajo do të thotë të kërkosh gjakderdhje për të justifikuar rezistencën e madhe që ke pasur ti për të sjellë demokracinë në Shqipëri. Nga ana tjetër, në qoftë se këtë e ka organizuar dikush i PPSH, atëherë ai e ka bërë për të fituar pikë, domethënë, shiko, të tillë ushtri kemi pasur, që e gjakoste njeriun për të fituar vlera të tjera. Unë mendoj se më tepër këtë e kërkonte në atë kohë kundërshtari. Kam përshtypjen që ishin edhe të drejtuara, edhe të organizuara, por realiteti është që unë nuk e di kush i drejtonte forcat e tyre. Shkolla e Bashkuar ishte plotësisht në urdhrat dhe nën kompetencat e urdhrave të mia; kjo nuk diskutohet, domethënë s’kishte asnjë rrezik për të jashtmit. Ajo nuk do të sulmonte kurrë. Trupa e Shkollës pati durimin e jashtëzakonshëm që nuk goditi asnjeri edhe kur iu shkatërruan tërë muret. Ajo u godit ngado, u godit madje edhe Komanda, por prej asaj shkolle ushtarake nuk u vra asnjë njeri. Faktet janë kokëforte. Dihet mirë kush e bëri sulmin. Ngjarjet janë fotografuar e filmuar…

Ultimatumi në TVSH: Do vendosim shtatoren e Enverit

Ajo çfarë ndodhi më 21 shkurt 1991 në Shkollën e Bashkuar u përjetua si ngjarje tronditëse, që më së shumti vinte në diskutim rrjedhën e proceseve demokratike në Shqipëri. Ishte me të vërtetë diçka e papritur e befasuese. Nuk ishin bërë as 24 orë nga rrëzimi i monumentit të Enverit në sheshin “Skënderbej” kur u përhap si rrufeja lajmi se efektivat e akademive ushtarake do të marshonin në qendër të Tiranës për të rivendosur shtatoren e diktatorit, që ndodhej në hyrje të Akademisë. Duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një iniciativë spontane, aq më tepër në një shkollë të tillë ushtarake ku nuk diskutohej disiplina e hekurt. Në thirrjen të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës drejtuar Presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, në formën e një peticioni, pohohej fakti se me përmbajtjen e saj ishin njohur komandat e shkollave ushtarake dhe ishin dakord. Kërkesa e parë e kësaj thirrjeje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të cilit  kërkohej që të përcaktohej me anë të një referendumi mbarëpopullor dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Kërkesat e tjera kishin të bënin me departizimin e ushtrisë në kushtet e pluralizmit politik, me mbrojtjen ligjore të figurës së ushtarakut dhe garantimin e objekteve shtetërore me vlera ekonomike, sociale, kulturore e historike etj. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar se vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak. Po ngjarjet nuk rrodhën kësisoj.

Peticion

“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe indinjuar thellë nga veprimet kriminale dhe forcave të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend jo vetëm nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë :
1. Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli.
2. Në kushte e demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.
3. Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj, ajo të jetë e paprekshme.
4. Të zbatohet me rreptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera  ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun  dhe djersën e popullit.
5. Kërkojmë që sot, më datën  22.2 1991, ora 17.00 përfaqësues të Presidiumit, të partive politike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme, si dhe të mjeteve të propagandës, Radiotelevizionit, organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkollave ushtarake. Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë  të Bashkuar të Oficerëve ”Enver Hoxha”.
6. Radio-Televizioni të kalojë nën drejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.
7. Efektivat e shkollave  ushtarake në Tiranë  u bëjnë thirrje të gjitha  partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen  nga fjalët e deklaratat e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar.
21 shkurt 1991

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura