Retinopatia diabetike, faktorët e riskut dhe si mund të parandalohet.

Jan 26, 2020 | 11:57
SHPËRNDAJE

Në kushtet kur në botë numri i personave që vuajnë nga diabeti është në rritje (parashikohet të shkojë në 642 milionë në vitin 2040), atëherë fokusi ndaj sëmundjes nuk duhet parë i shkëputur nga komplikacionet që ajo mund të sjellë, nëse nuk mjekohet në kohë dhe ashtu siç duhet.

alda-zani-mjeke

“Retinopatia diabetike është një ndër shkaktarët kryesorë të humbjes së shikimit në botë. Ajo shkaktohet nga dëmtimi që i bën niveli i lartë i sheqerit në gjak enëve të gjakut të indit sensitiv ndaj dritës (retinës) në pjesën e pasme të syrit”, thotë mjekja oftalmokirurge, dr. Alda Zani. Sipas doktoreshës, çdo vit, rreth tetë mijë persona humbasin shikimin si pasojë e kësaj sëmundjeje, prandaj është e rëndësishme njohja e simptomave, po ashtu edhe kontrollet e rregullta te mjeku okulist.

“Sa më shumë vite të ketë pacienti me diabet dhe sa më pak i kontrolluar të jetë niveli i sheqerit në gjak, aq më i madh është rreziku për të zhvilluar retinopati diabetike”, shton doktoresha, e cila na njeh edhe me faktorët e rrezikut dhe masat për parandalim.

Doktoreshë, çfarë është retinopatia diabetike dhe cilat janë të dhënat mbi sëmundshmërinë?

Diabeti mellitus është një çrregullim metabolik, i cili karakterizohet nga niveli i lartë i glicemisë në gjak dhe që shoqërohet me një sërë komplikacionesh okulare, renale, kutane etj. Një ndër komplikacionet okulare të diabetit është retinopatia diabetike (RD). Retinopatia diabetike është një ndër shkaktarët kryesorë të humbjes së shikimit në botë. Ajo shkaktohet nga dëmtimi që i bën niveli i lartë i sheqerit në gjak enëve të gjakut të indit sensitiv ndaj dritës (retinës) në pjesën e pasme të syrit. Fillimisht, retinopatia diabetike mund të mos shkaktojë asnjë simptomë ose probleme të lehta të shikimit, por ajo mund të çojë deri në verbëri. Në 20 vitet e fundit, prevalenca e retinopatisë diabetike është rreth 28.7%. Çdo vit, rreth tetë mijë persona humbin shikimin për shkak të diabetit, pra, rreth 12% e humbjes së shikimit, është për shkak të diabetit. Prandaj është shumë e rëndësishme njohja e simptomave dhe kontrollet e rregullta te mjeku okulist. Retinopata diabetike mund të zhvillohet në diabetin e tipit 1 dhe 2. Sa më shumë vite të ketë pacienti me diabet dhe sa më pak i kontrolluar të jetë niveli i sheqerit në gjak, aq më i madh është rreziku për të zhvilluar retinopati diabetike.

 

Cilat janë shenjat e RD dhe kur duhet të drejtohemi te mjeku okulist?

Në stadet fillestare të sëmundjes, pacientët janë kryesisht asimptomatik. Në faza më të avancuara të sëmundjes, mund të shfaqet me turbullim të shikimit, luhatje të shikimit, zona të errëta ose boshe në shikim, shikim i dobët gjatë natës, vështirësi në diferencimin qartë të ngjyrave deri në humbje të plotë të shikimit.

Duke qenë se RD është asimptomatike, në stadet fillestare të saj, çdo pacient diabetik duhet t’i nënshtrohet vizitës te mjeku okulist, sipas rekomandimeve të mjekut endokrinolog, minimalisht çdo 2 vjet. Është shumë e rëndësishme që pacientët me diabet tip 2 t’u nënshtrohen ekzaminimit në momentin e diagnozës, sepse nuk dihet se kur mund të jetë instaluar diabeti. Nëse në ekzaminimin fillestar nuk ka evidencë të retinopatisë diabetike, atëherë ata duhet të ekzaminohen së paku çdo 2 vjet.

Çdo njeri, më i madh se 10 vjeç, me diabet tip 1 duhet t’i nënshtrohet ekzaminimit të parë brenda 5 viteve që nga koha e diagnostikimit me diabet. Për gratë shtatzëna rekomandohet ekzaminim para shtatzënisë dhe gjatë tremestrit të parë, duke qenë se shtatzënia përkeqëson ose përshpejton zhvillimin e RD.

Cilët janë faktorët e riskut për zhvillimin e retinopatisë diabetike?

Dy faktorët kryesorë të riskut për zhvillimin e Retinopatisë diabetike janë kohëzgjatja e diabetit dhe kontrolli jo i mirë glicemisë. Sa më shumë kohë të ketë pacienti me diabet, aq më i madh është risku për zhvillimin e retinopatisë diabetike. Sëmundjet bashkëshoqëruese, si tensioni i lartë i gjakut dhe niveli i lartë i kolesterolit, rrisin rrezikun për zhvillimin e retinopatisë diabetike. Shtatzënia mund të jetë shkak për zhvillim e RD apo agravimin e saj në një paciente shtatzëne dhe diabetike. Konsumimi i duhanit në një pacient diabetik ndikon në zhvillimin e RD.

A mund të parandalohet retinopatia diabetike dhe si?

Parandalimi i retinopatisë diabetike mund të realizohet nëpërmjet ekzaminimit të rregullt periodik të syve, kontrollit të mirë të glicemisë dhe tensionit arterial si dhe ndërhyrjes në kohë për problemet e manifestuara okulare. Menaxhimi i diabetit nëpërmjet ushqyerjes së shëndetshme dhe aktiviteti fizik, si pjesë e rutinës ditore të një pacienti diabetik, është esencial. Çdo i sëmurë diabetik duhet minimalisht të ushtrohet 150 minuta në ditë. Marrja korrekte e mjekimeve hypoglicemike, si tableta apo insulina, si dhe monitorimi i rregullt i glicemisë disa herë në ditë, sipas rekomandimeve të mjekut endokronolog si dhe hemoglobinës së glukozuar. Shumë e rëndësishme është edhe mbajtja në kontroll e nivelit të kolesterolit dhe tensionit arterial, si dhe ndërprerja e duhanpirjes.

Të ndalemi te metodat e diagnostikimit, cilat janë ato?

Diagnostikimi i RD mund të realizohet nëpërmjet ekzaminimit të pjesës së pasme të syrit (fundus oculi) nëpërmjet pupilës së zgjeruar, e cila mund të realizohet rutinë në kabinetin e mjekut okulist ose nëpërmjet metodave imazherike, si angiografia me fluoresheinë dhe OCT (skanerit të syrit).

Së fundmi, cilat janë opsionet e trajtimit të retinpotanisë diabetike?

Trajtimi varet nga serioziteti i saj. Në stade të hershme të RD mund të mos ketë nevojë për trajtim, përveçse vizitave të rregullta periodike. Në stade të avancuara të RD trajtimi i saj mund të bëhet me: injeksione intravitreale anti-VEGF, të cilat ndalojnë ose pakësojnë formimin e enëve të reja të gjakut, fotokoagulimi, i cili ndalon ose pakëson rrjedhjen e gjakut apo lëngut në sy, vitrektomi, e cila nëpërmjet një incizioni të vogël largon gjakun apo indin fibrotik nga retina.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura