Reportazhi/ Vrasja për “nderin” e motrës, banorët e fshatit të ndarë mes krimit dhe tradhtisë

Feb 6, 2019 | 7:29
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Kanë kaluar 10 ditë që kur një 34-vjeçar u godit për vdekje me një shufër hekuri, nga vëllai që deshi të çonte në vend “nderin” e motrës, por gjurmët e krimit janë ende të freskëta në fshat.

Shtëpia e viktimës dhe Elida Cani
Shtëpia e viktimës dhe Elida Cani

Në Bastar të Mesëm, banorët e kanë të vështirë të japin një mendim për atë që ka ndodhur. I njohin të tria familjet e përfshira në këtë ngjarje, por nuk janë në gjendje të pozicionohen në asnjërin krah. E vetmja gjë që flitet tashmë mes tyre është frika e një gjakmarrjeje të mundshme.49346188_936917886497919_25 (1)

“Me sa kemi dëgjuar ne, familja Gjeçi ende nuk u ka çuar fjalë”, thonë disa nga banorët, pa folur asnjë fjalë për vrasjen. Por nën zë, edhe për ngjarjen e kanë një mendim. Disa dënojnë vajzën për tradhtinë, të tjerë vëllain e saj për krimin. Por ka edhe nga ata që gjykojnë viktimën, edhe pse të gjithë flasin veç fjalë të mira për të.

Çifti Defrim Kurti dhe Elida Cani
Çifti Defrim Kurti dhe Elida Cani

Vdekja e Arben Gjeçit, baba i tre fëmijëve, duket se është nga pak përgjegjësi e të gjithë atyre që nuk i dhanë ndihmë në kohë. Megjithëse në burg ndodhet vetëm Esat Cani, pasi motra e tij Elida dhe dhëndri Dëfrim Kurti janë lënë në arrest shtëpie nga Gjykata, në fshat duket se ka edhe të tjerë fajtorë.

Banorët thonë se u vonua që t’i jepej ndihma e parë në spital. Megjithatë, ata fajësojnë rrugën për këtë dhe jo njerëzit. E në këtë pikë duket se e kanë një farë të drejte.51510855_236511593895905_91

NE BASTAR TE MESEM

Udhëtimi për në fshatin Bastar i Mesëm është një sfidë më vete. Është vetëm 22 kilometra larg Tiranës, por që të arrish atje të duhet një makinë e lartë, pasi veturat e kanë të pamundur. Nisja nga Tirana, duke ndjekur deri në fund rrugën “Myslym Keta” që lë pas Tufinën, asfalti mbaron për t’i lënë vend rrugës me gropa dhe pastaj gurëve që të shoqërojnë deri lart në Brar.

cani

E më tej Shkallës së Tujanit, Zall Bastarit e në fund arrijmë në destinacion. Udhëtimi i vështirë zgjat diçka më shumë se 90 minuta. Kaq për të arritur në qendrën e fshatit, ku e ka shtëpinë familja e viktimës. Por për të shkuar në shtëpinë e Elida Canit, aty ku ai u godit nga vëllai i saj, të duhen edhe 90 minuta të tjera, udhëtim në këmbë. Një rrugë edhe më e vështirë sa ajo që përshkuam, afër disa kodrave sipër qendrës së Bastarit të Mesëm, makinat kalojnë shumë rrallë e me vështirësi.

Pikërisht diku atje, në një rrugë që natën rrallë të ndodh të ndeshesh me njerëz, u la i gjakosur Arben Gjeçi. Disa metra larg shtëpisë së Elida Canit. Zvarritjet e banorëve për t’i dhënë ndihmën e parë, mungesa e një mjeti për ta nisur shpejt për në spital, por më kryesorja rruga e vështirë, bënë që për Arbenin të ishte shumë vonë. Pas shumë peripecish e dërguan pranë mjekëve, por as ata nuk kishin më se çfarë të bënin. Ai ndërroi jetën në sallën e operacionit.

FAMILJARET

Kur mbërrijmë në qendrën e fshatit, aty ku ndodhet edhe xhamia, banorët na orientojnë drejt shtëpisë së viktimës. Por na këshillojnë që të mos i rëndojmë më shumë familjarët e tij. Ata na thonë se Arbeni, bashkë me gruan dhe tre fëmijët, kishin afro dy javë që kishin dalë në shtëpi më vete, pranë vëllezërve të tij. Rrugës për në shtëpinë e Arbenin ndeshemi me xhaxhain e tij.

Bashkë me të edhe djali i madh 12-vjeçar i Arbenit. “Nuk kemi çfarë të themi ne. Të flasin ata njëherë”, thotë xhaxhai i viktimës, duke iu referuar familjes së autorit. Ata marrin drejtimin për nga shtëpia, ku vazhdojnë pritjet për ngushëllim.

Më tej është e pamundur të vazhdosh. Na u bë e qartë se askush aty nuk do të flasë dhe vendimi i familjes duhej respektuar. Banorët na thonë se krimi i ka bërë të heshtin të gjithë, por edhe të reflektojnë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura