Reportazhi i AFP-së: Kriza greke ka goditur familjet e emigrantëve shqiptarë

Jul 1, 2015 | 15:43
SHPËRNDAJE

Lorenc Toska u kthye me xhepa bosh nga Greqia te fshati i tij në Shqipërinë e Mesme. Ai ka punuar gjatë me shpresën për të siguruar një jetë më të mirë për familjen e tij në Shqipëri, por kriza në vendin fqinj i ka venitur ëndrrat e tij.

Lorenc Toska, 25 vjeç, ka punuar në fushat e pambukut, por që nga marsi është kryer në fshatin Suk me vetëm 200 euro

“U ktheva pa asnjë kacidhe. Me vete kisha vetëm një çantë me rrobat e punës”, tregon 25-vjeçari toska për Agjencinë Franceze të Lajmeve, teksa përqafon të birin e tij të vogël.

Kur u kthye në Janar, Toska i solli djalit të tij të vogël një lodër, por ka ardhur koha tani që ai nuk përballon dot më dhurata të tjera.

Më shumë se 600 mijë shqiptarë u larguan prej varfërisë në Shqipëri për të kërkuar fatin e mirë në Greqi. Pjesa më e madhe e tyre e kaluan kufirin ilegalisht, sipas të dhënave zyrtare.

Por që kur u thellua kriza greke, rreth 180 mijë shqiptarë u kthyen në vendlindje. Toska, me paratë e të cilit mbahej bashkëshortja, dy fëmijët, prindërit dhe gjyshja, këtë herë ka sjellë vetëm 200 euro që prej muajit mars.

Në vend që t’i paguante detyrimet, shefi i Toskës e urdhëroi atë që të largohej nga Greqia, duke e kërcënuar se do të lajmëronte autoritetet, pasi Toska punonte në të zezë.

“Unë punoja në fushat e pambukut tre vjetët e fundit. Në të shumtën e rasteve punoja 14 orë në ditë. Shefi na premtoi se do të na i shlyente të gjitha detyrimet në mes të qershorit, por në fakt nuk ndodhi kështu dhe në u detyruam të largoheshim”, thotë Toska.

Në fshatin e tij, Suk, i cili ka 1800 banorë, shumë familje jetojnë me të ardhurat e fëmijëve të tyre emigrantë në Greqi.

 Ëndrra të shpartalluara

 Zymbyle Kodheli merrte të paktën 1000 euro në vit nga djali i saj emigrant. Me ato para ajo ndihmonte burrin e saj të sëmurë dhe dy vajzat.

Por situata e tyre tashmë ka ndryshuar dramatikisht. “Djali është i papunë dhe na dërgon thuajse asgjë. Ai kërkoi një jetë më të mirë në Greqi, por tani ëndrrat tona janë shkatërruar”, tregon ajo.

Gjithsesi, Kodheli nuk beson se djali i saj me familjen e tij do të kthehen në Shqipëri. “Duket sikur çdo gjë ka ngrirë në kohë”, vijon ajo. Në një dyqan të fshatit, listat e atyre që marrin ushqime pa paguar po shtohet dita ditës.

Lustat e atyre që marrin ushqime shtohet dita-ditës

“Të paktën 30 familje kanë të afërmit që punojnë në Greqi, por ata nuk po dërgojnë më para dhe kështu nuk janë në gjendje të më paguajnë”, thotë Altini, shitësi i dyqanit.

 “Ata po presin të vijnë paratë, por duket sikur kriza greke nuk do të mbarojë”, vijon 37-vjeçari duke shfletuar fletoren ku mban listat e debitorëve.

Athina ka zyrtarizuar kontrollin mbi kapitalin e bankave, pas dështimit të negociatave me kreditorët e saj, e cila u pasua edhe me mbylljen e përkohshme të bankave dhe transfertave ndërkombëtare.

Kjo është përdorur si pretekst nga punëdhënësit grekë, të cilët nuk po i paguajnë emigrantët shqiptarë. Më shumë se 160 mijë familje shqiptare kanë si të vetmet burim të ardhurash remitancat.

Të paktën 26 % e këtyre familjeve rrezikojnë që të bien nën minimumin e varfërisë. Banka Botërore tregon se më shumë se 12 % e popullsisë së Ballkanit, që i bie 2.8 milionë njerëz, jetojnë në varfëri ekstreme, pra me më pak se dy dollarë në ditë. 

 

Faksimile e artikullit në anglisht

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura