Renis Gjoka: Pse u dedikova këngë personave nënvleftësues në dashuri

Jul 26, 2016 | 9:42
SHPËRNDAJE

Pas këngës hit “Dashuria ime ti”, me muzikë të Aleksandër Gjokës, Renis Gjoka rikthehet kundër rrymës këtë verë, me një këngë plot dhimbje dashurie. I vetëm në zbrazëtirat e lartësive në natyrë, rokeri i njohur bën pyetjen “Po tani?”, pasi lidhja ka marrë fund dhe s’mundet të kthejë pranë vetes njeriun që nuk e vlerësoi si duhej.

E gjithë kjo është fabula e këngës, vargjet e së cilës i ka shkruar vetë si një rrëfim i burrit për burrat që nuk kanë ditur të duan. Për frymëzimin e kësaj kënge dhe të tjera sekrete nga jeta e tij, Renisi rrëfehet për gazetën “Panorama”.

b634e7848492f45047be49cc1625305e

Si lindi “Po tani?”, kjo këngë me shumë dhimbje dashurie?

Lindi para tri vitesh, kur kompozitori i këngës, Endrit Shani, ma tregoi për herë të parë krijimin e tij. Më pëlqeu dhe vazhduam punën për ta zhvilluar dhe përfunduar më pas. Krijova tekstin e “Po tani?” dhe më pas, së bashku me Arbër Koçllarin orkestruam këngën.

I dedikohet dikujt posaçërisht dhe në ç’moment të jetës suaj sentimentale i shkruat vargjet?

Është dedikim për të gjithë ata persona që nuk e kanë vlerësuar ashtu siç duhet lidhjen që kanë pasur dhe më vonë ia kanë kuptuar rëndësinë.

Pse zgjodhët hapësirat e pafundme dhe lartësitë e rrezikshme për skenat e klipit?

Ishte një zgjedhje e regjisorëve të D.M.J.C Video për ta realizuar në këtë mënyrë klipin. Menduan se ato pamje do t’i rrinin mirë kësaj kënge.

Juve personalisht ju ka ndodhur ndonjëherë të provoni dhimbje të tillë sa t’ju duket gjithçka e pakuptimtë?

Jo. Ende jo. Shpresoj që jo.

Tani në verë këngëtarët zgjedhin këngë ritmike. Ju pse me notat gri?

Po mendova ta thyenim pak veshin.

Një roker si ju, me cilët këngëtarë bën shoqëri jashtë muzikës?

Me të gjithë ata këngëtarë që mua më duken njerëz të mirë. Me pak fjalë, nuk ka rëndësi rryma muzikore që përfaqëson, por se çfarë njeriu je.

Në muzikë, cila këngëtare do të ishte gjysma juaj më e mirë në një duet?

Ka shumë në fakt. Nuk do të doja të përmendja emra tani, sepse nëse do të filloj ta bëj, do të më duhet të vazhdoj gjithë ditën dhe gjithë natën duke shkruar emra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura