Reformë pa reformën në sistemin e drejtësisë

Jun 21, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

florjan-kalajaFLORJAN KALAJA*

Reforma në sistemin e drejtësisë ka mbetur në vend, e gatshme për t’u miratuar me t’u gjetur akordi i artë ndërmjet palëve politike. Gati janë projektamendamentet kushtetuese të prezantuara në disa versione ndërkombëtare dhe kombëtare. Gati janë edhe projektligjet organike kryesore të institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë.

Puna e lodhshme e projektimit, strukturimit, organizimit dhe hartimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore është përmbyllur. Ajo ka angazhuar shumë burime njerëzore të brendshme dhe të jashtme dhe pa dyshim që i gjithë ky angazhim i tyre meriton dafina.

Megjithatë, ajo është e destinuar të mbetet vetëm një projekt kushtetues dhe ligjor nëse nuk arrihet akordi i vështirë pozitë–opozitë, apo akordi prej dy të tretave të anëtarëve të Kuvendit, shumicë e cila mundet të ndryshojë Kushtetutën. Reforma në sistemin e drejtësisë është një ndër ekzigjencat kombëtare imediate dhe si e tillë është e mezipritshme nga të gjithë. Por akordi pozitë–opozitë mundet të mos arrihet për javë, muaj apo edhe vite.

Pyetje të shumta lindin: a duhet që të gjithë të presin “Godonë” ndërkaq? A do të thotë kjo që sistemi i drejtësisë legjitimohet në gjendjen sikurse është, i pareformuar nga organet politike më të larta vendimmarrëse të shtetit? A do të thotë kjo se reforma në sistemin e drejtësisë mundet të bëhet vetëm duke ndryshuar Kushtetutën dhe vetëm me akord 94 deputetësh?

Dhe në fund mundet të pyesim naivisht, a nuk mundet të reformohet sistemi i drejtësisë me Kushtetutën në fuqi, me akorde të mundshme në Kuvend dhe me institucionet dhe personat ofiqar në to që kanë javë, muaj dhe vite që paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptare?

Në të vërtetë, duke e prezantuar reformimin e sistemit të drejtësisë si produkt të arritshëm vetëm në një mënyrë, konkretisht ndryshimin e Kushtetutës, Republika e Shqipërisë neglizhon çdo mënyrë tjetër e cila mundet të arrijë alternativisht reformimin e sistemit.

Duke e prezantuar reformimin e sistemit të drejtësisë vetëm si produkt i akordit të vështirë prej 94 deputetësh, rrezikohet të mosreformohet sistemi, sistemi të degradojë më tej, padrejtësia të legjitimohet dhe të harrohet të qeveriset, duke u angazhuar vetëm në gjetjen e mënyrave se si të arrihet një akord ndoshta i pamundur.

Sigurisht që kjo qasje vë në dyshim qëllimin real dhe përfundimtar të kujtdo reformuesi, qoftë të atyre që konceptojnë reformën dhe qoftë atyre që u kërkohet të bien dakord, aq sa me të drejtë sërish naivisht mundet të pyetet se a duan ato të bëhet reforma në sistemin e drejtësisë apo jo?

Mendoj se Republika e Shqipërisë është e vonuar në kohë dhe hapësirë për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe se kjo vonesë nuk lidhet detyrimisht me të vetmen zgjidhje në dukje iluzore të arritjes së akordit të vështirë. Në fakt, askush nuk duket të shqetësohet për të gjitha alternativat e tjera reformuese potenciale të sistemit të drejtësisë edhe në kushtet kur reforma e premtuar në këtë sistem mbetet e penguar.

Me keqardhje vërej se, që kur reforma në sistemin e drejtësisë u bë objektivi kryesor i kësaj legjislature, ligjet organike në fuqi të organeve kushtetuese janë ndryshuar aq herë sa mundet të numërohen me gishtat e një dore. Kushtetuta në fuqi, sikurse edhe ajo që do mbetet pas ndryshimeve kushtetuese, lejon Kuvendin të ndryshojë ligjet organike me një shumicë prej 84 deputetë, shumicë e cila nuk ka dështuar të gjendet asnjëherë përgjatë kësaj legjislature, kur për miratim kanë qenë çështje që kërkojnë këtë akord.

Nga prezantimi i projektligjeve organike që është bërë muajin e kaluar kam parë shumë ndryshime reformuese institucionale në sistemin e drejtësisë, disa prej tyre të mira, disa regresive dhe disa të tjera kopje të mbetura të ligjit të sotëm.

Megjithatë, çështje progresive që shënon kjo erë reforme në drejtësi janë disa, sikurse është përmirësimi i ndjeshëm i statusit financiar, profesional dhe disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve; përmirësimi i ndjeshëm i administrimit të gjykatave dhe prokurorive; ridimensionimi i përgjegjësive të organit qeverisës së gjyqtarëve (KLGJ); autonomia administrative dhe organizative e gjykatave; reformimi i ligjeve procedurale gjyqësore, reformimi i arsimimit juridik etj., etj.

Duhet thënë se këto çështje dhe të tjera simotra po të merrnin zgjidhje ligjore do të reformonin një pjesë të madhe të sistemit të drejtësisë. Njëlloj duhet të pranohet se miratimi i këtyre ligjeve të reja, tashmë gati si paketë dhe në pritje vetëm për t’u votuar në Kuvend, nuk kërkon ndryshime kushtetuese, ato janë edhe në bazë edhe në zbatim të Kushtetutës në fuqi.

Gjithashtu, miratimi i tyre nuk kërkon shumica të vështira si akordi pozitë–opozitë apo prej 94 deputetësh, por do të mjaftonte një shumicë lehtësisht e arritshme prej 84 deputetë që kjo pjesë e reformës të ndodhte që javën tjetër, duke mos quajtur çështje këtu procedurat parlamentare të planifikimit në kalendarin e punimeve.

Nga kjo analizë konkludohet se në të vërtetë asgjë e pamundur nuk ndalon askënd sot për të reformuar sistemin e drejtësisë pa u miratuar reforma në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, duke u kushtëzuar reforma në sistemin e drejtësisë vetëm te ndryshimet e pamundura kushtetuese, kushdo që punon me këtë filozofi harron me apo pa dashje të qeverisë dhe neglizhon me apo pa dashje të zbatojë Kushtetutën dhe ligjin në përditshmëri, që nga çështjet e vogla dhe individuale e deri tek ato që janë të Republikës.

Për të arritur këtë reformë pa reformën në sistemin e drejtësisë mjafton që Kushtetutën dhe ligjin, edhe pse të pandryshuar, ta zbatosh me frymën dhe ndershmërinë e asaj që premtohet të arrihet me ndryshimet kushtetuese.

Kjo do të thotë se për të reformuar sistemin e drejtësisë pa reformën e penguar, mjafton që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen me parimet dhe frymëzimin e asaj reforme që nuk po miratohet dot në letër; mjafton që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjidhen sipas parimeve që reforma në letër parashikon; mjafton që gjyqtarët dhe prokurorët abuzues të përjashtohen nga sistemi me anën e procedurave dhe aftësisë për të zbatuar ligjin sikurse reforma në letër premton; mjafton që të përmirësohet statusi financiar, profesional dhe disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve; dhe mjafton që të gjithë të bëjnë detyrën me ndershmëri për të cilën qytetarët shqiptarë paguajnë, për të treguar edhe respekt në pasurinë e ligjshme të shumtë apo të pakët të çdokujt që kontribuon në buxhetin e shtetit.

Duke arsyetuar si më lart, dyshoj për shumëçka: dyshoj se reforma e konceptuar ekskluzivisht si produkt i një akordi të pamundur nuk do të bëhet sepse sipas kësaj mënyre tregojmë që nuk e duam; dyshoj se konceptimi i reformës në sistemin e drejtësisë sikur një “Godo” e shekullit XXI do të natyralizojë dhe legjitimojë si prej kohësh këtë sistem drejtësie që kemi, të kapshëm, të dobët, të përdorshëm dhe të pazotë; dyshoj se reforma në sistemin e drejtësisë po shitet te destinatorët qytetarë vetëm si një produkt vetëm me etiketë dhe pa e ditur askush se çfarë është, a thua se është vetëm emër pa përmbajtje; dhe dyshoj se reforma në sistemin e drejtësisë është oazi më i volitshëm i konsumit politik të përditshëm për të realizuar lojën e kalimit të përgjegjësisë te kundërshtari.

Megjithatë, uroj që mos të jetë kështu dhe që këto dyshime të jenë veçse hijet e një procesi të gjatë e të lodhshëm të përgatitjes së paketës kushtetuese dhe ligjore dhe përpjekjeve për të arritur akordin e vështirë.

E për të besuar këtë, na duhet të shohim të bëhet më e mira e mundshme nga organet vendimmarrëse përgjegjëse, për të reformuar sakaq shtetin dhe dhënien e drejtësisë edhe pa reformën në sistemin e drejtësisë. Kjo është plotësisht e mundshme, pse jo brenda këtij sesioni parlamentar.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura