Reformat, Berisha falënderon bashkëshortet e ministrave

Dec 30, 2011 | 11:49
SHPËRNDAJE
Berisha gjatë pritjes me ministrat

Kryeministri Sali Berisha ka organizuar dje një pritje me anëtarët e qeverisë me rastin e festave të fundvitit. Në ceremoninë e zhvilluar në vilën qeveritare në zonën e ish-Bllokut, kreu i qeverisë falënderoi fillimisht bashkëshortet e ministrave. “Unë dua të falënderoj bashkëshortet tuaja, me bindjen më të thellë se pa mbështetjen tuaj nuk do të mund të ishin realizuar këto objektiva që janë realizuar gjatë këtij viti”, u shpreh Kryeministri në fjalën e tij. sipas tij, ky ka qenë një vit i rëndësishëm edhe për faktin se dy vendet fqinje, Italia dhe Greqia, u përfshinë në krizën ekonomike. Duke u ndalur në ngjarjet e vitit që po lëmë pas, kreu i Ekzekutivit u ndal te zgjedhjet lokale të 8 majit dhe regjistrim i popullsisë. “Edhe këtë vit, sërish, ambiciet e projektet tona ishin shumë të mëdha, por mendoj se dy procese të mëdha e të rëndësishme patën vend këtë vit: zgjedhjet lokale jashtëzakonisht të rëndësishme, në të cilat mbizotëroi Kushtetuta, kushtetutshmëria dhe u numërua çdo votë e qytetarëve shqiptarë para kamerave dhe dritës së diellit dhe një proces tjetër, edhe ky jashtëzakonisht i rëndësishëm, ishte censusi, që përbën fotografinë e vërtetë të realitetit shqiptar dhe tregues i tij më kryesor për vitin 2011”, tha Berisha. Ai vlerësoi faktin se edhe gjatë këtij viti u realizua premtimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Sipas Kryeministrit, në 2011-n nisi puna edhe për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura