Reforma, Shehi: Po ‘vendeve të rezervuara’, por të mos jenë fis i kryetarit të partisë

Jun 29, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i LZHK-së dhe deputeti i Kuvendit, Dashamir Shehi, kërkon që nismës së propozuar nga deputetët Blushi e Hafizi për zgjedhjen e presidentit nga populli t’i bashkohen edhe deputetë të tjerë. Firmën e tij në këtë propozim Shehi e shikon si diçka normale, në një kohë që prej më shumë se 10 vitesh formulën e zgjedhjes së presidentit nga populli e ka pasur në programin e forcës së tij politike.

dashamir-shehi-655x356

Duke premtuar besnikëri ndaj PD-së për votën që do të japë për Reformën në Drejtësi, Shehi thekson se mbështet formulën e vendeve të rezervuara, por vetëm nëse ato do t’i përkasin realisht opozitës dhe jo rrethit të ngushtë të kreut të opozitës.

Propozimet e eksponentëve të maxhorancës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme apo në referendum në rast të dështimit të reformës, për deputetin e Kuvendit janë presione që i bëhen politikës së arsyeshme që po ndjek opozita.

Si lindi bashkëpunimi për nismën e deputetëve Blushi e Hafizi për zgjedhjen e presidentit nga populli?

Kjo është një ide që unë e kam shkruar dhe e kam pasur në programin politik të partisë sime prej më shumë se 10 vitesh. Kështu që më vjen mirë që u bënë edhe disa të tjerë, të cilët mendojnë si unë.

E quaj krejtësisht normale nismën. Kështu si është bërë shteti këtu, nuk ka asnjë institucion të qëndrueshëm. Kush do t’i balancojë institucionet këtu? Për çdo gjë janë duke vendosur partitë, atëherë t’i kthejmë një pjesë sovraniteti popullit. Të votojnë për njeriun që duan, që ky njeri t’u dalë për zot.

Propozimi ka ardhur nga zoti Blushi, apo ka qenë iniciativë e përbashkët?

Jo, në fakt, propozimi ka qenë i zonjës Hafizi. Ata mund të jenë bashkë, ndoshta mund të kenë edhe një lëvizje, por propozimi ndaj meje ka ardhur nga zonja Hafizi. Unë personalisht po rri me shpresë se do të bëhen edhe disa deputetë të tjerë pjesë e kësaj nisme, sepse 10 deputetë janë shumë pak për të konkretizuar atë që dëshirojmë.

Unë jam me shpresë që do të bëhet, pasi kjo është një iniciativë që u shkon për shtat të gjithë palëve. Dua të rinovojmë një status republikan të këtij shteti. Atëherë duhen disa personazhe që të balancojnë politikën.

Në senat nuk kemi. Presidentit e bën me 51 vota. Unë gjykoj se ka ardhur dita për rithemelim të republikës, duke nisur nga një kushtetutë e re. Ndërkohë që nismën për zgjedhjen e presidentit nga populli e theksova se e kam pasur në programin e LZHK-së.

Pra, ky angazhim i juaji dhe i një grupi deputetësh nga disa forca politike në Kuvend, për ju i ka bashkuar vetëm kjo iniciativë dhe asgjë më shumë?

Jo, jo, absolutisht! Ne kemi mbështetur një propozim, një ide, të cilën e thashë e kemi pasur shumë më herët. Të njëjtin qëndrim të përbashkët kemi edhe për reformën zgjedhore. A do të bëjmë zgjedhje dhe të ndryshojmë ligjin? Patjetër që po! Ndaj, edhe jemi bërë bashkë të majtë e të djathtë për ta realizuar këtë reformë.

Ndërkohë, sa i takon Reformës në Drejtësi, se për të janë bërë shumë aludime, unë e kam deklaruar votën time. Ne do të votojmë siç voton opozita, për solidaritet politik. Do të votojmë të gjithë bashkë dhe shpresoj që do të gjejmë një zgjidhje deri ditën e votimit. Ndërkohë, kjo iniciativë për zgjedhjen e presidentit nga populli është e veçuar. Madje, prandaj edhe e kemi mbështetur këtë iniciativë për të dalë nga guaska e partive.

Po deklaratën e ambasadorit Lu dhe qëndrimet e tij ndaj kreut të opozitës, si i keni lexuar?

Në fakt, unë personalisht nuk kam qenë në brendësi të negociatave që kreu i opozitës ka zhvilluar me ambasadorin Lu, ndaj edhe nuk di qëndrimet e ndërsjella që ata kanë shkëmbyer në takimet mes tyre. Ne jemi spektatorë nga jashtë dhe interpretojmë sipas asaj që ka ndodhur.

Unë gjykoj që z.Basha ka mundësinë dhe të drejtën që të mbështesë interesat opozitare, kjo është detyra e zotit Basha. Gjithashtu, ai duhet të gjejë një formulë, e cila do ta mundësonte aprovimin e reformës.

I cilësoni të suksesshme negociatat që z.Basha ka zhvilluar me partnerët ndërkombëtarë dhe me përfaqësuesit e maxhorancës për avancimin dhe përfundimin e reformës?

Siç e thashë, brenda negociatave nuk kam qenë. Por ndonjë sukses të madh brenda këtyre negociatave nuk ka, sepse të suksesshme do të quheshin nëse do të mbyllej reforma.

Megjithatë, unë nuk e konsideroj proces të mbyllur, nuk e quaj të paragjykuar dhe mendoj se deri në datën 21 korrik si z.Basha, ashtu edhe z.Rama, edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, do të gjejnë një formulë kompromisi, e cila do ta bëjë vendin me reformë, por do të mbrojë gjithashtu edhe interesat e atyre që janë pakica.

Por ndërkombëtarët insistojnë se nëse nuk ka konsensus deri më 21 korrik, atëherë çdo deputet do të votojë jashtë vendimeve politike dhe në mënyrë individuale reformën?

Kjo më duket e zorshme. Nuk më duket formula e duhur për një reformë, që është shtyrë prej vitesh për t’u bërë në mënyrë konsensuale. Sepse kjo reformë, nëse do të bëhej përmes një vendimi politik, mund të ishte marrë shumë më parë. Në emër të konsensusit është zvarritur deri më sot dhe pikërisht tani na kërkohet të votojmë në mënyrë individuale.

Njerëzit kanë bindje politike, kanë aspirate politike, bëjnë pjesë në grupe politike, kështu që për një formulë, shpeshherë dhe e ngatërruar siç është drejtësia, nuk gjykoj që deputetët mund të gjykojnë qartësisht në mënyrë individuale. Megjithatë, jemi në Shqipëri dhe këtu mund të ndodhë çdo gjë…

Ju vetë do të gjykoni personalisht për votën që do të jepni për reformën, apo do t’i qëndroni vendimit opozitar?

Vota ime është e deklaruar. Kam thënë publikisht se ne do t’i qëndrojmë solidarë vendimit opozitar. Edhe pse kemi shumë paqartësi për atë që po ndodh, sërish jam optimist si për shumë punë të tjera do t’i gjendet edhe kësaj një zgjidhje.

Mendoni se opozita duhet të kërkojë me ngulm “vendet e rezervuara”, apo edhe shumica prej 2/3-ash do të ishte një formulë, që do të përfshinte në procesin e përzgjedhjes edhe pakicën në Parlament?

Unë mendoj se formula e “vendeve të rezervuara” mund të jetë e vlefshme. Mund të jetë një formulë e vlefshme, nëse këto vende të rezervuara gjithsesi t’i nënshtrohen një votimi parlamentar. Pra, të mos jenë thjesht çuni i hallës së kryetarit të partisë sepse, nëse do të jetë kështu, do të ishte qesharake. I vetmi dyshim që kam unë për vendet e rezervuara është kjo që të mos i zgjedhin kryetarët e partive, ku të përfshijnë nipat, fëmijët, kunetërit, pasi do të ishte turp i madh për drejtësinë.

T’i nënshtrohen gjykimit parlamentar, t’i nënshtrohen gjykimit publik nëse i plotësojnë kushtet apo jo. Sepse, ato që do të jenë besnikë të një krahu politik, nuk është e thënë që duhet të jenë besnikë të një personi, pasi, fatkeqësisht, drejtësia jonë këtu është reduktuar. Kështu që kur thonë që këta janë njerëzit e së djathtës brenda sistemit të Drejtësisë, bëhet një gabim i madh.

Ata nuk janë njerëzit e së djathtës, ata që janë emëruar janë njerëzit e një personi të vetëm, të një grupi familjar, të një grupi ekonomik. Ndaj edhe unë do t’i mbroj këto vendet e rezervuara, kur realisht t’ia rezervojnë së djathtës. Nëse ua rezervojnë familjeve të kryetarëve, atëherë le ta hajë dreqi atë vend të rezervuar!

Po në lidhje me propozimin e maxhoranës se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nëse më 21 korrik nuk votohet reforma?

Kjo është një marrëzi mbi marrëzitë e kësaj periudhe. Kjo është marrëzia më e madhe, pasi është një vend, i cili fatmirësisht nuk ka asnjë problem as grevash, as demonstratash, as çështje civile të mëdha e as luftë civile që të shkojë vullnetarisht në zgjedhje të parakohshme. Këto deklarata më duken një presion që i bëhet politikës së arsyeshme nga paarsyeja.

Nuk mendoj se kanë për t’u bërë ndonjëherë zgjedhje të parakohshme në këtë vend, sepse edhe faktori ndërkombëtar nuk shkon drejt destabilizimit të vendit thjesht sepse kjo i pëlqen dikujt. Shqipëria, pavarësisht problemeve të shumta që ka, është një vend normal. Kush kërkon zgjedhje të parakohshme, nuk do stabilitetin e Shqipërisë.

Po formula e kalimit të reformës përmes referendumit, mund të jetë një zgjidhje për klasën politike?

Edhe këtë e konsideroj një marrëzi. E provuan anglezët që kanë 300 vjet demokraci se çfarë gabimi bëri që kaloi çështjen e fundit në referendum. Imagjinoni tani të pashkolluarit e Shqipërisë nëpër fshatrat e izoluar që do të votojnë për 100 nenet e Drejtësisë. Do të votojnë për çështje, të cilat nuk po i kuptojnë as profesorët e Juridikut. Ndaj, kjo më duket të tallesh me popullin shqiptar, nëse duan të tallen, le ta bëjnë. Ky popull ka duruar edhe më shumë se kaq.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura