Reforma e administratës publike, një reformim mendësie

Aug 20, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

KLODIANA BESHKU*

Lista përmbledhëse e em rave të përmendur nga qytetarët shqiptarë të zyrtarëve të thjeshtë apo mbajtësve të ofiqeve të larta shtetërore, e publikuar nga Kryeministri Rama disa javë më parë, shkaktoi jo pak reagime në rrjetet sociale.

Disa e krahasuan me fletërrufetë e diktaturës komuniste, disa u shqetësuan ekskluzivisht për “dëmin moral e profesional” që do t’u shkaktohej të përmendurve, disa të tjerë për mbikalim të kompetencave të Kryeministrit dhe ndërhyrje në punë që nuk i takojnë (a thua se ajo që ndodh në zyrat e shtetit nuk është puna e një Kryeministri), ndërsa disa prej atyre në listë, duke pandehur dënime e marrje masash (a thua se publikimi i një liste në një profil privat përbën vërtet ndonjë aktakuzë ligjore), nxituan të shfajësoheshin publikisht.

Askush nuk u mor me atë që qëndron në thelb të këtij publikimi: Përgjegjësia vetjake e të punësuarve në administratën publike. Ata që studiojnë sociologji e psikologji, e dinë fort mirë se publikimi i listave të tilla me emër e mbiemër, bën më tepër efekt te njerëzit sesa një dënim apo dëbim nga posti, i cili mund të mos bëhet publik.

Në vendet skandinave ka kohë që eksperimentohen nisma të tilla me qëllim që të rritet efikasiteti dhe performanca e të punësuarve në shtet apo pagesat e taksave nga qytetarët e tjerë. Është vënë re se, nëse publikohen në komunitet emrat e atyre që shkelin rregullat, kryejnë evazion fiskal apo me veprimin ose mosveprimin e tyre dëmtojnë interesat e komunitetit, gjasat që ata të ndërgjegjësohen janë shumë të mëdha.

Një eksperiment i kësaj natyre, i ambientuar në një kopsht fëmijësh, është shumë i njohur: Prindërit e këtij kopshti i sillnin gjithnjë fëmijët me vonesë dhe kjo pengonte ecurinë normale të kopshtit për fëmijët e tjerë, të cilët ishin në orar. U vendos që prindërit të gjobiteshin në rastet kur do të sillnin me vonesë fëmijët. Në vend që kjo masë të ulte numrin e fëmijëve që silleshin vonë në kopsht, ndodhi e kundërta. Numri i tyre u rrit si pasojë e justifikimit të prindërve me gjobën që u duhej të paguanin.

Pra, prindërit ndiheshin më të legjitimuar të sillnin fëmijët vonë në kopsht, përderisa në këtë rast paguanin një gjobë modeste, e cila ishte e përballueshme për ta në vlerë monetare. Situata u ndryshua vetëm kur emrat e prindërve që sillnin fëmijët përtej orarit filluan të publikoheshin në një tabelë në hyrje të kopshtit. Vetëm atëherë u arrit efekti fillestar i dëshiruar. Këto lloj eksperimentesh sociale synojnë atë që është më e vështirë që të ndodhë në një shoqëri: ndryshimin e mendësisë së saj. Administrata jonë ka nevojë rrënjësore në këtë drejtim. Punonjësit e administratës sonë publike ende ndihen sikur e kanë marrë me “tapi” postin.

Gjithkujt i ka ndodhur që të përballet në zyrat e shtetit me indiferencë, papërgjegjësi, e deri fyerje të personalitetit. Të punësuarit në administratën tonë publike, ende nuk i kanë të qarta disa prej parimeve kryesore të administrimit publik të studiuesit Marx Weber, parime të cilat qëndrojnë në themel të burokracisë europiane qysh në shekullin e 19-të. Të aplikuara në rastin shqiptar, disa prej tyre do të përktheheshin kështu: 1. Specializimi në detyrë.

Çdokush që punon në një zyrë të shtetit përfaqëson një hallkë në një zinxhir të gjatë pune. Nga ai/ ajo pritet të kryejë më përpikëri e dedikim atë pjesë të punës për të cilën është përgjegjës dhe për të cilën është punësuar në aksh pozicion. Pra, në realitetin shqiptar do të thotë që pikësëpari të pritet nga një zyrtar që të punojë e të mos e lërë pa bërë diçka me idenë se do e bëjë tjetri i hallkës pasardhëse, kolegu i zyrës tjetër apo i institucionit tjetër.

Pikë së dyti, pretendohet që ta bëjë mirë detyrën për të cilën paramendohet se është i aftë. Sa herë jemi përballur me paaftësi apo mosdëshirë në zyrat e administratës sonë publike e kemi përfunduar duke na dërguar si top pingpongu nëpër zyra, ku faji i hidhet gjithnjë tjetrit. E në fund, pas ecejakesh disaditore, kemi vënë re se halli ynë kish mbetur pa zgjidhje vetëm e vetëm se dikujt i ishte tekur të mos punonte atë ditë (ah sikur të ishte veç një ditë).

Mendësia e shoqërisë sonë “larg prej meje po të ndodhë ç’të dojë”, reflektohet më së miri në zyrat e shtetit tonë, ku gabimi është gjithmonë i dikujt tjetër, paçka se vetë punën mund ta kryejmë pa dëshirë, ose një ditë po a një ditë jo. 2. Impersonalizimi i postit. Në kohën kur dikush është pjesë e administratës shtetërore, ai përfaqëson institucionin apo zyrën, e jo veten e tij.

Njëherë në Ministrinë e Arsimit, përpara disa vitesh, teksa kërkoja të drejtën time për vonesën e gjatë në njëjësimin e doktoraturës, një punonjëse e këtij institucioni më thirri në zyrë, e teksa më kërkonte llogari se përse i kisha dërguar e-mail drejtoreshës së saj në lidhje me këtë problem, më shpjegonte se ajo me drejtoreshën ishin në konflikt e ajo vetë “as që donte t’ia dinte” për urdhrat e saj. Meqë nuk pranova të përfshihesha në këtë konflikt, dosja ime papritmas rezultoi e humbur. Nuk besoj se rasti im është i rrallë.

Sa herë jemi përfshirë në hallet vetjake të punonjësve civilë, në zgjidhjen/ moszgjidhjen e halleve tona sipas humorit të tyre, me mosrespektin e mosvlerësimin nga ana e tyre. Sa herë kemi hasur punonjës që paguhen me taksat tona, të cilët na kanë parë më përçmim nga koka te këmbët, duke ngrënë fara luledielli në zyrë, duke folur në celular biseda private, duke shfletuar revista e duke pirë kafe e si rrjedhojë, na kanë trajtuar sikur t’i kishim bezdisur në shtëpinë e tyre. Impersonalizmi i postit nuk arrihet në një ditë, por të paktën duhet vënë në dukje e kritikuar si fenomen. 3. Ruajtja e byro-së.

Me termin bureau, Weber-i nënkuptonte tërësinë e shkresave, dokumentacionit e arkivave të një zyre të administratës publike. Në zyrat tona, në momentin që lihet detyra, deri pak vite më parë, zyra lihej djerrë. Punonjësi merrte me vete gjithçka: praktikat e punës, dokumentacionin, madje edhe memorien e zyrës të ruajtur në kompjuter, a thua se paskësh pas punuar për veten e tij, në shtëpinë e tij, e jo në zyrat e shtetit shqiptar. Fenomeni ka qenë akoma më i dukshëm në periudhat kur ndërronin pushtetet apo kahet politike.

Atëherë, po të ishte e mundur, mund t’i vihej zyrës edhe kazma apo buldozeri. Të gjitha këto ishin kosto mbi qytetarin e thjeshtë, i cili nuk merrte shërbimin e duhur në kohën e duhur. Atij që vinte i duhej të bënte gjithçka nga e para, prandaj në zyrat e administratës sonë nuk dëgjohen shpesh termat praktikë, procedurë, legjislacion, rregulla të mëparshme etj., por fjalët: “kështu më kanë thënë”, “kështu e di unë”, apo më e njohura prej të gjithave në rastet kur një procedurë nuk kryhej sipas rregullave: “A do të mbarosh punë, apo si e ke hallin?” Në kushte të tilla, nuk ka rëndësi nëse e ka fajin individi apo sistemi, por mendë- sia e tipit: “Puna e shtetit si ujët e detit. Nuk mbaron kurrë” (meqenëse jemi edhe në kohë pushimesh). Kjo mendësi nuk ndryshohet vetëm me rritjen e rrogave në administratën publike, ashtu si shumëkush mendon në këtë vend, por edhe me rrënjosjen e përgjegjësisë vetjake tek ata që punojnë për qytetarët e që paguhen prej taksave e tyre, ndoshta edhe nëpërmjet publikimit të emrave të atyre që bëjnë shkelje.

Pra, në thelb, eksperimenti social i Kryeministrit i publikimit të përmbledhjes së emrave të të aluduarve për shkelje të detyrës nga vetë qytetarët, nuk ka të bëjë as me diktaturën komuniste e as me të shkuarën e popullit tonë. Këto nisma janë karakteristikë e vetë vendeve demokratiko-liberale prej disa dekadash, aty ku qytetarët nuk hezitojnë të kërkojnë të drejtat e tyre. Emisionet investigative, si “Fiks Fare” apo “Stop”, të themeluar në këto vende, kanë të njëjtën logjikë në thelbin e tyre: bërjen publike me zë e figurë të atyre që shkelin ligjin apo cenojnë të tjerët.

Mund të kihet rezerva për faktin nëse i takon Kryeministrit të merret me këtë gjë apo jo, por në një shoqëri ku studiuesit janë të strukur në zonat e tyre të rehatisë, ku shoqëria civile mjaftohet me vënien në jetë të projekteve e raportimin e tyre e jo me impaktin e njëmendtë të tyre në shoqëri, ku çdo nismë qytetare interpretohet sipas orekseve e kaheve politike, nuk duhet të jetë habi e madhe përfshirja e kreut të qeverisë edhe në këtë drejtim. Në fund të fundit, efektet në shërbimin e administratës publike ndaj qytetarëve kanë filluar të ndihen. *Pedagoge në Universitetin e Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura