Reciton në Kuvend “Teatrin absurd”/ Fjalimi ndryshe i deputetes Flutura Açka: 25 gabime në 10 rreshta të programit, si “menu qoftehanesh”

Sep 17, 2021 | 15:25
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, gjatë fjalës së mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm në seancën plenare, e atakoi programin qeverisës në një aspekt ndryshe.

Açka teksa mbante në dorë programin u shpreh se pjesa e kulturës kishte 25 gabime gjuhësore për 10 rreshta të shkruar, çka demostron sipas saj gjendjen ku është katandisur kultura shqiptare sot.

Teksa i përshëndeti me epitetin “faqezinj” dhe “faqezeza” deputetët e ardhur në parlament sipas saj me blerje votash dhe banda, Açka propozoi ngritjen e një policie që kontrollon gjuhën shqipe, pasi sipas saj pas 100 vitesh nëse vijojmë me këto ritme rrezikojmë që gjuha shqipe të mos ekzistojë më.

“Ju i thoni parlament por mua më duket horror.  A është çështje rregulloresh a nuk e di si është çështja, por unë nuk nuk di ndonjë vend europian të ketë parlament në dy të natës.

Quhet si protokollare, po kujt i flasim? I flasim shqiptarëve që janë të përgjumur apo i flasim vetes tonë që as zërin tonë nuk arrijmë të dëgjojmë?

Për respekt të qytetarëve elbasanas që kanë qenë në këtë betejë të vështirë me mua, do t’i lexoj këto pesë rreshta që kisha menduar t’i depozitoja.

Ka në këtë sallë shumë njerëz të nderuar të cilët do të mbeten  të tillë deri në momentin që mos të shihemi më në këtë sallë. Ka një pjesë tjetër të cilët nuk duhet të ishin në këtë sallë, por do duhej të ishin diku tjetër.

Për atë që kanë kapërcyer këtë prag me sponsorizimin e bandave, apo që kanë vjedh dhe kanë blerë si “ÇiçikovI” shpirtrat e shqiptarëve të varfër, për atë që kanë firmosur shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për ata që vijojnë me teatrin absurd edhe sonte këtu unë kam një tjetër përshëndetje.

Unë do t’i referohem një ish-drejtori të një shkolle riedukimi në shkollën e komunizmit, i cili pasi ishte bërë def nga çunat dhe gocat problematikë, kur i nxirtte para shkollës në mëngjes u thoshte me një epitet epik: Faqezinjë dhe faqezeza.

Kjo është përshëndetja ime për ju këtu sot, jo për të gjithë kuptohet.

Përpara se të vazhdojë për çështjen që jemi mbledhur, këtë “menunë e qoftehanës”, që siç e shihni, pjesa e kulturës ka 25 gabime për 10 rreshta. Nuk e di unë për çfarë kulture flasim ne, nuk e kam me ju zonja minister e kam në përgjithësi me programin. Unë lexova këtë 10 rreshta dhe gjeta 25 gabime.

U fol për policinë këtu, mirë është të bëjmë dhe një “Polici Gjuhësore”, se mbas 100 vjetësh po vazhduam kështu s’do të kemi më gjuhë shqipe. Ja shikoni çfarë shkatërrimi i kemi bërë fjalës që në program, leri më të tjerat” tha Açka.

Ajo e ka mbyllur fjalen e saj duke recituar ne Parlament vargje të “Teatrit absurd”.

FJALIMI I PLOTE I FLUTURA AÇKES

Një përshëndetje të ngrohtë kam për ata kolegë që kanë hyrë si njerëz të nderuar në këte sallë dhe do të jenë përherë të respektuar në sytë e mi.

​Për pjesën tjetër, për ata që nuk e kanë vendin në këtë sallë, por duhej të ishin diku tjetër; për ata që e kanë kapërcyer këtë prag me sponsorizimin e bandave dhe të krimit apo duke vjedhur e blerë si Çiçikovë shpirtëra të varfër shqiptarësh; për ata që kapardisen ekraneve nga mosndëshkimi dhe imuniteti; për ata që firmosën, bashkë me ata që e shembën, Teatrin Kombëtar dhe shumë nga trashëgimia jonë kulturore; për ata që vazhdojnë të bëjnë teatër me qytetarin e thjeshtë e të pambrojtur, kam një tjetër lloj përshëndetjeje.

​Më vijnë në mend fjalët e ish-drejtorit të një shkolle riedukimi të kohës së diktaturës, i cili, i bërë def nga prapësitë e gocave dhe çunave të tij problematikë, kur i rreshtonte çdo mëngjes para shkollës, e niste fjalën e tij me përshëndetjen epike: faqezinj e faqezeza! ​Para se të vazhdoj me çështjen për të cilën jemi mbledhur, dua të bëj një sqarim publik për grisjen e votës sime gjatë votimit të Kryetares së Parlamentit. E bëj këtë për ata qindra njerëz të njohur e të panjohur e lexuesit e mi, një pjesë edhe të ngarkuar me shqetësim të drejtë për sjelljen time politike të sotme dhe të nesërme. Në respekt të atyre që më votuan, mes tyre edhe shumë te majtë dhe pa simpatira politike, e bëj këtë sqarim.
​Si grua, edhe pse jam kundër çdo diskriminimi, qoftë ky edhe pozitiv, nuk do ta kisha bërë kurrë; si shkrimtare as do të më kishte shkruar në mendje ta bëja, sepse duke jetuar me fiksionin dhe vetminë që të shkakton ai, më të shumtën e kohës jam në një botë iluministe; si politikane, do ta kisha përsëritur aktin me po të njëjtën bindje.

​Sepse, vota ime nuk është kundër saj personalisht, por kundër mjedisit që e zgjodhi, sektit që e rriti, mazhorancës ilegjitime nga vjen ajo. Kjo më vjen ngaqë jam dëshmimtare e një fushate të padrejtë, të pandershme, e cila e deformoi vullnetin e shqiptarëve.

​Këtu, në këtë sallë dhe për këtë detyrë, nuk jam për të demonstruar idealizmin tim, por të bëj atë që ndiej se është më e mira, më e arsyeshmja, më drejta dhe më e dobishmja për ata që besojnë ende te politika në këtë vend. Ndokush prej faqezinjve mbase po shpotit me mendjen e tij të cekët, se edhe unë do të mësohem me rutinën e privilegjeve, me ethen e sharjeve, a të tjera sjellje që janë familjare te ky parlament, i cili në sytë e mi nga atje jashtë, është perceptuar përherë si vend mëkati. Në atë zone mëkati unë nuk do të bëj pjesë kurrë.

Do të jem jashtë gjithçkaje që nuk më ngjan e që urrej t’i ngjaj.
​Kjo është gjëja më serioze që po them, gjëja më serioze që po bëj, gjëja më serioze që po më ndodh. Sepse, pas kësaj, nuk kam asgjë për të humbur dhe asgjë për të fituar, poseduar apo përjetësuar. Unë thuajse jam diku tjetër dhe i shoh gjërat e kësaj bote nga një tjetër thjerëz dhe uroj që atje kurrë të mos ketë fatin të hyjë njeri.

​Këtë largësi, do ta përdor si këmishe force për të mos bërë asnjë kompromis me këdo, me çfarëdo që do të kërkojë prej meje të tradhëtoj përbetimin tim publik: të bëjmë një politikë më të mire se e derisotmja për shqiptarët! Sepse nuk jam këtu për asnjë lloj tanxhente financiare, politike,  monetare, protokollare, ligjore… edhe seksuale po të doni, e nënvizoj këtë për shkak se politika shpesh është një panair i madh instinkti. Shembujt i keni me shumicë, ju duhet vetëm të vini emrat e gurëve në skakierë.

​Nuk do të flas këtu as për kabarenë e dekretimit të qeverisë suaj, sepse e di tashmë se Politika dhe Etika jetojnë në botëra të ndryshme, dhe sot për të përmbushur kushtin e parë të demokracisë, Etikën, duhet të ishin dekretuar vetëm 5 ministra, vetëm ato vajza të reja që nuk kanë lidhje me votën tuaj kundër presidentit, të cilit, me paturpësinë më të madhe të mundshme, i kërkuat t’ju dekretonte. Vetëm ato vajza, për të cilat pata keqardhje që u diskriminuan nëpër rrjete sociale e nëpër studio televizive për gjininë dhe moshën, kanë sot moral të quhen ministre, sa kohë do të provojnë se nuk janë kukulla të dizenjuara prej jush.

Kam durimin t’i pres të provohen, edhe pse kam shembujt se nuk kam pse t’i pres të provohen. Të 12 tjerët, bashkë me kryeministrin, nuk kanë as moral e as etikë ta quajnë veten të dekretuar prej presidentit, sepse ai, presidenti pra, për ta nuk ekziston moralisht. Ndaj refuzoj publikisht ta votoj këtë qeveri.
​Do t’u flas sot këtu shqiptarëve në një formë tjetër, hiç fare parlamentare, që nuk është në praktikën e kësaj salle. Ashtu siç di unë.
Kështu, me mënyrën me prozaike të mundshme të poezisë sime dhe për herë të parë pa u kujdesur fare për rima e ritëm po e mbyll kështu, duke ju sjellë në kujtesë një kryevepër të teatrit absurd, ku për herë të parë nuk jam më spektatore:

Ishin ata të dy, Mercier dhe Kamier,
E udhë të gjatë për Europë a Skëterrë,
Kur shiu i lagte e vetja iu dukej herë qen e herë minj
Ndalnin nën një strehë, e veten pyesnin: ku shkon, o njeri?
Ecim, i thosh tjetri, mbërrijmë një ditë atje për ku ende s’jemi nisur!
Çadra Mercierit i përgjigjet majtas,
Era Kamierit ia kthen djathtas,
Mbi ta e lodhur vështron nata,
Krijesat pa kokë
Pa vertebra
Pa shputa
Pa hije
Rrënuar nga bryma e përjetshme e hutimit,
Që nga qielli u bie.
Kujdes,
Asaj mase pa masë i thonë popull,
Dhe jashtë kësaj salle asnjëri prej tyre,
Nuk po kërkon të blejë zemërgjerësinë tuaj,
Shihni si zjen,
A e ndjeni vrajën që i keni shkaktuar,
Apo s’jua ndien?
Ç’bëni këtu?
Duke kërcitur gishtërinjtë e kuruar,
Papagallë që rënkoni nga vetkënaqja!
Është koha ta ndërroni kostumin shik,
Është dita ta kurdisni zemrekun dhimbjes,
Është ora ta vrisni akrepin e ngimjes.
Ndaj shpejt,
Ndërrojeni garderobën e gjakut
Para se gjaku i fundit shqiptar ta braktisë Shqipërinë!
Demokracia nuk është mbretëri
Që kur të ikni ju të fiket në zi!
Ju s’jeni Shqipëria,
Ju jeni një hiçgjë, që do t’ju fshijë historia,
Edhe mua bashkë me ju, po të sillem si ju!
A ju pëlqen kah jugu? Po ju beszdis kur fryn veriut thëllimi,
Po pse pra, po ecni drejt Lindjes,
Që t’i bini më gjatë për kah Perëndimi?
Ja kështu bujare gjindja me Mercierë e Kamierë,
me Europë e Skëterrë,
me ata që kujtojnë se janë zotër të gjithçkasë,
Por s’janë veçse hamej të mjerë të asgjasë.
Deri kur ta kuptojnë këtë,
Do të vazhdojnë të tyren mjeshtëri,
Dhe qentë e lagur nga shiu i paprerë
Dhe mijtë e tkurrur nga acari
Do t’u përmjerin
një ditë te varri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura