Rebelohet i forti i Vlorës, fyen gjyqtarë e prokurorë në sallën e gjyqit. Ndërhyn policia

Oct 1, 2022 | 13:41
SHPËRNDAJE

Ai është një ndër emrat më të përfolur të botës së krimit në vend, prej më shumë se dy dekadash.

viktor ymeri ne gjykaten e vlores

I lidhur me bandat e Vlorës, sipas prokurorive, i akuzuar për vrasje të dyfishtë në Durrës, i akuzuar po për vrasje në Itali, ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, më pas me 25 vjet burg, për krimet në vendin tonë.

Por e njëjta masë dënimi erdhi edhe nga Italia për vlonjatin e shumakuzuar dhe të përfolur si një nga eksponentët më të rëndësishëm në Vlorë dhe më tej.

Por ai kërkoi që dy dënimet të bashkohen në një e për pasojë u dënua përfundimisht me 25 vjet, masë që ai thuajse ishte në përfundim, kur u lirua për shkak të punës që kishte bërë në Burgun e Peqinit, vend në të cilin vuante dënimin.

Lirimi i Viktor Ymerit, emrit proverbial të krimit, bëri bujë, ndërkohë që vendimi u mor në fundin e vitit 2019 nga Gjykata e Elbasanit, për shkak juridiksioni të vendvuajtjes së dënimit të tij.

Por, Ymeri u vu prapë në pranga, vetëm pak kohë më vonë, pasi SPAK arriti të merrte dëshminë e një të dënuari tjetër për krime të rënda, i cili e lidhte emrin e Ymerit me dy prej ngjarjeve më të rënda të vitit 2005, ku brenda 26 orëve u ekzekutuan në mënyrë barbare Vajdin Lame me mikun e tij, dhe Klodian Saliu, rivali i Lulzim Berishës në Durrës.

Mirëpo, duke qenë në qeli, Viktor Ymeri u dyshua nga ana e hetimit se ai komunikonte me bashkëpunëtorë të tij jashtë e për pasojë u kërkua izolimi i tij në “41 biss”.

Duke qenë se ka kaluar kohë e gjatë në atë regjim, Ymeri i kërkoi GJKKO-së të shqyrtonte daljen e tij, e për pasojë seanca u zhvillua ditën e djeshme me dyer të mbyllura.

Por Ymeri ka shpërthyer keq ndaj Gjykatës dhe SPAK duke hedhur akuza të forta dhe madje, sipas burimeve, duke përdorur edhe fjalor jo të përshtatshëm kundër përfaqësuesit të akuzës dhe gjyqtarit të çështjes! Sipas burimeve të gjykatës aq i ashpër ka qenë i izoluari në ‘41 biss’, sa është kërkuar ndërhyrja e Policisë së Burgjeve për ta larguar nga salla.

VIKTOR YMERI NË GJKKO

Kërkesa e Viktor Ymerit, i akuzuar për vrasje, për të dalë nga ‘41 biss’, u shqyrtua ditën e djeshme në Gjykatën e Posaçme.

“Nuk e kuptoj arsyen përse SPAK më ka futur në ‘41 biss’ dhe përse trajtohem ndryshe nga të tjerët”, është shprehur Ymeri. Gjatë seancës me dyer të mbyllura, ai është shprehur se “kam tërë jetën burgjeve dhe më duket sikur nuk kam qenë ndonjëherë i lirë. Ato pak muaj që më nxorën jashtë burgut, më bënë shumë keq se m’u vërsul i gjithë shteti mbi shpinë derisa më gjetën një pretekst për të më futur prapë në burg. Më mirë të mos kisha dalë fare se nëse nuk do kisha dalë nuk do isha në këtë proces”. Gjatë këtyre akuzave dhe pasi nuk mundën ta qetësojnë, Gjykata ka urdhëruar Policinë ta largojnë të akuzuarin nga salla.

Në maj të këtij viti, ministri i Drejtësisë njoftoi se pranoi kërkesën e SPAK për të mbyllur në regjimin e ashpër ‘41 biss’ tre të burgosur që dyshohej se vazhdonin të mbanin kontakte me anëtarë të grupit jashtë qelive, mes tyre Ymerin. Vlonjati Viktor Ymeri, nën akuzë për vrasje dhe dy vëllezërve elbasanllinj, Eldi e Klement Çala, nën akuzë për grabitje me dhunë, ua ndërprenë komunikimi me të burgosurit e tjerë.

Viktor Ymeri, i njohur ndryshe dhe si “i forti i Vlorës”, bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Pasi vuajti dënimin, Ymeri u lirua nga burgu në vitin 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të vitit 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005-n, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

Ymeri është konsideruar si i përfshirë në këto dy vrasje, për shkak se SPAK pretendoi se ka mundur të sigurojë dëshminë e një të dënuari tjetër për krime të rënda.

© Panorama.al

Te lidhura