Akuzat e Blushit, Rama: S’komentoj komentatorët, opozita fjalën ka, unë punën

Apr 28, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

UPDATE/Kryeministri Rama nuk iu përgjigj akuzave të deputetit socialist Ben Blushi në lidhje me qeverisjen.

Edi Rama në intervistë për “Shqip”

I ftuar në emisionin “Shqip” në “Top Channel” me gazetaren Rudina Xhunga, Rama tha se nuk komentoj komentatorët, por gjatë bisedës ai solli fakte dhe shifra që u jepnin përgjigje akuzave të deputetit të tij për punësimin, eksodin, burgosjen e qytetarëve që nuk paguajnë energjinë, konsumin etj.

Zoti Rama, një anëtar i rëndësishëm i partisë tuaj si Ben Blushi nuk ia ka haberin e shtetndërtimit nëse flet për mungesë të rezultateve në qeverisjen tuaj, varfëri dhe rënie ekonomike?

Unë sot kam marrë, para se të vija këtu, një dokument të prodhuar nga një trupë tërësisht e pavarur prej qeverisë. Një trupë që i ka shkaktuar dhimbje koke në mënyrë të vazhdueshme qeverisë në Shqipëri dhe në të kaluarën, një trupë që në mënyrë të vazhdueshme edhe në raport me ne ka qenë shumë këmbëngulëse dhe shumë kërkuese, që është Dhoma Amerikane e Tregtisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë publikon çdo vit një indeks të situatës ekonomike. Unë, – meqë për lajmet e këqija kemi shumë njerëz që i japin, meqë për shifrat e shtrembëruara apo tërësisht të pavërteta kemi shumë njerëz që na i thonë, – po u referohem shumë pak rezultateve të indeksit të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Nëse shikojmë te klima e përgjithshme e biznesit, do të shikojmë se klima e përgjithshme e biznesit, e cila në vitin 2013 vlerësohet me 33.4 pikë, në vitin 2014 me 39 pikë dhe për vitin 2015 vlerësohet si pritshmëri me 45 pikë. Pra, kemi një klimë biznesi që shkon në drejtimin e duhur. Nëse u referohemi reformave ekonomike dhe politikave të qeverisë, përsëri nga një trupë e pavarur nga qeveria, kemi 38 pikë në vitin 2013, 41.8 pikë në vitin 2014, me një pritshmëri 49.03 pikë për vitin 2015.

Blushit të mos i përgjigjet Dhoma Amerikane e Tregtisë sot, unë do të doja një përgjigje nga ju.

Unë nuk komentoj komentatorët. Unë jam këtu për të folur mbi shifra, mbi fakte, mbi prova nga burime të ndryshme, të cilat janë nga burime të ndryshme. Këtu bëhet fjalë për një dhomë tregtie, që organizon një indeks shumë serioz dhe profesional dhe që na ka dhënë disa shifra për performamcën e ekonomisë, po Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe është lajmi i ditës së sotme; 30.2 pikë në 2013, 40.1 në vitin 2014, me pritshmëri 49. 27 pikë në 2015. Pra, kemi 19 pikë rritje në vlerësimin e performancës së ekonomisë dhe kjo vjen nga sipërmarrja. Nga sipërmarrje reale, nga ata që krijojnë vende pune, nga ata që prodhojnë, nga ata që tregtojnë, nga ata që paguajnë taksa. Nuk vjen nga sehiri i atyre që në mënyrë të vazhdueshme fabrikojnë një realitet tërësisht vicioz për arsyet e tyre, e kam fjalën këtu për opozitën. Çfarë thotë Dhoma Amerikane e Tregtisë, që ndërton një indeks bazuar mbi gjithë prurjet e informacionit nga biznesi? Thotë që për mallra dhe shërbime vlerësohet në vitin 2013 me 45.5 pikë, për 2014 me 51.6 pikë dhe me pritshmëri 56.8 pikë për vitin 2015. Këtu jemi përsëri në një rritje, që do të thotë kërkesa për mallra dhe shërbime, d.m.th kërkesa për konsum. Kjo domethënë rritje e fuqisë blerëse. Në përfundim, te punësimi. Bëhet spekulim skandaloz me punësimin. Që në Shqipëri ka pasur 1 mln të papunë kur ne thoshim se janë 1 milion të papunë, kjo është më se e vërtetë. Boll t’i referohemi censusit të 2011- s, që na e dha papunësinë me rreth 30%, pavarësisht shifrave të INSTAT-it të Saliut, që i shkruante shifrat e punësimit në zyrë.

Sa janë punësuar sipas INSTAT-it tuaj?

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, ndryshimet në punësim nga 2013 në 2014, nëse vlerësohej me 51.5 pikë, tani vlerësohen me 53.8 pikë. Ndërkohë nuk kemi nevojë për shumë spekulime. Na mjafton vetëm numri i njerëzve që janë sot në punë. Në vitin 2013 numri i të punësuarve ishte 956 707, në 2014 numri i të punësuarve shqiptarë, me emër, me mbiemër, me gjini nga mosha mbi 15 vjeç është 1 milion e 039 336. Pra, janë 92.629 shqiptarë më shumë të punësuar në një vit.

Kryeministri Edi Rama dhe gazetarja Rudina Xhunga

Pas dy vjetësh, çfarë do mbetet frika e burgut për të varfrit?

Ky është një spekulim. Sot ne kemi arritur të ndalim hemorragjinë, sepse ishin afër një falimenti dhe kolapsi. Kemi hyrë në rrugën e duhur, sot kemi rreth 350 mijë familje apo biznese që kanë hyrë në marrëdhënie me OSHE dhe i gjithë ky mashtrim i madh për t’u hedhur hi syve një publiku që e mbështet reformën në energji. Në këtë sektor janë arrestuar në flagrancë 1030 persona, nga të cilët vetëm 240 janë familjarë. Ky është bilanci i gjithë spekulimit për burgime masive. Ka turp më të madh kur shikojmë shifrat që të spekulohet?! Burgu nuk është për të varfërit por për shkelësit e ligjit. Shqiptarët e mbështesin ngritjen e shtetit. Por ne nuk e kemi mbaruar operacionin tonë. Nuk kemi thënë se kemi shkopin magjik që ta bëjmë shtetin për 18 muaj.

Ju e quajtët komentator zotin Blushi dhe nuk doni t’i ktheni përgjigje zotit Blushi për tezat e tij të shumta…

Unë kam 18 muaj së bashku me të tjerët që çdo të enjte me respekt u përgjigjem të gjitha tezave pse janë të gabuara, të cilat ngrihen me pretendimin se Shqipëria nuk po ecën në drejtimin e gabuar. Nuk kam asnjë problem që t’u përgjigjem të gjitha tezave. Por do të më lejoni që opozita ka fjalën, fjala jonë është puna. Unë jam i vendosur që shqiptarëve t’u flas me punën. Puna shikohet dhe vlerësohet.

Erion Veliaj

“Erion Veliaj është fuqia e atij transformimi që i ka munguar Tiranës për 4 vite me radhë dhe shprehja këmbëngulëse e një gjenerate tjetër për ta bërë këtë realitet. Si ministër i kësaj qeverie ai është një menaxher i shkëlqyer. Këtë fjalë unë nuk e përdor lehtë. Veliaj është ministri që reformoi me vendosmëri një skemë të falimentuar pensionesh, ka reformuar skemën abuzive të ndihmës ekonomike, zyrat e punësimit, por edhe arsimin profesional”, tha Rama për Veliajn.

Halim Kosova

“Nuk tallem me askënd e jo më me Halim Kosovën, që është një burrë i mirë, një mjek i mirë, thonë. Por është fakt se, që ti propozosh Tiranës Halimin pas Lulit, është njësoj si të thuash që ai i freskëti doli i fishkur. Tani merrni këtë të lodhurin me shpresë se do dalë energjik. Kjo nuk mund të ndodhë me Tiranën. Halimi është një kthim prapa në të shkuarën. Unë nuk vë në diskutim kapacitetin e tij gjinekologjik, por kapacitetin e tij politik dhe ekzekutiv për të drejtuar Tiranën, ku është 1/3 e popullsisë së vendit”, tha Rama për Kosovën.

Keti Bazhdari

“Në Shkodër zgjodhëm një menaxhere dhe jo një figurë vetëm politike e aq më pak një figurë që është pjesë e një vazhdimësie në Bashkinë e Shkodrës. Keti Bazhdari di si ngrihet një sipërmarrje, si krijohen vendet e punës. Keti është historia e një vajze që e ka nisur nga zeroja, si shumë të tjerë, që nuk merret me sehirin e madh të kafeneve, sot është një mishërim i asaj pjese të shkëlqyer të vajzave dhe djemve të këtij vendi për të cilët asgjë nuk është e pamundur në këtë vend”, tha Rama për Bazhdarin.

Grida Duma

Kryeministri Rama e cilësoi si fatkeqësi nëse Bashkinë e Durrësit e fiton Partia Demokratike dhe kandidatja e saj, Grida Duma. “Si durrsak në origjinë, them largqoftë që Durrësi të bjerë në duart e Grida Dumës! Unë kështu them”, u shpreh Rama. Moderatorja e emisionit iu përgjigj se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë: “Kjo po ndodhi, ndodhi, është për thënie dite dhe në këtë pikë ia kalova edhe Nard Ndokës”, tha kreu i qeverisë, duke karakterizuar kandidaten e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura