Rasti “Balla” dhe skota e frikshme e namusqarëve

Apr 23, 2015 | 12:35
SHPËRNDAJE

MUSTAFA NANO

    Kam ca kohë që nuk shkruaj në gazetë, ngaqë kam diçka tjetër në duar. Por nuk mund të rri pa thënë diçka lidhur me ngjarjen e ditës. Ka një përpjekje për t’i bërë një linçim moral Sokol Ballës për faktin që dikush ka publikuar online do video intime të tij. Përsëris: janë video intime. Nuk po vijoj me përshkrimin e mëtejshëm, pasi nuk do të kish kuptim. Intimiteti i gjithsecilit, nëse do të nxirrej në publik, do të rezultonte “i turpshëm”. Vetëm ndonjë klishe e mërzitshme humane mund të pretendojë, apo mund të mburret për të kundërtën. Me fjalë të tjera, cilido, të cilit do t’i nxirreshin në shesh gjeste të bëra në marrëdhënie intime me të tjerë, do të rezultonte “qesharak” e do të bëhej “gazi i botës”. Prandaj, mua m’i sjellin zorrët te goja ata që këto ditë dëgjohen të thonë se skena e filmuar me personazh Kolin ishte “e turpshme, e pështirë” apo ku di unë. Gjestet që vihen re në atë skenë nuk kanë nevojë për asnjë lloj kualifikimi. Janë gjeste të një situate intime. Kaq. Të turpshëm e të pështirë janë ata që nxitojnë ta kryqëzojnë Sokol Ballën për “bëma” që askujt nuk i hyjnë në qese. E nuk kanë pse t’i hyjnë. Mjaft më me këtë gatishmëri namusqare për t’i dënuar personazhet publike për gjëra që ata i bëjnë në jetën private! Sokol Balla nuk ka abuzuar me interesin publik, me paratë publike, me postin zyrtar. Nuk ka abuzuar as me përgjegjësinë si drejtues i një programi të rëndësishëm TV, e as me normat deontologjike të profesionit të tij. Kjo që ka ndodhur, nuk është një pisllëk i Sokol Ballës. Ky është pisllëk, madje poshtërsi e ndyrësi e tjetërkujt, është ndyrësi e atyre që këtë video e kanë filmuar, për ta bërë publike.
Kol Balla nuk bën pjesë te miqtë e mi. Është thjesht një koleg i imi, me të cilin punët më kanë lidhur më shumë se një herë. E kërkova Kolin dje në telefon, megjithatë. E kërkova për t’iu ndodhur pranë. Por nuk ma hapi telefonin. Me siguri është duke jetuar orë të vështira nën këtë agresion të gardianëve shqiptarë të moralit publik. Kushdo do të ish në të njëjtin hall në vend të tij. E të mos ngutet ndokush të thotë se “unë nuk mund të isha në vend të Kol Ballës, pasi unë nuk do bëja gjëra të tilla të turpshme”. Bullshit! Këtu thelbi i ngjarjes nuk është natyra “tepër lapërdhare” e gjestit të Ballës para kamerave të fshehta të dikujt (një nga ndërhyrjet më fantastike të Jezu Krishtit në Ungjijtë e Dhiatës së Re është momenti kur u drejtohet pjesëtarëve të një turme të gatshme për të linçuar e lapiduar një grua që kish menduar për kënaqësinë e mishit të saj: Ta ngrejë gurin kundër saj kushdo që është i pamëkatë!). Këtu thelbi i ngjarjes është që një person po kryqëzohet për jetën e tij intime, që atij i është filmuar me dëshirën e tij, por që i është publikuar pa dijeninë e tij. Dhe kjo, përsëris, është e vetmja poshtërsi në këtë mes.
Sikur Koli të më ishte përgjigjur në telefon, do t’i thosha: “Dil në publik! Mos rri në shtëpi! Dil e thuaj: “Hej miq, të gjitha mund t’i bëj kabull. Mund të bëj kabull edhe që ju të më cilësoni si t’ju vijë për mbarë bazuar në atë që keni parë e bazuar në moralin tuaj, por problemi nuk është ky. Problemi është publikimi online i momenteve nga jeta ime intime. Doni ta cilësoni të shthurur, perverse, lapërdhare etj. etj. këtë jetë timen? Ok, bëjeni. Po dijeni se jeta juaj ‘namuzqare dhe e moralshme’ është njësoj e kërcënuar, nëse intimiteti juaj del në treg. Dhe, është e sigurt se, qysh nga momenti që intimiteti juaj del në treg, edhe pse ju mund të mendoni se keni një intimitet normal (Intimitet normal! Çfarë fraze oksimoronike!), ju do të bëheni objekt përbuzjeje e gallate nga ana e atyre që po më linçojnë mua tani. Ju ftoj që të bëhemi bashkë për të ngritur zërin në mbrojtje të privatësisë. Nëse jeni duke fërkuar duart, nëse jeni duke thënë se ‘mirë e gjeti atë kodosh’, dijeni se e njëjta gjë do t’ju gjejë juve nesër.”
*Respublica

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura