“Raporti i KE njeh problemet e Shqipërisë”/ Nënkryetarja demokrate: Hapja e negociatave në ngërç! Amendamentet e PD-së? I hapin rrugën dialogut

Oct 20, 2021 | 18:07
SHPËRNDAJE

joridatabaku

Nënkryetarja e Partisë Dmokratike, Jorida Tabaku thotë se Shqipëria ndodhet në një ngërç përsa i përket integrimit europian. Sipas saj, progres-raporti i Komisionit Europian ishte i fortë duke evidentuar dhe njohur problemet reale të vendit tonë.

Në një intervistë për News24, Tabaku thotë se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat, por qeveria duhet të jetë e sinqertë se situata jonë është ndryshe nga vendet e tjera pasi kemi probleme me zgjedhjet, korrupsionin, me mediat.

“Raporti njeh problemet dhe është një nga raportet më të forta të viteve të fundit. Për hapjen e negociatave mban të njëjtin qëndrim. Kemi një rritje të përqendruar mbi procesin e integrimit dhe nuk ka asgjë të re. Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat por ne duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se situata jonë është ndryshe nga vendet e tjera pasi kemi probleme me zgjedhjet, korrupsionin, me mediat. Besoj se i jep një pamje reale të asaj që sot qytetarët po përjetojnë. Është një këndvështrim gjeostrategjik se pse Shqipëria duhet të fillojë negociatat. Raporti thotë se Integrimi është shumë i ulët në axhendën e qeverisë. Ne duhet të lëvizim nga retorika politike dhe të kalojmë tek veprat. Unë i kam kërkuar sot qeverisë që të lëvizim me plane konkrete. Ne do të vlerësohemi për punën që bëjmë. Kemi po të njëjtën nivel vlerësimi si në 2015-ën. Duhet ta kalojmë këtë ngërç. Ky është një vendim politik për të mos cënuar demokracinë. Kemi 5 vite që festojmë hapjen e negociatave dhe në fund të ditës rezultati është ky”- tha ajo.

Më pas nënkryetarja e PD-së ka prekur 3 amendamentet e propozuara nga demokratët. Sipas saj, at oi hapin rrugën debatit dhe se pa një reformë të re zgjedhore dhe territorial nuk mund të vazhdohet më tej.

Ajo shprehet se PD i qëndron listave 100% të hapura për të cilën hedh akuza kundër kryeministrit Rama se ndryshoi Kushtetutën dhe rregullat e lojës me ndryshimet e bëra vitin e kaluar.

Ndryshimet Kushtetuese

“Ndryshimet nuk janë vetëm kushtetuese. Ne paraqitëm se kush janë prioritetet tona, reformë e plotë elektorale që të mos diskutojmë se si ndryshohen rregullat e lojë në favor të njërës palë. Për mua është e papranueshme të kemi si rekomandim të OSBE që vota duhet të jetë e fshehtë, kemi çështjen e patronazhistëve. Pa e përfunduar Reformën Zgjedhore nuk mund të vazhdojmë me zgjedhje tjetër. E shoqëruar kjo me një Reformë Territoriale. Kushtetuta është një dokument që ndryshohet me dakortësi të gjerë. Amendamentet tona nuk janë çudi. Ato i hapin rrugë një diskutimi për këto tema. Të gjitha reformat që janë marrë në mënyrë të njëanshme janë afatshkurtra pasi u mungon qëndrueshmëria. Prioritetet e PD-së janë të qarta se si të kthejmë besimin tek zgjedhjet dhe mos cënohet demokracia” – tha Tabaku.

Reforma Territoriale

“Ne nuk donim një lojë kungulleshkash, por donim një reformë bazuar mbi parime dhe shërbime. Kjo reformë u krijua për qëllime elektorale se ku mund të merren vota dhe jo ku jepet shërbimi. Ne kemi qenë të hapur, të fokusohemi tek shërbimet. Sot nuk kemi të zgjedhur lokalë. Kemi kërkuar të shohim se kush janë përgjegjësit e rajoneve, se si pushteti lokal të ketë më shumë fonde. Ideja është që të fokusohemi tek decentralizimi. Ka nisur një konsultim me grupe pune në terren për të parë ku ka më pak përfaqësim lokal. Kjo reformë ka dështuar. Ne kemi patur emergjenca gjatë dimrit dhe verës dhe pushteti lokal nuk bëri gjë” – thotë nënkryetarja demokrate.

Reforma Zgjedhore

“Si hap të parë ne kemi kërkuar zhbërjen e Kushtetutës së 30 korrikut por e shoqëruar me rekomandimin për lista të hapura. Besoj se ky është një hap dhe qëllim politik. Zgjedhja e drejtpërdrejtë u rrit përgjegjësinë përfaqësuesve. Por kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, duhet diskutim. Propozimi i PD-së ka qenë për 100% të hapura, fatkeqësisht nuk u bë dhe kryeministri ndryshoi rregullat në mënyrë të njëanshëm. Propozimet tona nuk janë më të mirat por i kanë hapur rrugën debatit dhe që të mos kemi raporte të përkeqësuara të OSBE-së” – shprehet Tabaku

Ndërkohë në fund Tabaku është shprehur se prioritetet e PD-së dhe mazhorancës janë të ndryshme.

“Për vettingun nuk është prioritet i joni i parë. Reforma në drejtësi nisi mirë por u zbatua keq. T’i shohim të vërtetat në sy. Nuk duhet të na sillet para një amendamentet ku zgjaten afatet, është e papranueshme. Nuk na përputhen prioritetet me qeverinë në këto momente”- tha ajo.

© Panorama.al

Te lidhura