Raporti i frikshëm i Bankës: Shqiptarët po marrin para me fajde

Jul 17, 2017 | 14:01
SHPËRNDAJE

Bizneset dhe individët u drejtohen fajdeve për të marrë kredi më shumë se bankave. Arsyeja janë kushtet shtrënguese që bankat e nivelit të dytë vendosin për të marrë kredi nga një biznes, por dhe individ, shkruan “Panorama”.

Sejko

Të dhënat bëhen publike nga një raport i Bankës së Shqipërisë, “Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për Tremujorin e Dytë 2017”, i cili konstaton se bizneset gjithnjë e më shumë u drejtohen burimeve alternative për t’u kredituar jashtë bankave. Vetë raporti konstaton stanjacion në lidhje me kërkesën për kredi.

“Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar”, thuhet në raportin e Bankës.

Duke analizuar kërkesën që bizneset kanë ndaj bankave, duket se asgjë nuk lëviz, ndërsa vetë bankat presin rritje në tremujorin e tretë të vitit.

“Kërkesa për kredi ka mbetur pothuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, e ndikuar më shumë nga segmenti i ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e të mesme kanë shfaqur rritje të kërkesës. Në tremujorin e dytë, bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë për kredi për kapital qarkullues, ndërkohë kërkesa për kredi për investime ka mbetur e pandryshuar. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, të mbështetur si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha”, thuhet në raport.

INDIVIDËT

Për individët bankat kanë lehtësuar vetëm kushtet për kredinë konsumatore, e cila ka dhe interesat më të larta, ndërsa kreditë me destinacione të tjera, për blerje mbeten të shtrënguara. Kjo, sipas Bankës së Shqipërisë, i ka detyruar edhe individët që t’i drejtohen huamarrjes jashtë sistemit bankar.

1

“Rritja e kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e dytë të vitit 2017, është nxitur kryesisht nga përmirësimi i kushteve të kreditimit, si edhe nga rritja e nevojës për financimin e konsumit dhe për financimin e blerjes së banesave. Ndërkohë, ekspertët bankarë raportojnë se prania e burimeve alternative dhe besimi konsumator kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve”, thuhet në raportin e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë. Por ajo që parashikohet nuk është aspak optimiste për individët.

“Standardet e kredisë për individët shfaqën lehtësim në tremujorin e dytë të vitit 2017. Mbështetur në rezultatet e pyetësorit, standardet u lehtësuan për segmentin e kredisë konsumatore, ndërsa për kreditë për blerje banese mbetën të pandryshuara, në përputhje me pritjet e tremujorit të kaluar. Për tremujorin e tretë të vitit, bankat presin një shtrëngim të lehtë të standardeve të kredisë si për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore”, thuhet në raport.

SHTRËNGESAT

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri vijojnë të jenë të shtrënguara në kreditimin e biznesit dhe pse kanë mjaftueshëm likuiditet. Vetë raporti i Bankës së Shqipërisë konstaton faktorët që i çojnë bankat në shtrëngimin e dhënies së kredive.

“Faktorët që kanë ndikuar në kahun shtrëngues të standardeve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, situata makroekonomike, si dhe problemet specifike të sektorit. Politika lehtësuese e bankave ndaj kredisë për biznese u zbatua kryesisht nëpërmjet zvogëlimit të komisioneve dhe marzhit mesatar, ndërsa shtrëngimi i kushteve për këtë kategori u krye nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral”, citon raporti.

Pyetësori, shqiptarët me borxhe jashtë bankave

Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një pyetësor me 205 qytetarët, nga të cilët ka marrë të dhëna lidhur me të ardhurat, shpenzimet dhe borxhin e familjeve shqiptare. Nga 205 të intervistuarit, 94 kanë deklaruar se kanë krijuar borxh nga marrja e një kredie, të cilën e shlyejnë me këste, ndërsa 93 qytetarë e kanë krijuar këtë borxh nga burime të tjera kredimarrjeje.

“Pyetësori mbi borxhin e familjeve synon të marrë të dhëna suplementare për nivelin e borxhit, peshën e shlyerjeve të borxhit në të ardhurat familjare, monedhën e emetimit, llojin e borxhit, si dhe karakteristika të tjera të kredimarrësve.

Analiza e të dhënave të këtij pyetësori shërben për të identifikuar peshën e faktorëve të ndryshëm të rrezikut të kredisë për familjet dhe zhvillimin e tyre në kohë”, thuhet në relacionin e Bankës së Shqipërisë për këtë pyetësor. Shpenzimet më të mëdha, familjet shqiptare i bëjnë për nevojat e domosdoshme të tyre.

Nga 205 të intervistuar, 88 qytetarë janë shprehur se paguajnë mbi 50 mijë lekë të rinj në muaj për ushqim, veshmbathje, qira, ujë, energji, ilaçe, edukim, ndërsa 60 qytetarë janë shprehur se paguajnë nga 25- 50 mijë lekë të rinj për këto nevoja.

ARISTIR LUMEZI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura