Raporti i DASH: Korrupsion në të gjitha degët e pushtetit

Feb 28, 2014 | 12:13
SHPËRNDAJE

Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri
Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin për 2013

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se problemet më të spikatura të Shqipërisë për vitin 2013 ishin korrupsioni, sidomos në fushën e drejtësisë, dhe zvarritja e axhendës së reformave.
DASH ka publikuar dje raportin vjetor për të drejtat e njeriut ku e vë theksin te mosndëshkimi dhe politizimi i Gjyqësorit. “Problemet më të spikatura për të drejtat e njeriut ishin: korrupsioni i vazhdueshëm në të gjitha degët e pushtetit, sidomos në kuadër të sistemit gjyqësor; zvarritja e axhendës së reformave, në veçanti lufta kundër korrupsionit, pasi partitë politike u përqendruan në zgjedhjet e qershorit, si dhe dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave”, thuhet në hyrje të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas DASH-it: “Mos-ndëshkimi mbetet problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarët që kanë kryer abuzime ishin sporadike dhe kontradiktore. Zyrtarët qeveritarë, politikanët, gjyqtarët si dhe ata me interesa të fuqishme të biznesit, shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Disa zyrtarë të nivelit më të ulët janë dënuar për abuzime. Disa zyrtarë të qeverisë, të cilët ishin të implikuar në mënyrë të qartë në raste abuzimi, janë shkarkuar dhe u janë dhënë poste të tjera qeveritare, pa asnjë dënim”. Në një kapitull më vete të këtij raporti vjetor trajtohet edhe puna e Policisë së Shtetit. DASH vlerëson se pagat e ulëta dhe drejtimi i dobët ka sjellë fenomenin e korrupsionit edhe në radhët e uniformave blu. “Punonjësit e Policisë së Shtetit nuk e kanë zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, lidhjet politike ose kriminale, infrastruktura e dobët dhe mungesa e pajisjeve apo mbikëqyrja joadekuate shpesh kanë ndikuar në zbatimin e ligjeve. Pagat e ulëta, motivimi dhe drejtimi i dobët, si dhe mungesa e diversitetit në fuqinë punëtore, kanë kontribuar në korrupsionin e vazhdueshëm dhe sjelljet joprofesionale. Mosndëshkimi mbetet një problem serioz dhe pak policë janë ndjekur penalisht për abuzime”, thuhet në raport. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ligji parashikon dënime penale për korrupsion të zyrtarëve, por qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive dhe zyrtarët angazhoheshin shpesh në praktika të korruptuara, pa u ndëshkuar.

Raporti i DASH
n     Problemet më të spikatura për të drejtat e njeriut ishin: korrupsioni i vazhdueshëm në të gjitha degët e pushtetit, sidomos në kuadër të sistemit gjyqësor; zvarritja e axhendës së reformave, në veçanti lufta kundër korrupsionit, pasi partitë politike u përqendruan në zgjedhjet e qershorit, si dhe dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave
n     Mosndëshkimi mbetet problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarët që kanë kryer abuzime ishin sporadike dhe kontradiktore. Zyrtarët qeveritarë, politikanët, gjyqtarët si dhe ata me interesa të fuqishme të biznesit, shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale.
n    Disa zyrtarë të nivelit më të ulët janë dënuar për abuzime. Disa zyrtarë të qeverisë, të cilët ishin të implikuar në mënyrë të qartë në raste abuzimi, janë shkarkuar dhe u janë dhënë poste të tjera qeveritare, pa asnjë dënim.
n    Ligji parashikon dënime penale për korrupsion të zyrtarëve, por qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive dhe zyrtarët angazhoheshin shpesh në praktika të korruptuara, pa u ndëshkuar.

Gjyqësori
Departamenti Amerikan i Shtetit ndalet gjithashtu në sistemin gjyqësor. DASH flet për politizim të emërimeve në dy gjykatat më të rëndësishme në vend, në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. “Kushtetuta siguron një Gjyqësor të pavarur, megjithatë, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur, burimet e kufizuara nganjëherë e penguan Gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe me efikasitet. Politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese kanë kërcënuar minimin e pavarësisë dhe integritetit të këtyre institucioneve”, thuhet në raportin e publikuar dje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura