Rama: Pro heqjes së imunitetit të 3 deputetëve

Jan 31, 2012 | 12:34
SHPËRNDAJE

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama, duke ritheksuar mbështetjen ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen deri në fund të ngjarjeve të 21 janarit dhe ndëshkimin sipas ligjit për vrasësit  ka deklaruar se opozita do të votojë së bashku me tre deputetet e kërkuar për hetimet, pro heqjes së imunitetit të tyre.

“Të enjten do votojmë pro heqjes së imunitetit për tre deputetet e PS-së. I falënderoj ata për qëndrimin e qartë publik, vënia e tyre me vullnet të lirë në mbështetje të hetimit të 21 janarit e nderon PS dhe këtë grup parlamentar. E mbështesim pa kusht hetimin dhe Prokuroren e Përgjithshme që gjendet përballë një presion barbar”- tha Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar.

Sipas tij, shqiptarët panë e degjuan qartë brenda dy ditësh në dy intervista faktet dhe dinjitetin e Ina Ramës nga njëra anë dhe gënjeshtrat dhe corodinë e Berishës nga ana tjetër.

“Askush nuk mund të mos e bëjë dallimin e qartë ndaj ligjit. Ina Rama nuk është Silvia Konti kur na intereson dhe ‘lavirja e bulevardit’ kur s’na intereson, por Prokurorja e Përgjithshme e Republikës. Interesi i vendit për ne është mbi cdo interes vetjak e partiak”- tha ai, duke nënvizuar se Berisha e ka shpallur haptas qëllimin e për të vënë në kontroll drejtësinë për një president të nxjerrë nga barku i oborrit të vet. Sipas Ramës, kërcënimet e përsëritura janë kulmi i shantazhit dhe preludi i dështimit të procesit të integrimit nga ana e Berishës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura